KreuBusull

INTERVISTË/Arjan Konomi: “Jeta e personazheve të librit tim, e pabesueshme!”

Intervistoi: Sara Gurabardhi

Fotot: Ermal Mulla

 

Arjan Konomi ka prezantuar veten ndryshe, me botimin më të fundit të librit të tij “Saga e jetëve legjendë”, promovimi i së cilit u mbajt pasditen e djeshme në kryeqytet. Gjashtë personazhe, gjashtë jetë të larmishme, gjashtë figura sa të ndryshme, aq dhe të njejta në madhështinë që përfaqësojnë. Lexon emrat: Churchill, Katerina e Madhe, Speer, Callas, Caravaggio, Einstein dhe menjëherë të vjen ndërmend pyetja: “pse pikërisht kjo përzgjedhje?” Përshkrimit të jetës së një personazhi i lipset jo vetëm njohuria, por dhe një kërkim i saktë, që tejkalon informacionin e thjeshtë. Duke marrë një iniciativë të tillë, bordo.al nuk mund të mos zbulonte më tepër mbi opinionin e Konomit lidhur me figurat shqiptare, influencën e tyre në botë, arsyen e botimit të këtij libri e shumëçka tjetër, që do t’i gjeni ekskluzive në intervistën e mëposhtme.

Si lindi ideja për shkrimin e një libri të tillë?

Mendimi për të, më lindi krejt papritur tek gjendesha në një udhëtim të gjatë në Brazil, verën e fundit. I pasionuar pas njohjes së botës dhe udhëtimeve gjeografike, kisha arritur të bëja realitet një ëndërr të jetës sime; një udhëtim në lumin e Amazonës dhe eksplorimin e xhunglës së famshme, e cila ka ushqyer dhe zhvilluar fantazinë time, qysh kur isha fëmijë. Isha pajisur si gjithmonë me libra me vete, të cilat i konsideroj të nevojshëm, sidomos kur udhëton i vetëm, në vende të largëta dhe të panjohura duke të bërë shoqërinë më të mirë, për të komunikuar me vetveten dhe për të kaluar orët e gjata të udhëtimit.
Gjendesha prej një jave në tragetin që lundronte në lumin e Amazonës dhe kuptova se librat e marrë më vete, ishin biografi të personazheve të shquar të botës. E teksa magjepsesha me leximin, ndjeja keqardhje, pse e kisha të pamundur t’i tregoja dikujt tjetër për ato çfarë lexoja, ashtu si bëj normalisht në jetën e zakonshme, kur lexoj diçka, që më lë shumë mbresa. Kur nuk e ndaj këtë kënaqësi me dikë, më duket se nuk kam arritur ta përvetësoj edhe vetë ngjarjen, personazhin apo historinë letrare. Kështu, në një bllok ku shënoja të dhëna për udhëtimin apo ato çfarë më nevojiteshin për destinacionet që do të shkoja, hidhja edhe të dhëna mbi jetën e personazhit që lexoja, si dhe shprehje apo citime të tij.
Duke u hedhur një sy këtyre shënimeve më lindi ideja se, mund të shkruaja diçka të përmbledhur mbi ato jetë që më shtangnin, më mrekullonin dhe më marrosnin me jashtëzakonshmërinë e tyre, vulosur mes dehjes së suksesit të arritur dhe thellësisë së dhimbjes së provuar, mes mundimeve të paepura dhe ambicieve të arritura, mes zellit me përkushtim mbinjerëzor dhe talentit të rrallë mbinatyror, mes tragjedisë dhe lavdisë për të krijuar një legjendë jete të vërtetë.

Pse zgjodhët personazhe të tillë si protagonistë të librit tuaj? Jeni bazuar diku apo janë thjesht figurat më influencuese në jetën personale?
Për librin, vendosa të bëj një përzgjedhje krejt rastësore, personalisht timen, midis personazheve, jetën private dhe publike të të cilëve, duhet të trajtoja në të. Dhe gjatë shkrimit të tij, nisur edhe nga moria e madhe e personazheve të rëndësishme të historisë njerëzore, disa herë ndërrova mendim duke u përpjekur të sjell tek lexuesi, një gamë sa më të larmishme profesionesh si dhe një shtrirje kohore, të palimituar.
Asgjë nga ana kronologjike apo nga ajo tematike, nuk bashkon një personazh me tjetrin, përveç dy elementëve thelbësorë: janë njerëz, të cilët kanë ndikuar rrënjësisht në shoqërinë njerëzore duke shënuar momente drastike transformimi të saj në fusha të ndryshme, si në art, shkencë, histori dhe politikë. Dhe e dyta, jam shtyrë nga fakti se, janë jetë të pabesueshme për të qenë të vërteta, ku ambicia dhe lavdia përzihen me talentin dhe gjenialitetin e tyre, prandaj edhe pse në vetvete ato janë biografi të përmbledhura, unë kam dashur t’i quaj: jetë legjendë.
Me njëra-tjetrën, në faqet e librit, këto histori jetësh, formojnë një sagë të mirëfilltë rrëfimi, ashtu si shekuj më parë u quajtën “saga” tregimet antike të popujve nordikë, të cilat rrëfenin në shekuj legjenda vikingësh dhe prijësash, historitë e të cilave nuk kanë kufizim në kohë dhe ku fundi i njërës, ia lë vendin fillimit të një historie tjetër, që brezat e mëpasshëm do të krijonin.
Kështu edhe historia që sjell te lexuesi, është një sagë e njerëzimit, nëpërmjet disa prej figurave të shumta të rëndësishme të historisë njerëzore, të rrëfyera duke pasuar njëra-tjetrën, për të mos mbaruar kurrë. Sepse, edhe figurat, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë botërore, nuk mbarojnë kurrë me një libër, ashtu si dhe nuk mund të reshtë kurrë, rrëfimi për ta.

Cili nga këto personazhe është i preferuari juaj dhe cili më pak?
Vështirë të thuhet. Përzgjedhja ime ra mbi gjashtë personazhe duke u përpjekur që ata të jenë të epokave të ndryshme të njerëzimit si dhe të eksperiencave të ndryshme duke shpresuar që interesit të lexuesit t’i ofrohet një shtrirje sa më e gjerë për të zgjuar tek ata kuriozitetin dhe mundësinë e njohjes. Por cilët Nga një personazh në tjetrin, zbulohen kështu epoka të shumta, të ndodhura në kohë të ndryshme, të cilat në tërësinë e tyre, përbëjnë një ndihmesë modeste në dëshirën e njeriut drejt njohjes dhe diturisë, përmbajnë një analizë të thjeshtë, drejtuar një publiku të gjerë, dhënë me një shpjegim lehtësisht të kuptueshëm, mbi nocione të rëndësishme, por jo të ndërlikuara, që i përkasin shkencës, pikturës, muzikës, politikës, diplomacisë dhe historisë për t’i sjellë edhe tek një njohës fillestar, qartë dhe kuptueshëm.
E të gjitha këto, duke i ndërthurur me detaje të jetës private të personazheve, me gëzimet dhe hidhërimet e tyre, nën synimin e gërshetimit të rrëfimit artistik, me koncepte të nevojshme për kulturën e pafundme të njohjes, si dhe bagazhin intelektual të lexuesit.

Nëse do të mundnit, jetën e cilit prej tyre do të dëshironit të jetonit dhe pse?

Ata të gjithë kanë jetuar një jetë të jashtëzakonshme, e denjë për t’u jetuar dhe është pikërisht ky fakt që i bashkon të gjithë. Edhe unë do të doja të kisha një jetë të jashtëzakonshme.

Në ç’mënyrë do të ndikojë ky libër në shoqërinë shqiptare?
Ku libër do t’i shërbejë etjes dhe kureshtjes së publikut botëror, për t’i njohur këta gjigantë duke mësuar më shumë për ta, për veprën dhe jetën e tyre. Ky ka qenë edhe qëllimi i dëshirës sime, kur nisa të shkruaja këtë libër. T’i sjell lexuesit shqiptar, copëza që përbëjnë pjesë të rëndësishme, të trashëgimisë njerëzore, pushtuar nga dëshira për të kënaqur një mendje kozmopolite, në kërkim të kulturës dhe të erudicionit.

Si mendoni, a ka Shqipëria personazhe ndikues për vendet e civilizuara në botë?
Do të më pëlqente të kishim.

Jemi vendi i personazheve apo personaliteteve?
Jemi vendi i zbrazëtisë ku injoranca mbizotëron dhe ndërton personalitete.

Sa korespondon ‘figura e njohur’ me ‘talentin’ dhe ‘kulturën’ në Shqipëri?
Në Shqipëri nuk ka një literaturë të pasur mbi kulturën dhe as nuk për të patur sepse tregu i vogël kufizon botimin e shumë shumë librave të ndritura dhe të mendjeve të mençura. Libri im është një përpjekje modeste për të ndihmuar në këtë drejtim.

Cili është burimi më i mirë i informacionit për ju?
Janë dokumenta dhe libra të shumtë që nuk shterrojnë së shkruari për këto personazhe. Gjithashtu një bazë e mirë janë kujtimet e personazheve që shkojnë me mijëra faqe, të cilat ndihmojnë në krijimin e profilit profesional dhe privat të tyre. Një pjesë të vogël të bibliografisë e gjeni në fund të librit.
Me një teknologji gjithnjë e më në rritje, a do të jetë i aftë njerëzimi të prodhojë një influencues aq të madh sa Churchill në politikë, një talent si Callas në art apo një mendje gjeniale si Einstein…?
Patjetër që do të prodhojë por është koha ajo që seleksionon dhe vërteton një dëshmi të tillë…për këta përsonazhe janë dashur shekuj dhe ndoshta do të duhet të kalojnë disa shekuj që të përgjigjem realisht kësaj pyetjeje.

Tags:

Home Dossier

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF