KreuStil Jetese

Inervistë me Arbër Hajdari-n: Të ndryshosh botën në një fundjavë!

Gjithmonë e ka trishtuar indiferentizmi i njerëzve ndaj shtresave në nevojë.Gjithçka nisi si një dëshirë për t’i ardhur në ndihmë njerëzve të varfër, nën moton: “Bamirësia nuk të varfëron!”. Duke qenë se është nga ata të rinj i cili nuk rresht së “luftuari” për idealet e tij, Arbër Hajdari, inicioi dhe themeloi fondacionin “Fundjavë ndryshe”, një nismë e cila Brenda pak kohësh e shndërroi në të riun më të dashur dhe më të njohur në vend. Tani synon ta zgjerojë këtë nismë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, për t’i bashkuar shqiptarët për një kauzë të vetme.

Arbër si ishte jeta juaj  para se të ndërmerrnit këtë iniciativë?

Që në moshë të vogël kam pasur dëshirë dhe kam qënë pjesë e grupimeve për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Jeta e një të riu që do të ndryshojë realitete të mëdha. Shqipëria nuk është se të ofron shumë alternativa, ndaj përveç shkollës preferoja të bashkohesha me nisma të ndryshme.

Çfarë ju inspiroi dhe si lindi ideja e “Fundjavë Ndryshe”?

Gjithmonë më ka trishtuar indiferentizmi i njerëzve ndaj shtresave në nevojë. Një ditë feste vendosa të kaloj drekën me disa fëmijë jetimë. Ishte pikërisht dita që mora nxitjen për të startuar misionin “Fundjavë Ndryshe”. Gjatë gjithë kohës pyesja veten: çfarë faji kanë këta fëmijë që të jetojnë në skamje. Por kisha edhe frikë, frikë përballë një realiteti shumë të vështirë ku njerëzit e kishin humbur totalisht shpresën se bamirësia do të ishte një nga zgjidhjet e varfërisë. Pas një debati të fortë me veten, vendosa ta bëj publik aktivitetin tim, i vetëm ndihesha i pafuqishëm ndaj varfërisë ekstreme në Shqipëri.

Si funksionon kjo iniciativë bamirësie, si i gjeni familjet në nevojë?

Shqiptarët janë skeptikë dhe kjo për shkak të atyre që janë marrë apo merren me bamirësi në vendin tonë. Njerëz të cilët bëjnë koktejle për bamirësi! Ndaj më duhej të mendoja diçka tjetër që t’i bindja njerëzit se qëllimi i vetëm i kësaj nisme është ti vihemi në shërbim njerëzve në nevojë. I ftova të gjithë në Facebook duke i kërkuar të merrnin ushqime dhe gjëra që nuk i përdornin më, dhe ne do ti shoqëronim në një familje në nevojë. Shumë shpejt filluan reagimet e para duke përqafuar këtë nismë. Brenda disa javësh patëm një vrull njerëzish që na besuan si urë midis tyre njerëzve në nevojë. Krijuam një ekip terreni dhe vullnetarisht të gjithë javën kërkonim familje në nevojë në të gjithëTiranën.

Cilët janë personat që ju mbështetën fillimisht? 

Pas publikimeve në rrjetet tona, miqtë ishin reagimi i parë të cilët na u bashkuan. Ermal Mamaqi ka qënë personazhi i parë i cili sapo dëgjoi, ka ardhur disa herë në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Nismë si u bashkuan edhe personazhe publikë, i keni ftuar apo ishte dëshira e tyre?

Disa personazhe publikë kanë ardhur më ftesë nga ne, ndërsa të tjerë na kanë kontakuar vetë. Kam qenë më të gjithë personazhet publikë në aktivitete dhe e them me bindje të plotë se kanë ngelur të pikëlluar, madje disa prej tyre kanë vazhduar lidhjet me familjet në nevojë edhe më pas.

Realisht shqiptarët në përgjithësi, a bëjnë bamirësi?

Shqiptarët janë një popull bamirës dhe këtë e tregon historia jonë. Në momentin e parë që e kuptojnë se ajo ç’ka dhurojnë shkon atje ku duhet, ata njerëz të japin shpirtin. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm që po bëhen pjesë e nismës tonë me aq mundësi sa kanë.

Ka pasur personazhe që e kanë refuzuar ftesën tuaj?

Nuk ka asnjë personazh që ka refuzuar, 2-3 prej tyre kanë zgjedhur që bamirësitë e tyre t’i bëjnë fshehurazi.

Si është një javë pune për ju tani që po punoni në këtë drejtim?

Kur bën bamirësi, minutat e jetës të ndëmarrin tjetër vlerë. Java kalon shumë shpejt nga fluksi i bamirësve dhe organizimit të aktiviteteve të shumta. Kujdesem shumë që çdo gjë të shkojë në vendin e duhur, familjet që gjejmë të jenë të varfërisë ekstreme.

Çfarë ndjesie ju jep bamirësia? 

Sot kam një familje të madhe, njerëz të të gjithë shtresave që më duan dhe kalojmë kohë së bashku. Bamirësia është mirësi e madhe ndaj kënaqësitë e saj janë të pafundme.

Cili ka qenë momenti më i vështirë në punën tuaj? 

Kam një moment të vështirë që e kaloj shumë shpesh. Tani jemi bërë pikë referuese për shumë media apo insitucione dhe për çdo nevojë apo siklet njoftohemi. Dhimbja me e madhe për mua është që nuk kam mundësi të ndihmoj njerëzit në të gjithë Shqipërinë. Po punojmë shumë që ta arrijmë këtë mision.

Si është për një të ri t’i mohojë vetes disa argëtime duke u angazhuar me një kauzë të tillë?

Të gjithë kemi mënyra të ndryshme argëtimi, dikush zgjedh të dalë në club, dikush të udhëtojë: unë kam zgjedhur bamirësinë. Kjo është mënyra ime e argëtimit. Mendoj se asgjë nuk ngelet në fund të ditës përveçse veprave të mira.

Këshilla juaj për të rinjtë që duan të angazhohen në projekte bamirësie? 

Një pjesë e madhe e rinisë e ka përqafuar nismën tonë dhe janë shumë të lumtur, tani më janë ndryshe. I ftoj të gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e “Fundjavës Ndryshe ” dhe ti japin jetës së tyre kuptim. Ta duam vendin tone dhe të ndajmë pak nga fati ynë. Vetëm s’mund të bëjmë asgjë, ama të gjithë bashkë ne do ja dalim me siguri.

Çfarë mund të presim në të ardhmen nga “Fundjavë Ndryshe”?

Kjo është një nismë që funksionon vullnetarisht dhe përderisa shqiptarët po i përgjigjen “Fundjavës” do ta shihni shumë shpejt në të gjithë Shqipërinë. Para 3 muajsh Komuniteti Shqiptar në Neë York hapi zyrën e “Fundjavë Ndryshe”, si urë lidhëse më familjet në nevojë. Së shpejti në Maqedoni, Kosovë, Romë, Londër, Berlin, Florida, Ohio, Boston. Ideja është të bashkojmë të gjithë shqiptarët me njëri – tjetrin kudo që jetojnë.

Besimi juaj fetar ka qenë shtysa e kësaj iniciative?

Besimi fetar është një arsye e fortë për të përballuar të gjithë lodhjen që më krijon kjo gjë. Por ndryshe nga të tjerët, besimin fetar e kam në zemër dhe nuk preferoj të flas, më pëlqen të praktikoj.

Ju ndihmon përkatësia e fesë në këtë iniciativë apo nuk keni paragjykime?

Nuk kam pasur kurrë dallime mbi fenë. Në nismën tonë kemi pasur njërëz të të gjithë feve.Fëmija në nevojë nuk do t’ja dijë për fenë, por për t’u ushqyer. Ne kemi dy “ligje” brenda familjes tonë të madhe; nuk pyesim kurrë për fenë apo bindjen politike. Për mua janë të gjithë shqiptarë dhe kush do mund të marrë pjesë në këtë iniciativë.

Intervista është botuar në revistën BORDO, në tetor të vitit 2016

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF