KreuStil Jetese

Ekskluzive/ Agnesa Hadërgjonaj: “Jam një milimetër larg muzikës”

Intervistoi: Jolinda Levonja

Fotografia: Fani Aliko

AGNESA ECEN VETE!

Ajo mund të ecte fare mirë nën gjurmët e së ëmës, artistes Albërije Hadërgjonaj, por zgjodhi të krijonte emrin e saj. Agnesa, që dikur promovonte produktet e bukurisë, sot është organizatore e galasë “ODA” e promovon kulturën e të bukurën në një tjetër dimension. E midis dashurisë për profesionin e asaj për muzikën që i rrjedh në vena, Agnesa Hadërgjonaj është me këmbë në tokë dhe e di mirë se i duhet shumë punë për të qenë më afër ‘perfektes’.

“ODA” solli në Shqipëri emra të njohur shqiptarë e të huaj në një event që promovon kulturën dhe konsiderohet si një ndër mbrëmjet gala më të rëndësishme të fundvitit. Por Agnesa Hadërgjonaj nuk është ndalur me aq por ka guxuar të organizojë edhe evente të një natyre tjetër: masterclass-et. Ajo solli në Tiranë për herë të parë make up artistët e famshëm Ariel Tejada dhe Mario Dedivanovic duke organizuar në pak kohë e suksesshëm master class-et e tyre.

Në fillimet e tua, ti ke punuar në fushën e produkteve kozmetike. Çfarë të çoi te ODA dhe si lindi ideja e kalimit tek eventet?

Unë mundohem të mos e kontrolloj rrjedhën e jetës sime në sensin e kanalizimit e profilizimit në punë. Nëse më vjen një ide ose shoh në horizont një mundësi më lind dëshira e menjëhershme që të punoj për të e ta realizoj si projekt pavarësisht natyrës së tij, qoftë event, organizatë apo projekt. Si rrjedhojë e kësaj ishte në fakt edhe tranzicioni e sipërmarrja ime e krijimit të një eventi që do të promovonte dhe çmonte individë të arrirë, ambiciet e të cilëve i kalojnë kufijtë tanë. Sigurisht, e gjithë kjo e mbledhur bashkë me dashurinë që kam për origjininën dhe shtëpinë tonë Shqipërinë.

Kemi lënë pas vitin e dytë të ODA, si e parashikon të ardhmen e tij? A mendon do të qëndrosh në këtë linjë apo do të eksperimentosh?

ODA në vetvete është një “krijim simbiotikë”. E ardhmja e “ODËS” varet nga e ardhmja e shqiptarëve që veprojnë, krijojnë e arrijnë në karrierat profesionale. Më duhet të them se, duke qenë se ne si popull shquhemi si ambiciozë dhe punëtorë, nuk kam asnjë dyshim që shqiptarët bashkë me ODËN do të jenë vetëm në ngjitje vit pas viti. Por, duke njohur dëshirën time për të punuar në vazhdimësi e tani që ODA është strukturuar e kam më të lehtë që të merrem, krahas saj edhe me projekte të tjera njëkohësisht.

Agnesa ju keni sjellë emra të njohur shqiptarë e të huaj për ODËN, po kaq sukses patën dy Masterclass-et e make-up-it, me cilin jeni në bisedime tani?

Në fakt, jam në kontakt konstant me individë të ndryshëm që masterclass-et e tyre të mund të na shërbejnë e perfeksionojnë aftësitë në fusha të ndryshme. Por, duke qenë se jam pak supersticioze (qesh), nuk dua të flas përpara kohe dhe dua t’i bëj publikë projektet vetëm atëherë kur ndjej se çdo gjë është gati dhe e paketuar bukur ashtu siç dua unë që të jenë gjërat, në më të mirën e tyre.

Cila ka qenë vështirësia më e madhe, por momenti më kulminant?

Vështirësitë dhe momentet e bukura vijnë hap pas hapi. Normalisht pa vështirësi nuk e shijon dot as arritjen që merr më pas. Ajo që mund të them është që çdo punë që bëj e bëj me pasion dhe me shumë dashuri, dhe kjo më bën që sa herë që mbyllen projektet me sukses të bërtas për secilin nga lumturia. Unë jam shumë mirënjohese për çdo vështirësi me të cilën përballem në punën time sepse ato më shtyjnë të bëj vazhdimisht më të mirën e të jem pak më afër “perfektes” projektin e ardhshëm.

Vjen nga një familje artistësh, çfarë mendon se ke trashëguar dhe a ke provuar të këndosh?

Unë dhe motra kemi pasur fatin që të kemi një mama, e cila na ka mësuar se si të njohim veten, t’i kuptojmë pasionet dhe ëndrrat tona e t’i përvishemi punës drejt rrugës që kemi zgjedhur. Muzika është një ndër dashuritë më të pastra që kam dhe që më shoqëron në çdo moment e ndonëse kam vesh muzike, jam e intonuar dhe në ritëm të saktë- se nuk kisha si të isha ndryshe në fakt (qesh) kam zgjedhur që të bëj diçka që më duhet ta them se kam vetëm një milimetër dëshirë më shumë që ta bëj nëse e krahasoj me muzikën. E sa për duetin, nuk i dihet të ardhmes, kurrë mos thuaj kurrë thonë…. shaka (qesh)

Si është Agnesa mama? A ke ndonjë peng në rritjen e Elektrës?

Si në punë dhe në mëmësi nuk kam dëshirë të kontrolloj rrjedhën; të bëj diçka sepse e mendoj në plan afatgjatë është më mirë për Elektrën. Sigurisht që ajo ka e do e ketë gjithmonë drejtimin e mbikëqyrjen prindërore. Sa për mua, jam një mama krejt normale, i fal vajzës dashurinë më të thellë që kam, Elektra është ajo që më fal buzëqeshjen e parë e të fundit të ditës, çdo ditë. Nuk kam asnjë peng dhe falenderuese dhe e bekuar që kam Elektrën për vajzë.

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF