KreuCelebrity

Intervistë/ Kida: Surpriza më e bukur që më bëri fansja ime!

Uragani Kida për BORDO

Si u kthye në fenomen artisja kosovare e muzikës, cila është surpriza më e bukur që i kanë bërë fansat, raportet me kolegët dhe projektet e ardhshme të artistes

Emri i saj i vërtetë është Orhidea Latifi, por askush nuk e njihte derisa zgjodhi të prezantohej me emrin e artit Kida. Trupvogël, imcake, me forma provokuese, e mbi të gjitha me një stil unik në paraqitjet e saj, artisja nga Kosova, ka shënuar në shenjë që me daljet e saj të para në skenë. Sapo 20 vjeçarja u bë pjesë e On Records, suksesi ishte i garantuar, që me daljen e parë të këngës “Murder” dhe sot pas 4 vitesh eksperiencë, me rreth 25 krijime muzikore, ajo ka arritur të jetë në krye të klasifikimeve muzikore, por edhe ndër artistet e kuotuara më lart për koncertet e saj. Bordo e kishte të ftuar Kidën, si një ndër talentet e reja të muzikës, duke na zbuluar disa nga sekretet e fillimeve të saj, raportet me fansat dhe projektet e ardhshme…!

Kida si ishte kjo verë për ty?

Ka qenë plot me dashuri nga fansat e shumtë dhe me shumë sukses.

Si lindi pasioni për këngën dhe cilët artistë të kanë frymëzuar në vegjëli?

Që e vogël kam qenë shumë aktive me çdo gjë që kishte lidhje me artin. Ka qenë një ëndërr e imja të bëhem këngëtare dhe këtë ëndërr e arrita me një punë shumë të madhe dhe të pastër e të suksesshme.

Çfarë ndjen kur dëgjon këngët e tua një bar apo në radio?

Më pëlqen, ndihem disi më ndryshe, një ndjenjë që nuk e përshkruaj dot me fjalë.

Cili do të ishte bashkëpunimi i ëndrrave për Kidën?

Më pëlqejnë shumë këngëtarë tani dhe nuk jam e sigurt të zgjedh vetëm një sepse kam shumë.

Mund të na rrëfesh një çmenduri që kanë bërë fansat për ty?

Fansat i kam shumë të zjarrtë dhe shumë të dashur. Çdo veprim që e bëjnë për mua e vlerësoj pafundësisht, bëjnë shumë gjëra interesante dhe të veçanta. Do të veçoja një gjest shumë të bukur që ka bërë një fanse e imja nga Mitrovica, e cila kishte ditëlindjen dhe në tortën e saj kishte vënë foton time. Unë isha në studio dhe ajo erdhi surprizë bashkë me tortën, ndërkohë që më bëri dhuratë edhe një byzylyk. Ka qenë një surprizë shumë e bukur për mua, ndërkohë që ditëlindja ishte e saj. Dhurata ime ishte urimi live si dhe foto e video qe ne realizuam së bashku.

Do krijoje lidhje me një fans?

Kam shumë lidhje me zemër me fansat, por nuk i mendoj asnjëherë në atë aspekt.

Si i keni raportet me pjesëtarët e tjerë të labelit, a ka konkurrencë dhe xhelozi?

Jo asnjëherë, me të gjithë kam shumë raporte të mira dhe jam shumë suportive

Çfarë mendimi ke për Rinën, e sheh si konkurrente të fortë?

Është shumë e mirë dhe shumë e talentuar.

Si e kalon një ditë përtej muzikës?

Zakonisht pushoj dhe e kaloj kohën me njerëzit e zemrës, familjen dhe shoqërinë.

Planet e vjeshtës për Kidën cilat janë?

Po kemi shumë këngë të bukura të cilat mezi po pres me i sjellë për të gjithë ju.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF