KreuArt

Një kujtim i dhimbshëm për Ferdinand Dedën nga Bashkim Zahaj

Piktori dhe skenografi Bashkim Zahaj ka ndarë në rrjetet sociale një kujtim të dhimbshëm për dirigjentin dhe kompozitorin e njohur, Ferdinand Deda. Zahaj tregon sesi e njohu për herë të parë gjatë një koncerti Ferdinandin, ku ai i kërkoi ti shpjegonte vendosjen e orkestrës. Më pas në statusin e tij, piktori dhe skenografi tregon një episod të trishtë sesi dirigjentin e kishin nxjerrë policët nga radio, pasi ai kishte dal në pension.
Ja çfarë shkruan Bashkim Zahaj për Ferdinand Dedën:
Duhet të kem qenë rreth të 28-tave kur dikush më thirri për herë të parë “maestro”. U hutova dhe ktheva kokën. Përpara më qëndronte maestro i vërtetë Ferdinand Deda. Po montoja festivalin tim të parë si skenograf. I lodhur nga emocioni dhe i befasuar nga thirja e humba toruan. Ferdi erdhi ngadalë e me zë të ulët më kërkoi ti shpjegoja mbi vendosjen e orkestrës. Më dëgjoi me vëmendje. Ok, -tha dhe duke buzeqeshur shtoi: pa problem. Gjithë ankth e vështrova, pasi unë ia kisha ndarë orkestrën në dy pjesë. Isha pothuajse injorant në vendosjen e saj. Festivali shkoi mirë dhe figura e tij e qetë dhe plot pasion më dha kurajo. Ai ishte pasqyra ku unë shikoja reflektimin tim. I ëmbël në komunikim dhe këmbëngulës në pasion. Portret tepër impresionues e sy lotues deri përtej ndjenjës që shfaqte muzika. Me këtë artist të madh që nuk do të na vije më, unë kalova disa festivale.
Një ditë mbas disa vitesh, në hollin e radios dy punonjës të sigurisë shoqëronin për krahu maestron. Ndalova dhe pyeta policin se çfarë kishte ndodhur. “Ka hyre pa leje, ka dalë në pension, kemi urdhër”, më tha polici.
Në xhamin e hollit nga jashtë në një format letre ishte shkrojtur emri i maestros, të cilit nuk i lejohej hyrja në institucion. Si? Nuk lejohej ai të hynte në radio? Mund ta them sot atë që ndjeva… egërsinë, injorancën, mosmirënjohjen, vandalitetin, urrejtjen që kishte administrata drejtuese ndaj artistëve. Ajo këtë e shfaqte kudo. Qoftë edhe në formalitetet e thjeshta, si ftesa për në festival. Ditët e më pasme ishin plot dhimbje. Ai rrinte te rrapi përballë radios. Njerëzit e përshëndesnin e kujtonin se ai vazhdonte të ishte në pune. “Këtë dua”, më tha.  Në spital Ferdin e gjeta shtrirë me gruan te koka. Lulet, ca zambakë të bardhë të mëdhenj, ia vura aty afër komodinës e ai u përlot. Edhe unë me të. Po vinte ora e hapjes së homazheve. Ai rrinte shtrirë në hollin e radios. Sigurisht këtë radhë me leje.
“Nxirni një grup orkestral të luaj ndonjë pjesë të maestros”, i thashë unë njërit prej organizatorëve, muzikant. “E çe do”, më tha muzikanti, “Ai nuk dëgjon më”.
Vërtet, jo shumë vonë edhe ai ndërroi jetë dhe për atë askush nuk vuri një orkestër. As ai nuk dëgjonte më. E unë kuptova sa e egër është lufta brenda llojit.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF