Stina e verës sjell shumë ndryshime: temperaturat e larta, dëshirën për pushime, lëkurën e nxirë dhe… ne na ikën oreksi! Kjo është një prej pasojave të vapës, organizmi kërkon të djegë më pak kalori!
Një nga vaktet që e pëson këtë dukuri është mëngjesi pasi në mëngjes jemi të prirur të konsumojmë diçka të shpejtë e jo të plotë edhe pse ai përbën vaktin themelor të ditës që na jep energji, sidomos për ata që merren me aktivitet fizik e sportiv.
Si t’ja bëjmë? Sekreti është që të konsumojmë një mëngjes me proteina që të jetë edhe i lehtë edhe i ushqyeshëm njëkohësisht. Ja disa shembuj që do t’ju vijnë në ndihmë për këto ditë të nxehta:
Vezë në avokado
Ndani përgjysmë një kokërr avokado dhe hiqini bërthamën e mesit. Vendoseni në tigan duke i futur një vezë në mes tek vendi i bërthamës. Mbulojeni tiganin me kapak për 2-3minuta, pak kripë e piper dhe mëngjesi juaj është gati. Ky vakt është i pasur plot me proteina.
Kos grek me fruta pylli
Nëse merreni me sporte me siguri e dini se kosi grek dallohet për përmbajtjen e një sasie të konsiderueshme proteinash, si edhe karbohidrate në nivele të arsyeshme. Kombinimi me fruta të egra pylli ose manaferra do ju freskojë dhe do të luajë rolin e një antioksidanti të mirëfilltë.
Banane dhe gjizë
Ky mëngjes kombinon proteinat me freskinë e gjizës (ose djathë fshati). Banania është e pasur me potas dhe ndikon në çlodhjen e muskujve. Prini një banane në feta dhe vendoseni në një tas me gjizë ose djathë të freskët, mund të shtoni edhe pak fruta të thata sipas dëshirës. Dita juaj do të jetë plot energji.
Salmon i tymosur dhe pjepër
Salmoni është një antioksidant i pasur me Omega 3 dhe proteina. Pjepri është një frut që parandalon të humbni lëngjet e organizmit dhe ka vitaminën B. Nëse e shoqëroni këtë pjatë me dy përbërës me pak pluhur xhenxhefili do të keni një shije më të këndshme e pikante.
Kinoa dhe luleshtrydhe
Kinoa, e pasur me fibra dhe proteina është një përbërës që në mëngjes ju siguron energji përgjatë gjithë ditës. Një mëngjes i shëndetshëm do të ishte kinoa si qull e valuar me ujin ose qumështin e kokosit ose bajames. I shoqëruar me luleshtrydhe të ndara në copa.