KreuArt

Diana Çuli: Zonja e thrillerit!

Diana Çuli, shkrimtarja e vetme e letërsisë thriller në shqip, sjell një roman suspancë, personazhe dhe vende, që e bëjnë këtë libër ta doni që në faqet e para

Nga Olsi Kolami

Fotografia: Fani Aliko

Romani “Vrasje në Kryeministri” të befason me intensitetin e ngjarjeve që nisin e gëlojnë në faqet e para, e atëherë kur mendon se një histori po merr formë, ngjan sikur gjithçka fillon e zbehet, e pastaj riformëzohet mes rreshtash. Personazhet shfaqen si para një pasqyre, herë të plotë – elegantë e joshës, si Beti, e herë bëhen thuajse të padukshëm, si Alma apo Eva. Kurioziteti rritet për të zbuluar personazhet përmes një udhëtimi apo një ngjarje që pritet të ndodhë. Diana Çuli sjell një roman autentik thriller, me vende që duket sikur të kanë kaluar qindra herë parasysh, me detaje aq të theksuara sa të bëjnë pjesë të tyre, sikur je duke i vëzhguar prej së largu, me tema që nga qoshku i faqes që sapo ka kaluar duken si kronika e një lajmi që e kë parë një natë më parë në televizor, një burrë, a grua që ngjan se i kë dhënë dorën në ndonjë korridor të adminisratës. Shkrimtarja vendos të na rrëfejë gjithçka në këtë intervistë: a është 100 për qind një thriller, apo ka edhe copëca nga realiteti?

“Vrasje në kryeministri” të lë përshtypjen se po zbulon një mister politik?

Titulli ka lidhje me intrigën e romanit e cila bazohet rreth një organizate politike ndër-ballkanike e cila godet deri në sferat më të larta politike. E njëjta situatë është edhe në Bullgari,Turqi e vendet e tjera ballkanike, sepse kjo rrymë radikale godet ata liderë të cilët pengojnë qëllimin e tyre final – qëllim që lexuesi do ta zbulojë duke lexuar romanin, sepse e humbasin pastaj kureshtinë po t’ua themi ne tani.

Atentatet politike janë të njohura apo jo?

Po, dihet historikisht, që gjithnjë ka patur rryma ekstreme që kanë patur në doktrinën e tyre edhe vrasjet politike, si mënyrë për të arritur qëllimin dhe për të rrëzuar me mjete të dhunshme e jo demokratike pushtetin në fuqi. Të tillë kanë qenë anarkistët e fillim-shekullit të 20-të në Europë, Brigadat e Kuqe në Itali në vitet ‘60-‘70, etj. Pra, nuk është ndonjë gjë e padëgjuar ose e pandodhur.

Thrilleri është zbavitës për lexuesin, po sa i vështirë për një shkrimtar?

Më i vështirë sesa një roman jo thriller, sepse duhet të kesh një skemë dhe një formulë shumë logjike, e cila duhet t’i japë zgjidhje ngjarjes, por kjo zgjidhje duhet të ketë një logjikë të fortë, qoftë nga arsyet e motivet që kanë nxitur krimin, qoftë nga skema e zbërthimi të misterit. Kjo gjatë gjithë kohës të mundon sepse çdo fjali që shkruan, në biseda apo situata, duhet të jenë të lidhura me qëllimin final. Nga ana teknike duhet të mbash gjendjen pezull, në mënyrë që lexuesi të vazhdojë, të mos zbulojë gjithçka që në fillim. Ka disa vështirësi teknike dhe logjike që janë më të vështira sesa te një roman tjetër, i cili po ashtu ka vështirësitë e tij.

Ka një bazë reale romani, sepse ka detaje vendesh reale?

Realisht unë kam shkuar në të gjitha ato vende që përshkruhen në libër, sepse kam qenë pjesë e një projekti të kulturës që drejtohej nga UNESCO, “Urat e ballkanit flasin”, madje në Berat ka ardhur edhe presidentja e UNESCO, ashtu si ndodh pak a shumë në libër. Nëpërmjet këtij projekti e udhëtimesh të tjera pune, kam mundur të njoh një pjesë të madhe të Ballkanit..

Edhe udhëtimet ishin me makinë si në libër?

Po ishin realisht me makinë, sepse kishte dhe një qëllim për të njohur vendet, duke ndaluar në secilin prej tyre dhe duke krijuar miqësi. Në këtë mënyrë ne e njohëm më mirë Ballkanin. Me këtë rast unë fiksoja detaje udhëtimesh, siç ishin gjineshtrat, sushat, dëbora, krahinat e pamata që unë përshkruaj, sepse shpesh kam mbajtur shënime për udhëtimet. Pas një farë kohe filloi të më ngacmonte ideja të zhvilloja një subjekt në këtë zonë. Dhe më erdhi rasti për këtë roman. Në këtë mënyrë ngrita idenë time, e cila bazohet mbi euro-skeptizicmin, rreziqet e populizmit, mbi përjekjet e grupeve të ndryshme politike që nuk e duan, për arsye të ndryshme, integrimin e Ballkanit në Europë. Më erdhi mirë kur pashë këto ditë se si shumë intelektualë europianë kishin firmosur një deklaratë, një peticion, për mbrojtjen e Europës nga shpërbërja. Kësaj teme i bën jehonë edhe romani im, përmes një historie krimi që duhet zbuluar.

Cilat janë elementet e tjerë realë që i keni kaluar edhe në pjesën e thriller-it?

Idetë populiste dhe euroskeptike që përmenda, rreziqet që na vijnë nga to, që historia të mos përsëritet. Linja e prindërve të Betit është një fenomen i vertetë, sepse Ballkani vetë në kohën e Luftës së Ftohtë gëlonte nga shërbimet inteligjente dhe agjentët e dyfishtë. Vendet e Ballkanit, sidomos gjatë Luftës së Ftohtë ishin të mbushur me rrjeta agjenturash që për një shkrimtar janë lëndë mjaft e pasur, ndaj e kam vendosur si një dramë personale për personazhet e Betit dhe Gentit, linjë të cilët në të ardhmen do ta vazhdoj.

Mendova që do të ketë vijësimi tek skena në kalanë e Beratit, ku del ai personazhi  misterioz, si do ta vazhdoni?

Po, kam menduar që ta ndjek këtë linjë për një roman tjetër, sepse edhe disa nga personazhet, si Beti, Genti apo Adriani kanë filluar të kenë një nuhatje për të kërkuar dhe zbuluar të vërtetën për këtë linjë e cila, siç e thatë dhe ju është dytësore në roman.

Ju përfshini edhe linjën e raporteve mes ballkanasve, një serb del personazh pozitiv, pse e keni zgjedhur?

Sepse kjo është një ide reale. Të gjithë ne kur takohemi në takime të përbashkëta me kolegët tanë, nuk mendojmë nëse ai është nga një vend ‘armik’. Në këtë mënyrë dua të them se nuk janë popujt ata që sjellin urrejtjen mes njëri-tjetrit, por janë politikat e ndryshme, nacionalizmat që i fryjnë zjarrit. Sepse kur njihesh, ashtu siç ndodh në roman, personazhet e kuptojnë që nuk janë armiq, por kanë edhe të përbashkëta. Duke u njohur ndërgjegjësohesh për të evituar luftrat, por edhe për të treguar realitetin.

Gjithnjë zgjidhni emra shqiptarë tipikë për personazhet, pse?

Sepse mendoj se emrat jo-tipikë, të kërkuar, të papërdorshëm nga shiqptarët, e dëmtojnë letërsinë. Përfytyroni sikur amerikanët dhe anglezët të mos përdornin emra si Xhon apo Tom dhe të përdornin në letërsi emra që nuk i vënë banorët e këtyre vendeve. Do të ishte qesharake.

Keni shumë përshkrime të Tiranës…

Edhe pse është një thriller, unë përpiqem të sjell detaje nga jeta apo atmosfera e qyteteve tona, atje ku lëvizin personazhet, në këtë rast Tirana, në mënyrë që lexuesi ta ndiejë Tiranën. Edhe raportet në administratë, janë sterotipet që shohim përditë, një atmosferë shqiptare.

Pse një grua kryeministre?

Arsyeja e parë është që të mos ketë ndonjë keqkuptim me kryeministrat realë. Duke e vënë grua nuk ka gjasa, edhe sepse letërsia ka një sikur. Sepse e kam një dëshirë për të pasur një grua kryeministre në Shqipëri.

Beti është një femër elegante, e re, pse e përfshitë në spiunazh?

Sepse doja të thyeja skemën, por edhe sepse realisht një njeri i zakonshëm mund të ketë një forcë të madhe të  brendshme. Askush nuk e kupton në jetën e përditshme nëse një grua e bukur mund të jetë një agjente, por në vetvete këta lloj njerëzish kanë një forcë të jashtëzakonshme që e mbajnë rolin e dyfishtë në jetë. Ja vura dhe vëllain Gentin, për ta mbështetur në disa situata më të ndërlikuara, sepse e kam menduar që në fillim që mund të ishte pak e brishtë për një rol të tillë.

Ndodh që ndëprisni rrëfimin dhe ktheheni pas në kohë?

Po është historia e familjes së Betit, prindërve të zhdukur, ditaret…Këtë teknikë e përdor për të hyrë më shumë në psikologjinë e personazheve, për të hyrë më shumë në frymën e ballkanasve, por edhe për të zbutur pak situatat.

 Pse pothuajse të gjithë  personazhet kanë gjithmonë një lloj misteri?

Kjo bëhet që lexuesi të mos e zbulojë që në fillim, që t’i shkojë mendja herë tek Igli e herë tek Adriani, por edhe sepse vetë hetuesja Beti nuk i njeh të gjithë, ndaj ajo ngre dyshime herë pas here. Ajo duket e çoroditur përballë tyre; në fillim nuk kishte menduar që fijet shtriheshin përtej Shqipërisë, takimet me personazhet e tjerë e çorodisin edhe më shumë. Këto dyshime ngrihen edhe gjatë bisedave që dëgjon ajo shpesh nga personazhet qe njeh, duke e bërë romanin të jetë më misterioz dhe të mbajë të mbërthyer lexuesin.

Tema e spiunazhit duket zbavitëse, por në procesin e të shkruarës si është?

Është pak i lodhshëm sepse nuk duhet të gabosh, duhet të studiosh shumë. Fillimet janë të vështira, sepse duhet të gjesh një zgjidhje logjike. Është matematikë, sepse është një libër polifonik, nuk është një vrasje për xhelozi, ka shumë nënshtresa politike, ekonomike dhe ndërkombëtare dhe kërkon një logjikë të madhe.

A keni diçka në dorë për momentin?

Kam skemën e vazhdimit të librit të fundit dhe ndonjë libër tjetër…por janë ende në skeda e në skema.

Si është një ditë e Dianës?

Nis me një gotë çaji ose kafe. Nëse dita është e lirë ulem dhe shkruaj. Nëse nuk punoj në mëngjes zgjedh darkën. Nga ana tjetër jam e përfshirë edhe me përkthimin.

Ju ndihmon apo pengon përkthimi?

Të ndihmon sepse punon me gjuhën, zbulon fjalë dhe struktura të reja, e lëmon gjuhën, por edhe të lodh mendjen për t’u ulur dhe për të shkruar për vete. Ndaj preferoj më shumë mëngjesin për të shkruar, se jam më e freskët.

Çfarë lexoni, si i zgjidhni titujt?

Mundohem të ndjek autorët e mirë nga bota, jo në kuptimin që duhet të jenë bestseller. Autorët fitues të çmimit Nobel po ashtu, por edhe duke qenë e përditësuar me të rejat e fundit, ose edhe ndonjë autor që më sugjerojnë.

Si ju duket letërsia shqiptare sot?

Ka disa vite që letërsia jonë ka një rigjallërim. Ka disa autorë që edhe janë përkthyer në botë, ne jemi vetëm 3 milionë banorë e 3 jashtë kufinjve dhe kjo është shumë mirë. Por ka edhe shumë të rinj e të reja që shkruajnë poezi e romane dhe më vjen mirë.

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF