Cinema Du Reel, festivali ndërkombëtar i filmit dokumetar që organizohet në Qendrën Pompidou në Paris nga 18 – 27 mars 2016, i dedikon sivjet në ediconin e tij të 38-të, një program të veçantë kinemasë shqiptare, një retrospektivë të sjellë nëpërmjet dokumentarëve të fondit filmik të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Programi mbi kinemanë shqiptare, i titilluar “Një histori përmes imazheve”: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në fokus, është kuruar nga Clarence Tsui, një nga programuesit e festivalit Cinema Du Reel, kritik filmi dhe studiues i kinemasë. Retrospektiva e pasur me 16 tituj filmash dokumentarë shqiptarë dhe një film artistik është konceptuar e grupuar në 5 programe të cilat paraqesin etapat kryesore të historisë së Shqipërisë treguar me anë të mediumit kinematografik:
Shqipëria e periudhës së shtetformimit, përcjellë përmes kamerës së drejtuar nga Mandi Koçi me dokumentarin e parë prodhim krejtësisht shqiptar të vitit 1947.
‘Zërat’ e censuruar, të kinematografisë shqiptare do të shfaqen për publikun ndërkombëtar nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës. Ndërkohë s’kishte si të mungonte kamera e regjisorit Dhimitër Anagnosti në këtë retrospektivë të filmit shqiptar në Paris. Anagnosti vjen me premierën botërore të restaurimit të dokumentarit “Përjetësi’ një restaurim i realizuar nga AQSHF vitin e kaluar. Ndërkohë, vendet e bukura turistike të Shqipërisë do të përcillen për publikun ndërkombëtar të Cinema Du Reel nëpërmjet dokumentarit të Mark Topallajt.
Marrëdhëniet me ndërkombëtarët, zbulohen në programin e tretë nëpërmjet filmave të prodhuar në Shqipëri, nga kineastë të huaj si dokumentari i realizuar në 1935 nga Ëalter Frentz, që njihet si fotograf i propagandës naziste, apo bashkëprodhimeve me rusët (Shqipëria 1945, Roman Karmen) dhe kinezët (Krah për Krah, Endri Keko, Ho Y Shen, 1964).
Pasoja – Historia e risjellë, është programi i katërt i cili don të ri-tregojë historinë e shqiptarëve, këtë herë përmes 2 dokumentarëve të kohëve të fundit, nga dy regjisorë të brezit të ri të kineastëve; “Superballkan”, Fatmir Koci, 1998 dhe “Pritja”, Roland Sejko 2015. Këta dy filma janë të ndërtuar me materiale arkivore nga fondi filmik i AQSHF-së dhe tregojnë se si mund të përdoren materialet e vjetra për të ri-thënë historinë nga një këndvështrim tjetër.
Loja e fëmijëve – Realiteti i Xhanfise Kekos, është programi i fundit i retrospektivës, dedikuar regjisores shqiptare. Studiuesve dhe kritikëve europianë të filmit po u bën përshtypje gjithnjë e më shumë puna dhe arti i një gruaje regjisore. Këtë herë sillet Xhanfise Keko me filmin artistik “Kur xhirohej një film” dhe dokumentarin e shkurtër “Para shfaqjes”, ku gjithnjë në fokus vendos botën e pafajshme të fëmijëve.



















