Zemra e Marokut, vendi që josh me kulturën dhe gastronominë, ngjyrat dhe peizazhin e paprekur
Shumë qytete të ngjallin emocione të ndryshme, por Marakeshi është nga ato që zgjon në maksimum të gjitha shqisat. Një qytet me kaq drita dhe turistë nga çdo cep i globit që vijnë këtu për të prekur një qytetërim të mbajtur ende gjallë larg nga bota moderne, pa harruar ushqimet unike plot erëza, destinacionet kulturore të mbetura gjallë pas mijëra vitesh, e bëjnë Marakeshin një pikë kaq unike për t’u vizituar.
Marakeshi është një vend plot kontraste imazhesh, ngjyrash, aromash të çuditshme dhe eksperiencash ekzotike, një destinacion ku brenda një dite mund të shijoni plazhet e mrekullueshme të Agadirit, freskinë dhe gjelbërimin e Maleve Atlas. Marakeshi është një qytet ku bluja përthyhet me perëndimet ngjyrë pjeshke, duke i dhuruar një aureolë magjike, nga sheshet plot dritë deri tek rrugicat e fshehura. Marakesh, një nga qytetet më të mëdha të Marokut, quhet ndryshe qyteti i kuq për shkak të gurit ranor me të cilin u ndërtuan ndërtesat e tij historike, duke ofruar një atmosferë ekzotike dhe magjepsëse.
Nëse do të më duhej të zgjidhja një fjalë për Marakeshin, padyshim ndër qytetet më përrallore në Marok, e duhura do të ishte gjallëria! Pavarësisht nëse kjo është vizita juaj e parë apo e 15-ta, teatrot e rrugës të Djemaa El Fna, sheshi kryesor, janë kaq unike në një qytet të mbushur me shumë lëvizje gjatë gjithë kohës.
Kudo që shikoni, asnjë emocion nuk do ta përjetoni sesi në Djemaa El Fna, sheshi kryesor i Marakeshit, ku do të mbeteni pa frymë nga ngjyrat si dhe teatri i rrugës. Ky vend duket sikur ka mbetur i pa prekur, nga koha, ku mbizotërojnë elemente të ndërtesave të shekullit të 11-të. Aty gjendet edhe tregu më i madh në qytet, plot me ngjyra dhe aroma, i cili zgjat deri në perëndimin e diellit. Kudo do të hasni muzikantë dhe kërcimtarë, fallxhorë dhe stërvites gjarprinjsh, pikturues duarsh dhe karroca që shesin lëng të freskët portokalli apo arra të pjekura. Nëpër rrugica, dyqanet e vogla shesin produkte artizanale. Unesco e shpalli Djemaa El Fna një kryevepër të trashëgimisë botërore në vitin 2001.
Mund të mos jetë pallati më i vjetër i Marakesh, por pallati Bahia është padyshim një nga vendet më të bukura të qytetit. Pallati i madh i vezirit të Marakeshit ka një sipërfaqe prej 8 hektarësh, u ndërtua në vitet 1860 dhe u zgjerua dhe zbukurua 40 vjet më pas me sallone dhe tavane të mëdha dekoruar me dru. Cour d’Honneur, ka një fasadë 1500 metra prej mermeri italian Carrara. Aty mund të vizitoni vetëm 150 dhoma, pasi pjesa tjetër madhështore përdoret për evente të rëndësishme kulturore. Ndër dhomat më interesante për të parë janë shtëpizat e 4 grave të vezirit dhe haremi simpatik, ku jetuan konkubinat e pallatit.
Stilisti francez Yves Saint Laurent e bleu Jardin Majorelle në 1984 duke ruajtur vizionin e pronarit të tij origjinal, piktorit francez Jacques Majorelle, duke e mbajtur atë të hapur për publikun. Kopshti u ndërtua në 1924 dhe përmban një mirazh të shkretëtirës psikedelike me 300 specie bimore nga pesë kontinente.
Mos harroni të vizitoni muzeun magjepsës të stilistit Yves Saint Laurent, ku tregohen koleksione të zgjedhura të veshjeve dhe aksesorëve të krijuara nga stilisti francez. Ndërtesa e krijuar nga Studio KO ngjan me pëlhurë të endur dhe ka një auditor, bibliotekë, librari, kafene dhe restorant në tarracë.
E vendosur në zemër të qytetit, si një prej ndërtesave më të larta në Marakesh: xhamia madhështore e Koutoubia mbetet një atraksion i veçantë. Hyrja në xhami është e ndaluar për jo-muslimanët, por ia vlen të afroheni për të admiruar dekorimet e jashtme të minareve, ose të uleni në kopshtet e jashtme mes pemëve me aromë portokalli dhe të prisni që muezini të fillojë thirrjen e namazit të mbrëmjes.
Muzeu i Marakeshit është vendosur në një ndërtesë e mrekullueshme: këtu gjithçka është e mbuluar me mozaikë të shkëlqyeshëm, dyert janë gdhendur në mënyrë të përsosur, ndërsa brenda mund të shikoni koleksionet e shtëpive berbere, mes tyre edhe bizhuteritë. Ajo që spikat në oborrin e shtëpisë është një llambadar mbresëlënës prej bronzi, i cili peshon më shumë se një kuintal.
Shkretëtira Agafay ndryshe Pushimi, siç nënkuptohet nga emri është një vend për t’u shkëputur nga bota reale. Aty ju do të gjeni një ekuilibër mes natyrës dhe banesave të bukura pa Wi-Fi. Gjendet 45-minuta nga Marakeshi, e më pas mund të udhëtoni me deve. Pamja më mahnitëse është perëndimi i diellit. Kujdes! Në shkretëtirë vishni këpucë dhe merrni me vete një xhaketë, pasi bien dukshëm temperaturat gjatë natës.
Hotele
Qyteti ka mbi 1 mijë hotele, por El Fenn është një hotel shumë i bukur. Gjendet 10 minuta larg qendrës së qytetit, me një arkitekturë tipike vendase, verandë të bukur prej nga mund të kundroni gjithë pamjen magjepsëse të Marakeshit. Ka një stil bashkëkohor, dhoma me llamba dhe tavolina me stil Mesjetar, por ama bie në sy kopshti i mbushur me gjelbërim, një shatërvan në qendër si dhe një pishinë tejet intime.
Kafene
Ky qytet ka padyshim një kulturë kafeneje tejet të lashtë, ndoshta sepse shumica e takimeve nga ato të punës, deri tek ato intime mbahen në kafene. Mund të provoni Cafe Extrablatt me një oborr tipik spanjoll të shkëlqyeshëm dhe menu mesdhetare. Ose provoni Cafe Bistro Laksour, e cila ndodhet në një lagje të këndshme, ndërsa Extrablatt edhe pse shumë e vogël, është kaq e ngrohtë dhe mikpritëse.
Restorante
Al Fassia drejtohet nga gratë dhe shërben ushqim tradicional, njëlloj si ai që gatuhet në shtëpi. Mund të porositni kuskus, tagina ose meçoui. Nomad ndodhet në zonën e vjetër të qytetit, me një tarracë prej nga mund të shihni vargmalet Atlas. Ushqimi është shumë bashkëkohor nga gazpacho maroken tek sardelet e thekura dhe qengji me erëza. Restorant Amal është një vilë e viteve ’30 ku ofrohet ushqim vegjetarian.
Hamame
Përvoja më e veçantë që duhet të provoni në Marok, janë hamamet, ku mund të provoni banjat me avull dhe baltrat e rralla me veti kurative, ku një prej më të famshmeve është Mouassine, por edhe mund të provoni shumë të tjera që janë publike dhe mund të gjeni me çmime të favorshme. Mos humbisni eksperiencën që ofron hamami mbretëror, me një stil të pa tjetërsueshëm që nga krijimi i tij në vitet 1800.



Vdes Zyrtari iranian nga Coronavirus!

Rasti i parë me koronavirus konfirmohet në NYC!


Ballë për ballë: Monika Lubonja & Tea!

Horoskopi ditor, e Hënë 2 Mars 2020









Java e Modës: Fashionistët zbarkojnë në Paris!



