Udhëtimet e Elvanës drejt Tiranës po bëhen gjithnjë e më të shpeshta gjatë këtij viti. Dita e sotme e gjen këngëtaren të angazhuar në ‘Voice Kids’, pasi kjo fundjavë shënon edhe natën finale të këtij spektakli. E ftuara speciale për të performuar ‘live’ në skenë është pikërisht Elvana, e këtë e mësuam para disa ditësh, kur artistja bëri lajmërimin nëpërmjet një video të shkurtër.
Si çdo spektakël ‘live’, përgatitjet për mbrëmje të kësaj natyre janë edhe më të mëdha. Kërkohen prova të shumta dhe një punë parapërgatitore e madhe, për të dhënë rezultate maksimale në fund. Edhe Elvana i ka kushtuar kohën e nevojshme provave për performancën e sotme – e veshur sportive, rrethuar nga trupa e baletit, Gjata pritet të sjellë një performancë ndryshe nga se e kemi parë më herët. Një ndër këngët që do të këndojë është ‘Xheloz’, një nga të preferuarat e publikut në albumin e ri, ‘3’.
Edhe Ledioni ka publikuar pak minuta më parë një foto nga momentet e provave, ku shihet krah Elvanës. “Dhe kjo arrihet me punë, me përpjekje…”, ka shkruar moderatori me humor, ndërsa i ka kujtuar ndjekësve që mbrëmja e kësaj të premte do të ngjisë në skenën e ‘Voice Kids’ pikërisht Elvanën. Mbetet për t’u parë nëse Gjata do të këndojë ndonjë pjesë nga “off Guard’ apo jo…



















