Nga Nada Biraçi
Fotografia: Fani Aliko
Violina për të nuk ka qenë dashuri me shikim të parë, e madje në familjen e saj nuk ka asnjë muzikant. Por, Blerta Ristani (Jakova), sot violina e parë e orkestrës simfonike në RTSH, në vegjëli pati një vesh absolut në muzikë, gjë që e drejtoi atë pashmangshmërisht në Liceun Artistik, aty ku njohu, e mandej u dashurua me instrumentin fin të violinës.
Nëse sot Blerta nuk do të ishte violiniste çfarë profesioni mund të kishte tjetër?
“Sikur” për një natyrë realiste si e imja nuk është shenjë në tonalitetin tim. Si të gjithë pranoj që në ëndrrat me sy hapur shoh një Blerta që i pëlqen bota e dizajnit tekstil. E kam në vend të shplodhjes, të krijuarit me mendje, apo në letër të një dizajni veshjesh apo arredimi shtëpie. Më pëlqen bota e pëlhurave dhe me lehtësi krijoj një stil timin me çdo gjë që më rrethon. Pra nëse nuk do të kisha këtë profesion, me shumë mundësi do të isha një stiliste.
Çfarë apo kush ka influencuar në zgjedhjen tuaj për t’u bërë artiste? Pse violinën?
Violina për mua nuk ka qenë dashuri me shikim të parë. Babai im gazetar, me shumë talent në letërsi, konstatoi se përveç ngjashmërisë fizike ne kishim të përbashkëta dhe interesat artistike. Pa më imponuar fare, më serviri një mundësi që thellë-thellë e kishte kuptuar që më pëlqente – violinën. Mund të kishte qenë edhe një instrument tjetër, por jam e bindur që do të ishte përsëri një vegël me tela dhe hark.
Cila është pjesa më e bukur dhe më e vështirë e të qenit muzikante (violiniste)
Pjesa e bukur vjen gjithmonë pas asaj të vështirës. Jam e bindur që kjo vlen për të gjitha profesionet. Sot, pas 25 vitesh si violina e parë e orkestrës simfonike të RTSH, e vetmja orkestër skenike dhe me profil tërësisht klasik simfonik, mendoj se “Të bëjmë muzikë të mirë së bashku” është shkalla më e vështirë. Fazat që duhet të ndjekë një instrumentist duhet të kalojnë patjetër përmes experiences në orkestër, apo ansambleve instrumentale. Duket e vështirë kur ja shpjegon dikujt që një violinist jo vetëm luan notat që i janë vënë përpara në pult, por ai duhet të njohë, të ndjekë duke marrë pjesë shpirtërisht në të gjitha linjat muzikore të shpërndara në të gjitha istrumentat e orkestrës. Maksimumi i të bukurës është kur të gjithë instrumentistët kanë folur një gjuhë, kanë marrë frymë njësoj, janë emocionuar njëkohësisht, janë pushtuar tërësisht nga Muzika e bërë sëbashku.
Si do ta përshkruanit marrëdhënien me instrumentin tuaj?
Me violinën njihem shumë më parë sesa me njerëzit e mi të zemrës (fëmijët e bashkëshorti). Çudia është se ashtu siç ndodh me njerëzit, gjithashtu edhe me instrumentin, ‘rruga e mundimshme drejt njohjes dhe zbulimeve është e gjatë. Është një mundim i bukur kur mendon se ti sot je përpjekur me orë të tëra për të kërkuar një tingull të caktuar me violinë dhe nesër papritur, sapo vendos duart në violinë, ai tingull ka ardhur fare pa asnjë mundim. Është një mundim i bukur kur ti shkon me pushime dhe instinktivisht merr në krah violinën. Njerëzit sot ‘vdesin’ për këto lloj mundimesh. Unë jam një ndër ta.
A mund të ndani me ne eksperiencën më të bukur të karrierës?
Puna në orkestër është një lloj kompeticioni i përditshëm mes kolegësh. Çdo provë është e rëndësishme, çdo koncept është njësoj, kështu që edhe eksperiencat e bukura janë pafund, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndoshta duhet të veçoj një turne në Lisbonë, ku një grup i vogël instrumentistësh nga Shqipëria, ju bashkuan një projekti të komunitetit Europian në një produksion të operas Karmen me një kast dhe orkestër me një nivel të jashtëzakonshëm. E ndjeja veten si në qiellin e shtatë. Gjithashtu prej 10 vitesh bëj pjesë në kuartetin e harqeve të Rtsh, i vetmi kuartet me aktivitet stabël në Shqipëri.
Si e shihni ju muzikën klasike në Shqipëri së fundmi; sa interes ka tek publiku i gjerë?
Si muzikante, nuk mund të bëj indiferenten, nuk mundem të mos shoh zhvillimin dhe trendin e sotëm muzikor në Shqipëri. E bindur për vlerat estetike, artistike, psikologjike të muzikës klasike, e bindur për një muzikë ‘ushqim organik për trurin dhe shpirtin”, duhet të them se muzika klasike duhet të ishte sot së paku një nga të paktat vlera, pas të cilave duhet të kapemi fort. Shoqëria shqiptare paçka problemeve të panumërta nuk duhej të bombardohej me muzikë të tipit “heqje truri”, për veshin tim. E di që arti në përgjithësi dhe muzika klasike ka përpara fjalën ‘luks’. E di që muzika klasike nuk mund të ketë auditor të gjerë, por kur Ermonela Jaho ‘çmend botën’, papritur ne bëhemi sensibël dhe kujtohemi që këtë muzikë e kemi lënë pa salla koncertesh, pa ngrohje, pa suport. I kemi hequr shansin sa e sa artistëve në nivele shumë të larta, talente, për të mos u bërë dot artistë të mëdhenj në tokën e tyre por në dhe të huaj.
Nëse unë jam një e re që kam pasion dhe talent për një instrument; ju çfarë do të më këshillonit?
Me shumë kënaqësi shoh grupmosha të ndryshme shumë të interesuar për muzikën klasike, apo për të luajtur në një vegël muzikore. Kënaqësia më e madhe është që ky numër është në rritje sidomos tek brezi i ri. Jam e bindur që me shtimin e numrit të të rinjve që mësojnë një instrument muzikor, apo marrin njohuri mbi muzikën (dhe jo vetëm atë klasike), nesër do të kemi një të ardhme brezash që do të kenë besim tek vetvetja, do të dinë të kërkojnë në mënyrë qytetare të drejtat e tyre.
Çfarë muzike dëgjon Blerta në kohën e lirë? Cilin zhaner muzikor nuk do e dëgjoni asnjëherë, nuk ju pëlqen?
Po t’i njohësh muzikantët do të konstatosh një dukuri të lezetshme, muzikantët në kohën e lirë preferojnë të dëgjojnë qetësinë. Si profesioniste natyrisht që dëshiroj të dëgjoj një muzikë të bërë mirë, nuk ka rëndësi çfarë rryme a lloji është. Kështu përpiqem të ‘infektoj’ apo orientoj dhe familjarët, apo miqtë. Kur dëgjoj një muzikë të shkruar keq, apo që nuk thotë asgjë, që serviret në formën e një recitimi banal, bëhem e ashpër dhe argumentoj pse nuk duhet ta dëgjosh, pse është e dëmshme dhe shkatërruese për shijet estetike dhe akustike.
Ju jeni nënë e dy fëmijëve; do të donit që edhe ata të ndiqnin rrugën tuaj?
Si një nënë muzikante, së pari e ndjej veten borxhlie me fëmijët e mi, pasi qysh kur ata kanë qenë shumë të vegjël, ju është dashur të kuptojnë dhe të mësohen me idenë se ‘mami do studiojë violinën dhe duhet të mbajnë qetësi’; ‘mami ka koncert dhe duhet të pushojë’; apo ‘dëgjoni pak këtë pjesën sa e bukur është’. Por kjo ka patur edhe anën e mirë, sepse sot që janë adoleshentë, natyrisht që ndjejnë se kanë disa kredite më shumë se shokët e tyre, pasi ata njohin mirë Mozartin, Bethovenin, arrijnë të dallojnë stilin e Ravelit apo karakterin e muzikës së Shostakovich (ky i fundit është i preferuari im). Ata nuk kanë shfaqur dukshëm prirje për muzikantë profesionistë, kështu që janë mjafuar me leksione në instrumentin e pianos dhe kitarës që i ushtrojnë në kohë të lirë. Nuk kam dashur t’u imponohem duke i vënë një instrument në dorë e duke ju kërkuar të ulen më zor, ama kur shkoj në shtëpi dhe shoh që Noeli (vajza) është duke luajtur në piano me dëshirën e saj, pa i thënë njeri, lumturohem.







Parashikimi i horoskopit, 6 mars 2019



Nga Lori te Arbana: Dy shoqe, një çantë!


Horoskopi për ditën e sotme, datë 5 mars 2019







