KreuArt

Ina Gjonçi: “Dashuria për teatrin, është e vetmja gjë që nuk më ka mërzitur ne këtë jetë”

Olsi Kolami

Ajo vjen në skenën e teatrit këtë herë si Blanche Du Bois, një nga personazhet e veprës së autorit të njohur Tennessee Ëilliams. Është shfaqja “Tramvaji Dëshirë” që rikthen në skenë aktoren Ina Gjonçi, e cila tregon se është përpjekur të sjell para së gjithash një grua viktimë të fatit të së shkuarës të dhunës dhe të thashethemnajës së provincës. Një grua që sipas saj mund të jetonte kudo, e cila përpiqet të kapet pas jetës ndonëse jeta tregohet e vrazhdë me të. Një grua që përpiqet të gjejë të bukurën edhe aty ku e bukura nuk është, shton më tej mbi personazhin e saj aktorja në shfaqjen që vjen me regji nga Kiço Londo, Endri Çela, Dajana Nenaj. Për jetën e saj artistike aktorja tregon se dashuria për teatrin është e vetmja gjë në këtë jetë nuk e ka mërzitur. Ajo shprehet se teatri i ka dhënë shumë në planin njerëzor e shpesh aty ka gjetur përgjigje e paqe në momente tepër të vështira personale.

Këto kohë jeni me rolin e Blanche Du Bois në shfaqjen “Tramvaj dëshirë”. Çfarë ju dhuron ku rol?

Ky rol së pari, më dhuron privilegjin për të folur me gjuhën e një prej autorëve të mi të preferuar e jo vetëm: Ëilliams-i është padyshim një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e dramaturgjisë botërore e Tramvaji në mënyre specifike konsiderohet kryevepra e tij.  Për arsye nga më të ndryshmet e lehtësisht të kuptueshme ndodh që aktorët të jenë të detyruar të pranojnë  edhe role që nuk u thonë gjë, ndaj mendoj që përpos të gjithave vetë roli është një dhuratë e duke cituar Blanche do ta quaja një dhuratë që më “erdhi si rrufe në qiell të pastër, pikërisht atëherë kur mendoja se fati më kish braktisur”. Fatit iu kundërpërgjigj Kiço Londo me pak fjalë, duke më dhuruar para se gjithash, besim. Vetëm një “i çmendur” si ai, mund t’i besonte Blanchen një “të çmendure” si unë.

Si vjen Blanche Du Bois sipas Ina Gjonçit?

Eh, në fakt jam e detyruar të them diçka të thënë e të stërthënë, por ja që kur përmendet kjo pjesë, nuk mund mos të të vijë në mendje ekranizimi hollivudian me protagonistë Brando e Leigh. Vetë Blanche Du Bois është një personazh që bën pjesë në kategorinë e Southern Belle ndryshe Bukuroshet e Jugut, femra tipikisht amerikane, të bukura të brishta e përfaqësuese të një shtrese sociale të ngritur, të cilat shpesh kanë frymëzuar vepra artistike, që nga “Bashkë me erën” për shembull e gjer tek “Menaxheria e Qelqtë”. E thënë kështu duket sikur lidhja me vendin tonë nuk ekziston. Andaj unë jam përpjekur të sjell para së gjithash një grua viktimë të fatit të së shkuarës të dhunës dhe të thashethemnajës së provincës. Një grua që mund të jetonte kudo, e cila përpiqet të kapet pas jetës ndonëse jeta tregohet e vrazhdë me të. Një grua që përpiqet të gjejë të bukurën edhe aty ku e bukura nuk është. Një grua e cila nuk arrin t’i përshtatet një realiteti, që sjell koha e pamëshirshme kapitaliste, që nuk pyet për ç’ke qenë e ç’ke pasur dikur. Blanche që jam përpjekur të sjell, është para së gjithash “femër”.

Ka qenë një nga rolet tuaja që e keni pasur në vëmendje për ta interpretuar në skenë?

Nuk është e para herë që unë përballem me Tramvajin. Fati ka dashur “të udhëtoj” me të edhe gjatë viteve të shkollës nën drejtimin e pedagogut tim Timo Flloko. Asokohe luaja Stelën, tjetër rol tejet i rëndësishëm në vepër. Puna me profesorin ka qenë shumë e vyer, jo vetëm sepse ai e dashuronte pjesën dhe na frymëzoi pa kushte, por edhe sepse përmes saj, u përpoq të gdhendte tek ne, leksionet e Stella Adler apo Lee Strasberg, të cilët bashkë me Ëilliamsin, Kazanin dhe Brandon, kanë qenë themeluesit e asaj kinemaje amerikane që ne sot shohim.

Një aktore si ju çfarë mendon për më tepër në karrierën e saj me teatrin?

Unë nuk jam shumë njeri i planeve. Dashuria ime për teatrin është e vetmja gjë në këtë jetë që nuk më mërzit. Teatri më ka dhënë shumë në planin njerëzor e shpesh aty kam gjetur përgjigje e paqe në momente tepër të vështira personale. “Karriera” për aktoret në Shqipëri është e vështirë, e brishtë dhe ndonjëherë e vrazhdë. Unë nuk e di ç’kërkoj më shumë, por di që dua të jem në skenë, ndonëse jo gjithmonë jeta në të, është “bardhësi’ pylli” (siç do thoshte Blanche”).

Kur flasim për kinemanë rolet tuaja kanë qenë më tepër në filma të shkurtër artistik. Ju si e mendoni aktivitetin me kinemanë, çfarë synoni për jetën artistike me filmin?

Unë filmin e kam pasur gjithnjë frikë. Thënë ndryshe kam një ndrojë ndaj kamerës, të cilën e njoh vetëm unë mesa duket, pasi ata pak regjisorë me të cilët kam punuar, nuk ma kanë vënë në dukje. Bashkëpunimet me Suela Bakon apo Ajola Dajën, kanë qenë përvoja tejet pozitive për mua.

Çfarë do të doje më shumë për jetën artistike sot?

Në çastet që flasim, janë edhe tri shfaqje të tjera në skenat e kryeqytetit e kjo është gjë e mirë. Sigurisht që do të doja një jetë artistike të gjallë, kjo përkthehet ndryshe edhe në mundësi më të mëdha për aktorët e artistët. Do të doja që një punë e paraqitur në skenë, të lindte vërtet si një shqetësim i brendshëm e si një nevojë absolute për t’u thënë diçka të tjerëve, e jo si kapriço apo ambicie e vockël përmes së cilës shfryhen mllefe. Ne nuk jemi vetëm “artistë” (e fus në thonjëza se ende më duket fjalë e madhe e cila shpesh thuhet vend e pa vend) jemi edhe qenie sociale. Përveç endorfinës që truri çliron gjatë qëndrimit në skenë, përveç egoizmit për të qenë një metër mbi publikun, ne kemi edhe detyrën për t’u thënë gjëra njerëzve, për t’i zgjuar, për t’i nxitur. Këtë do të doja: do doja që arti mos ishte thjesht argëtim por pse jo, të kishte fuqinë për “të ndryshuar boten”

Një aktore e re si ju me çfarë problemesh është përballur për aktivitetin artistik?

Unë nuk di të flas me shifra, skema, argument ligjore. Mesa duket nuk kam një logjike juridike të hatashme. Problemet e teatrit janë të njëjta me problemet e artit në përgjithësi tek ne. Për arsyet që citova më lart, arti trajtohet ende si shtojcë, si “entertainment”. Apo edhe si luks. Politikat janë të parat që e trajtojnë si të tillë. Fakti që nuk jam pjesë e një institucioni teatror, nuk më trishton. Madje një natyrë e lirë si imja do ta kishte të vështirë marrëdhënien e qëndrueshme me të. Të jesh aktore e një teatri, do të thotë që shpesh mos kesh mundësinë të thuash “jo” për shembull. Një ditë mundte luash Blanche por një tjetër ditë mund të jesh e detyruar të luash edhe një komodinë, ndaj këtë mungesë kontrate përpiqem ta shoh si liri për të bërë gjërat që dua atëherë kur dua. Mund të tingëllojë si dhelpra me rrushtë, por nuk besoj të më flasë zilia.

Pas një dite pune të lodhshme, si kalon koha e lirë?

Kohë e lirë? Çfarë është kjo? Aktualisht unë punoj edhe në televizion, si tekstshkruese në “Al Pazar” e madje gjej rast për të falenderuar me sinqeritet Agron Llakajn, i cili mirëkuptoi dëshirën time për t’u “arratisur”. Zakonisht formate të tilla impenjative, kërkojnë angazhim të përditshëm, e mund të kthehen në struktura hermetike nga të cilat është vështirë të largohesh qoftë edhe për pak. E megjithatë (ndonëse jo pak herë më gjente me sytë e përhumbur, duke mërmëritur ndonjë monolog të shfaqjes) ai më dha mbështetje e kohë. Të njëjtën gjë bëri për shfaqjen “Tri motrat” e besomëni që është e rrallë. Pyesni aktorë të tjerë të formateve të ngjashme, të cilët “shqyhen” mes televizionit e skenës, duke hasur shpesh edhe turivarjen e ndokujt.  Unë kam qenë me fat në këtë drejtim. Gjithsesi kam pasur ritme vrastare e shumë pak kohë të lirë. Por më pëlqen të lexoj, të shoh filma, të udhëtoj (ndonjëherë edhe thjesht me mendje).

Kur e nise rrugën me artin e kishe menduar se do kishte kaq vështirësi?

Kur mendoj sa e sa aktorë të diplomuar, e kanë harruar edhe vetë që janë të tillë, e mundësitë për të qenë në skenë i kanë pasur shumë pakta, them që në një sens kam qenë me fat. E dua të jem pozitive në këtë drejtim. E me besim tek e ardhmja. Ndodh për shembull një ditë që Kiço të të ofrojë Blanche, e të jesh pjesë e një shfaqjeje të cilën e do fort, e të kesh fatin të kesh çdo natë në sallë mamanë tënde që ndjek me emocionin e herës së parë, e që krejt papritmas të gjesh jashtë teatrit një grup të panjohurish që duan të bëjnë foto me ty. Jeta nuk është edhe aq e keqe apo jo?

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF