KreuStil Jetese

Sekretet e Dita-s

Po mendoni si të shijoni një gotë ‘Martini’ mbrëmjeve? Ka shumë mënyra. Madje, mund të shihni sesi në një gotë, nata shndërrohet në Ditë! Kjo nuk është aspak imagjinata juaj… Është Dita von Teese.

E njohur si Diva e Neoburlesque në vitet ‘90, për shumë meshkuj muza e fantazive, për të tjerë e konsideruar si mister dhe drithëruese që nga lidhja e saj me rokerin Marlyn Manson, 43-vjeçarja amerikane joshëse risolli në vëmendje të skenave botërore shfaqjet e munguara të artit ‘Burlesk’, me një tjetër frymë, inovacion dhe plot misticizëm.

“Burlesku është një botë iluzionesh, ëndrrash dhe patjetër striptizë. Mbi një gotë shampanjë, apo mbi karuselin tim me drita vezulluese përreth, unë jetoj fantazitë e mia më joshëse duke sjellë ndërmend çaste nostalgjike të jetës”, e komenton ‘Burleskun’, Von Teese.

 Triumfoi magjishëm si ylli i parë i ftuar ndonjëherë në shfaqjen e “Crazy Horse” në Paris, si dhe e vëmendshme për të mos prekur vulgaren; adhuruesja e Tilda Swinton, Rossy de Palma, Marlyn Monroe apo Mae West përfaqëson sot gjeneratën e re të artistëve për artin e joshjes.

E cilësuar si “superheroina e Burleskut” nga prestigjiozja ‘Vanity Fair’, Dita von Teese është e përkëdhelura e sfilatave famoze nga stilistë të njohur si Marc Jacobs; Louis Vuitton, Chopard, Cartier, Jean Paul Gaultier dhe prej vitesh në objektivin e fotografëve më në zë Emily Weiss, Lionel Deluy, Albert Sanchez, Amedeo Turrello.

Që nga kohët kur rrëmbente veshjet seksi në garderobën e nënës së saj, në një adoleshente 15-vjeçare shitëse në një dyqan për të linjta; kursimet e saj të vogla sekrete shkonin vetëm për ato për të cilat femrat shkulin flokët dhe meshkujt tërbohen në shtrat, një palë të brendshme seksi! Sot, në tregun ndërkombëtar linjat më të preferuara si “Her Sexellency”; “Park Avenue”, “Madame X’; “Man Catcher” me nofkat pikante që ajo zgjedh për çdo set të brendshmesh, mbajnë firmën e saj, Dita von Teese.

Vetë preferon dantellën e zezë. Vishini më shpesh! Mos harroni as motrat zhartier dhe korse vintage, “Graalin e Shenjtë të të linjtave“, siç e quan ajo.

Sekretet për një ditë si Dita!

Nëse ju i fshihni mikeshave apo partnerit tuaj disa truke për pamjen tuaj, edhe Dita ruan sekrete! “Ju rrëfej botën time të mrekullueshme të Pin Up, lëvizjet tunduese që e bëjnë një femër fatale! Veçse një femër nuk jua thotë dot të gjitha!”, – zbulon ajo.

E mendoni mëngjesin e saj të lehtë; pasqyra me koleksionet e fundit të make up-it;
parfum dhe me siguri një sallon nga pas për flokët e famshme me onde dhe korsenë që ngjan se do ta mbajë në përjetësi! Mos u gënjeni! “Jam një zog që çohet shpejt në mëngjes, – rrëfen ajo, – një gotë ujë me limon, çaj apo ‘smoothie’ dhe 30 minuta pilates. Zgjedh një fustan ose fund, stili i viteve 50’, këpucë balerina dhe buzë të kuqe, lirshëm, gjithnjë brenda stilit”. Madje, para skenës nuk i duhen më shumë se 20 minuta dedikuar kujdesit rutinë prej vitesh. Kur vjen puna tek shijet, dhe të tjerët nuk i fal. “Nëse admiroj vërtet dikë, preferoj t’i shoh gjithnjë në formën e tyre më të mirë. S’më pëlqen të shoh një femër që e konsideroj të shijes time, në një dyqan; me pantallona të shkurtra dhe bluzë të grisur!”

 

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF