Së fundmi, kemi dëgjuar shumë për Angela Martinin. Martesa e saj me Dragos Savulescu-n, si dhe mini-filmi i xhiruar enkas për romancën e tyre bëri bujë në mediat rozë, por duket se Angela do të jetë në fokusin e vëmendjes për një tjetër arsye. Bëhet fjalë për nisjen e një projekti të ri televiziv, që pritet të nisë shumë shpejt.
Fotografi Artan Korenica ka publikuar disa nga imazhet më të reja të modeles në profilin e tij, ku ka lajmëruar fillimin e një spektakli në Top Channel. ‘Top of the Top’ do të jetë emri që do të mbajë formati, ndërsa deri më tani nuk dihen detaje të mëtejshme. Sipas shpjegimit të Korenicës, do të ketë plot dymbëdhjetë emisione, personazhe të të cilëve do të jenë dymbëdhjetë VIP-a të ndryshëm, që jetojnë kryesisht jashtë vendit.
Fotot janë realizuar në Kaliforni, vend ku Angela po jeton aktualisht. Detaje të tjera pritet t’i mësojmë në vijim.



















