KreuCelebrity

Vivian Canaj, drejtësia në duart e të bukurës!

 

Olsi Kolami

Fotografia: Fani Aliko

Jeta e re përtej pasarelave e modeles, një agjenci eventesh ndryshe, një sfilatë Made in Italy në Tiranë, e së shpejti, do ta shohim drejtuese të një studioje ligjore

Ka vetëm pesë muaj që është bërë mama, por Vivian Canaj ruan ende freskinë dhe linjat e një modeleje të vërtetë. Është rikthyer sërish, por këtë herë jo më në pasarelë, por si drejtuese e një projekti të madh. Në mes të muajit të shkuar eventi i modës që solli Viviani në Tiranë tërhoqi vëmendjen e publikut, sidomos për faktin se protagonistë ishin personazhe të njohur të modës ndërkombëtare. Pas duartrokitjeve, Vivian Canaj do të ndihej e lumtur që projekti i saj i parë kishte marrë vëmendjen maksimale, pa ndjerë asnjë keqardhje që ndryshe nga herët e tjera, nuk ishte në pasarelë, por në rreshtin e parë si spektatore. Këtë herë nuk do t’i duhej të vraponte nga pasarela në prapaskenë, por duhej të shijonte gjithçka me një tjetër rol.

Ajo rrëfen për Bordo se ndihet mjaft mirë me eventin e parë që organizoi kompania e saj e eventeve Ode, një nismë të cilën nuk e pati të vështirë ta merrte. Kur vendosi të hapte kompaninë e saj të eventeve, shpjegon se nuk e kishte menduar që të ishte si gjithë të tjerat, por duke përfshirë në të edhe një sallon, për të mbyllur gjithë ciklin e një shërbimi. Nuk e fsheh që u josh nga sugjerimi që mikesha e saj Clara i bëri fillimisht për një sfilatë, ndaj nuk mund t’i rezistonte dot tundimit, kur pjesë e projektit u bë edhe Simone Maruli, stilisti i njohur për fustanet e tij elegante, i cili vitin e shkuar u shpall stilisti më i mirë. Edhe pse ishte në një fazë full time mama, pasi përkujdesja dhe lumturia që i ka dhuruar bebi e kanë rrëmbyer krejtësisht, Viviani vendosi të bënte hapin e madh. Nuk mund t’i thoshtë jo një bashkëpunimi të tillë, i cili do të afirmonte fort në treg emrin e Ode Evend & Managament. Clara per Clara, makeup artiste e njohur në Itali, me një karrierë suksesi në mediat italiane si Mediaset, Rai, Vogue Italia dhe sfilatat e Giorgio Armanit, do të ishin shtesa e parë. Nuk e mohon se teksa ka punuar për projektin e saj i cili edhe u finalizua me sukses, i është dashur t’i bëjë pjesën më të madhe të punëve përmes telefonit, i është dashur të vrapojë herë në punë, e sërish në shtëpi, për të qenë pranë të voglit të saj Christian.

Edhe pse sipari i sfilatës është mbyllur, jehona e saj vazhdon ende në media, por projektet e Vivianit nuk janë vetëm kaq. Ajo ka kristalizuar gjithçka në sallonin Clara per Clara Beauty, ku edhe siç shpjegon aty do të jetë e pranishme edhe makeup artistja e njohur italiane. Kur e pyes se në fakt kjo zgjedhje e saj nuk tingëllon aspak e çutishme për një modele të njohur si ajo, e cila ka përfaqësuar vendin tonë në evente të rëndësishme të bukurisë si Miss International, apo pjesë e fushatave të njohura të markës së njohur Valentino, bukuroshja e ka një përgjigje të sinqertë. “Përpos karrierës si modele, në projektet e mia të ardhshme është edhe hapja e një studioje ligjore, pasi jam e diplomuar për Juridik, në këtë nismë më ka mbështetur familja ime dhe e bashkëshortit”- rrëfen ajo për Bordo. Nuk ngurron të shpjegojë e të theksojë, se ndryshe nga opinioni i gabuar që shumë kanë për vajzat e bukura të modelingut, se ato janë vetëm të bukura, shumë prej tyre janë po aq inteligjente, madje edhe me profesione të vërteta, të cilat kalojnë cakun përtej pasarelës, siç mund të jemi mësuar t’i shohim.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja që Vivian, ndihet e sigurt në hapat e saj, karrierën si juriste që pret ta konkretizojë së afërmi, pa lënë pas dore edhe impenjimet me Ode Event & Managment, e cila duket se i ka dhuruar edhe emocionet e para, pak pasi është larguar nga pasarelat.

Kur e pyes për detyrën e re, atë të një mami të re, por me një pamje ende si dikur në pasarela, ajo ka një shpjegim fare të thjeshtë: Edhe gjatë shtatzënisë ajo është ushqyer shëndetshëm, ndaj nuk i është dashur të humbë kilogramë. Sigurisht që duartrokitjet dhe suksesi i fundit i sfilatës që solli në Tiranë dy personazhe BIG të modës italiane ja përkëdhelin sedrën, por nuk e mohon se ndjesinë dhe emocionet më të mëdha, ndoshta edhe më shumë sesa magjia e sfilatave dhe kopertinave dikur, tani ja ka dhuruar familja dhe djali i saj Christian.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF