KreuBusull

Rasti konfuz i Andrew Garfield: edhe për sa gjatë do të ofendohen njerëzit e kohëve moderne?

Për të gjithë ata, që emri i Andrew Garfield nuk iu vjen i njohur, po ju ndihmojmë paksa, duke ju kujtuar se po flasim për aktorin e filmave të fundit të Spiderman. Mes shumë roleve të tjera, e pretendimeve për arritje akoma dhe më të mëdha në karrierë, Garfield ka arritur të tërheqi vëmendjen e publikut, duke formuar kështu grupin e tij të fansave. Por, në intervistën më të fundit të aktorit, ka mjaftuar një përgjigje jo fort e gjatë, për të bërë që shumë koka të ktheheshin nga ai.

I ftuar në ‘Graham Norton show’, Andrew ka rrëfyer diçka më shumë mbi përgatitjen e tij për rolin e Prior Walter, një burrë gej i cili përjeton ditët e para të diagnostifikimit me SIDA. Si çdo aktor tjetër, edhe Garfield do të kërkonte diçka më shumë për realizimin e personazhit, duke zbuluar metodën e përgatitjes së tij. Përgjigja konkrete e artistit ishte kjo: “Çdo të dielë, mblidhem së bashku me tetë miqtë e mi në shtëpi, dhe e vetmja gjë që bëjmë është të shohim RuPaul’s Drag Race (spektakël me protagonistë meshkujt e shndërruar në femra). Kjo është jeta ime jashtë rolit. Zëre se jam gej, por pa përfshirë aktin fizik – kaq. Me aq sa di, nuk kam prirje homoseksuale. Ndoshta koha do të zbulojë diçka që unë ende nuk e di, dhe jam i hapur ta mirëpres, por momentalisht jam në zonën time që është po aq e mrekullueshme.” Ka qenë kjo, përgjigja e cila ka shkaktuar jo pak polemika, duke shtyrë fansat t’i kundërvihen aktorit. Dikush ankohet se Garfield është shumë injorant, aq sa nuk di të dallojë një ‘drag queen’ nga një gej, një tjetër shfaq pakënaqësinë e të mospranuarit biseksualitetin nga ana e artistit…Me pak fjalë, të gjithë që patën durimin ta ndiqnin këtë temë, e sulmuan Andrew në mënyrat nga më të ndryshmet. Shtrohet pyetja: seriozisht kemi arritur në këtë pikë?!

Fillimisht, këto vitet e fundit nuk kanë sjellë gjë tjetër veçse kategorizime ekstreme të njerëzve, nën hijen  e të ashtuqujturit të drejtat e njeriut dhe liria e individid. Krejtësisht dakort me këto të fundit, për aq kohë sa të qenurit individualisht i pavarur është një nevojë, më tepër se sa një luks. Po kaq dakort duhet të jemi edhe me grupet feministe, grupet e homoseksualëve etj., që luftojnë deri në fund për të drejtat e tyre. Dhe po, çdokush ka të drejtën të jetojë në mënyrë të barabartë, pa qenë e nevojshme të merret parasysh gjinia, ngjyra e lëkurës, orientimi seksual e shumëçka tjetër. Shqetësimi real nuk është këtu, por tek nxitja e të menduarit se këto individë, gjithsesi, mbeten pjesë e një grupimi. Nga ana tjetër, kjo e fundit vjen si rezultat i këmbënguljes së pamasë së dramave kryesisht sociale të shkaktuara nga vetë grupimet. Një falenderim i madh shkon për feministet, që arritën të krijojnë figurën e femrës së pavarur, larg të qendruarit në kuzhinë për 24 orë të ditës, ashtu sikurse kontributi i madh i bërë nga vetë homoseksualët për  njerëzit me një orientim seksual ndryshe, ka bërë që sot, pavarësisht pakicës, shumica të mos nxisë urrejtje tek vetja apo të tjerët, kundrejt homoseksualëve. Vetëm se, a nuk do të ishte më mirë  që e gjithë kjo punë të ndikonte tek individi, pa e shtyrë këtë të fundit të ndjehet detyrimisht pjesë e një kategorie? Pse? Sepse vetëm kështu do t’i largoheshim një herë e përgjithmonë viktimizimit. Gjithë çfarë po shohim është liberalizimi i vendeve europiane për martesat gej. Çfarë po ndodh? Mos duhet vallë të ndjehen kaq inferiorë homoseksualët, sa t’ju duhet një letër krejt e pavlerë celebrimi në bashki, për t’u ndjerë njësoj me të tjerët? Ah, mendova se po flisnim për njeriun e natyrës, jo atë të institucionit. Përpos kësaj e shumë ankesave për ofendim ndaj ‘grupimit’ të tyre dhe tranvestitëve, vjen konfuzioni i një tjetër individi, siç është rasti i Andrew Garfield. Nëse e studiojmë me vëmendje deklaratën e aktorit, shohim vetëm përpjekje për t’u treguar i drejtë dhe liberal ndaj homoseksualëve dhe pjesës tjetër të mbetur. Ç’të bëjë Garfield-i? Është personazh publik, do të kënaqë masën, e cila nga ana tjetër, jo vetëm që nuk kënaqet, por sulmon nën mburojën e të qenurit e ofenduar. Se në fakt, gjithë këto vite, shih rrushi, rrushin e piqet.

A jemi ne aq humanë në të vërtetë, sa të arrijmë në shkallën e fundit, kur e para është ende e pandërtuar? Në një botë mbushur me injorancën pasanike prej Kardashiani, si do të ndjeheni po të jetonit me 1 dollarë në ditë? E përballojmë dot faktin që qindra jetë në këtë planet shkatërrohen pa arsye, për tekën e një vendi superfuqi? Sa përgjegjës jemi ne, që këpucët e mbathura në këmbë vijnë nga puna e duarve të një fëmije vietnamez? Me siguri po thoni, se kjo nuk ka lidhje me temën. Për aq kohë, sa mbajmë një kuadër të vetëm në dorë, për ta drejtuar vetëm aty ku duam ne, gjithë çfarë do kemi është një botë ku, nga një anë durojmë borgjezinë e ofendimit të atyrë që vetë-viktimizohen dhe kur nuk ka vend për diçka të tillë, e nga ana tjetër, do të kemi një botë, e cila mbetet ende një handikap mes primitives dhe viteve të kaluara të nënës Tokë. A ka faj Garfield? Aspak. Për aq kohë sa fokusohemi në drejtime që nuk ndiqen me prodhimtari nga pas, të mos na vijë aspak çudi kur dëgjojmë përgjigje konfuze si të aktorit. E kemi të bukur ne shprehjen: ç’të mbjellësh, do korrësh…

Tags:

Home Dossier

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF