“Nga Olsi Kolami/ Foto: Anjeza Dyrmishi”
Aktorja Monika Lubonja dhe e bija Tea Pasko në pasqyrën e të vërtetës. Zbuloni disa detaje krejt të panjohura për njëra – tjetrën që vetëm ato ja njohin secilës dhe disa sekrete që nuk i kishit dëgjuar më parë…
Raporti nënë e bijë është kaq unik, i bukur, por shpesh edhe i rrethuar me pikëpyetje të mëdha, sidomos kur takon dy personazhe si Monika dhe Tea. Përveç ADN-së që i lidh pazgjithshmërisht, ato kanë shumë pika ku nuk puqen, kjo sepse kanë profesione krejt të ndryshme: e ëma aktore dhe e bija ekonomiste. Monika rrëfen pasionet dhe kauzat e së bijës, ndërsa Tea zbulon disa sekrete të së ëmës. Në këtë rrëfim zbulon se ato kanë disa parime që i duan njësoj, po ashtu një vend ku ndihen gjithmonë të lumtura.
Monika aktore, Tea ekonomiste, ku takoheni dhe ndaheni?
Unë dhe Tea nuk bashkohemi asgjëkund. Tea është ekonomiste, unë artiste. Jemi pole të kundërta me njëra – tjetrën, jemi shumë larg. Aq të kundërta sa mos e diskutojmë fare si temë. Ajo si ekonomiste është shumë e kursyer, i diskuton gjërat dhe është më e prerë, më e kontrolluar. Unë nuk bashkohem në këto pika edhe vetë si natyrë, përpos profesionit që kam, nuk i shoh gjërat me imtësi sepse nuk dalin asnjëherë po i pe me sy kaq strikt.
Monika: si do ta përkufizoje Tean si vajzën tënde?
Tea është fati im, është dielli që më ngroh pafund, është një vajzë që ja ka dalë vetë në jetë, që e vogël ka studiuar dhe ka kërkuar shumë nga jeta. Ardhja e saj është fat, të gjithë do dëshironin ta kishin afër.
Tea: si do ta përkufizoje Monikën si mama?
Guximtare dhe e fortë!
Monika, cila është pika më e dobët e njëra-tjetrës?
Pika ime e dobët është dobësia për Tean dhe çdo gjë që ajo kërkon unë ja plotësoj, Tea nuk është nga ato që të plotëson menjëherë dëshirat.
Po pika juaj më e fortë?
Besnikëria dhe dashuria që kemi për njerëzit janë karakteristikat e përbashkëta. Jemi shumë besnike.
Çfarë librash lexon Tea, po Monika?
Monika – Më pëlqen të lexoj libra romantikë, pra unë ngelem gjithmonë te librat si “Harku i Triumfit” apo “Tre shokët”, janë libra që i rikthehem pa fund. I dashuroj këto stile librash. “Ana Karenina”, janë libra që kanë ndjenjë, një lloj të shkruare të bukur në mënyrën si përshkruan natyrën, dashurinë, njerëzit. Ndoshta prandaj kam ngelur te kjo gjë, jam emotive
Tea – Si pasojë e profesionit që ushtroj në një ambient të huaj dhe nevojës për të zhvilluar gjithmonë e më shume fjalorin profesional, kam tre vite që lexoj vetëm business books.
Për çfarë shpenzon më shumë Tea, po Monika?
Monika – Tea shpenzon shumë për të udhëtuar, ka shumë dëshirë të udhëtojë dhe e ka të vështirë të blejë veshje. Shpenzon edhe për parfume.
Tea – Monika për rroba, ndërsa unë më shumë për udhëtime.
Cili është tipari i përbashkët që e keni të dyja, ose nuk e keni?
Monika – Tipari i përbashkët është karakteri, një nga pikat e forta që e kemi të dyja.
Tea – Mendoj se tipari i përbashkët është sinqeriteti dhe impulsiviteti!
Tea cili është roli më i bukur i Monikës?
Roli më i bukur, ai që ka pasur në “Rini dhe çmenduri”
Monika si e ke pritur vendimin që Tea nuk u bë aktore?
Edhe 1000 jetë të kisha do luftoja që Tea mos merrej me art, sidomos me artin që është në Shqipëri, sidomos në këto kohë kam shumë pikëpyetje për artin në përgjithësi. Jam e lumtur që ka gjetur veten dhe ka zgjedhur të studiojë Informatikë Ekonomike në Gjermani, ku ajo punon në një nga kompanitë më të rëndësishme. Tea ka shkuar atje ku do të prodhonte më shumë. Jam me fat që nuk u bë artiste.
Jeni larg njëra – tjetrës, për çfarë ju merr malli më shumë?
Monika – Malli të merr kur je mësuar të rrish me të, dhe tani që nuk e kam këtu kam një boshllëk kur vjen nata, isha mësuar që flisnim si shoqet me njëra – tjetrën. Besoj i mungon dhe Teas. Është diçka që më mungon dhe nuk e di si do zëvendësohet. Më merr malli për zërin, më merr malli për sytë, më merr malli për këshillat e saj, më merr malli për gjithçka, dua të ndjej erën e saj.
Tea – Më merr malli më shumë për faktin që nuk kam pranë personin tim më të dashur.
Hera e fundit kur i keni bërë dhuratë njëra-tjetrës?
Monika – Herën e fundit i bëra dhuratë setin fotografik për ditëlindje. Ne bëjmë gjithmonë dhurata për njëra – tjetrën edhe për vit të ri, dhuratat tona janë të shpeshta, edhe kur jemi mirë ekonomikisht. Jam nga ato që i kërkoj dhe Teas të më blejë diçka, por Tea si ekonomiste është kurnace në këtë pikë.
Tea – Kemi kohë që nuk i kemi bërë dhurata të mirëfilltë njëra – tjetrës.
Hera e fundit kur keni dalë të dyja për të bërë shopping dhe çfarë bletë?
Monika – Kur dalim bashkë për të bërë shopping ndryshojmë shumë sepse Tea mendohet 1000 herë për të blerë diçka, unë me vështrimin e parë vendos. Tea nuk hidhet menjëherë, e provon, e shikon dhe njëherë nesër ose pasnesër. Ndërsa unë po të kaloj nesër ose pasnesër zëre se e kam blerë, e kam veshur, e kam mbaruar krejt këtë gjë.
Tea – Në Dhjetor dolëm për shopping, por nuk ju mbush mendja për të blerë asgjë.
Si reagon Tea kur të sheh të trishtuar?
Unë do t’i kërkoja falje Teas se shumë herë më ka parë të trishtuar. Kam pasur fat sepse ajo më ka kuptuar. Më kupton kur unë kaloj ato tallazet e mia në jetë që ndonjëherë është shumë problematike për mirë, duhet t’i shikoj gjërat drejt, janë sikletet që unë heq dhe Tea është një kritike shumë e fortë, nuk i pranon shumë rebelizmat e mia. “O ma përmbahu pak se nuk është bota kështu siç mendon ti”, por un nuk dua t’ja di.
A ka një vend ku do të shkonit gjithmonë bashkë, cili është dhe pse?
Monika – Vendi që duam të jemi bashkë është deti. Të dyja duam të bëjmë pushime në det. Të dyja e adhurojmë detin dhe plazhin.
Tea – Bregdeti i Jugut. Çdo kujtim të verës në Jug e lidh me Monikën, traditë verore e nisur që kur isha 2 vjeç.
Çfarë e bën Monikën të qeshë, po Tean?
Monika – Tea nuk më lë shkas të qesh me të. Vetëm unë qesh me të kur bëjmë shopping sepse ajo çdo gjë e merr me kaq seriozitet edhe për t’u veshur edhe për të dalë për kafe. Kur ajo është shumë strikte më bën herë pas here të qesh. Ka raste që mburr veten dhe më kap një e qeshur pafund.
Tea – Kur jemi bashkë vetëm qeshim, por mund të them që ajo që e bën për të qarë është kur më sheh që kam kthyer disa gota më shumë se sa duhet (qesh).
Tea çfarë mendon se ke trashëguar nga mamaja, çfare do të doje nga Monika Mama?
Guximin dhe mendjen e hapur që e karakterizon.
Tea a të ka munguar mamaja kur ka qenë në shfaqje?
Jo pasi kam pasur dy gjyshër të mrekullueshëm të cilët kanë qenë tërë kohës pranë meje.
Cila eshte kauza qe ju bashkon dhe ajo qe ju ndan?
Monika – Ne kemi vetëm një kauzë: të jemi të mira me njerëzit që na duan, t’i respektojmë, t’ju jemi sa më pranë, të bëjmë gjëra sa më të mira për jetët tona dhe shoqërinë tonë. Mos lëndojmë njeri! Kjo pikë është njësoj për të dyja. Është kauza jonë. Ne kemi ardhur në këtë jetë për të bërë mirë. Nuk dua asnjëherë të lëndoj apo t’i bëj keq njeriu.
Tea – Të jesh e pavarur është një nga elementet kryesorë që kam mësuar prej mamit. Kauza që na ndan, pasioni kur shndërrohet në sakrificë të vetvetes…!
Tea, çfarë do të doje të ndryshoje te Monika?
Kokëfortësinë! Monika është shumë kokëfortë.
A keni një nickname që i thërret Monikës?
Ha,ha, nuk ka ndonjë nickname të mirëfilltë përveç disa ledhatimeve që i bëja sa herë që kisha nevojë për të blerë diçka apo për të marrë leje në ndonjë ekskursion! Jo se tani kemi ndryshuar taktikë, po këto situata janë rralluar (qesh)
Cila prej jush i tregon më shumë sekrete njëra-tjetrës?
Monika – Sekretet më shumë i tregoj unë, Tea si ekonomiste e ka të vështirë të tregojë. Unë i tregoj direkt sekretet e mia dhe ndonjë gjë të papritur që më ndodh.
Tea – Në përgjithësi nuk mbajmë sekrete, por pavarësia është principi kryesor për të dyja. Ne kemi besim të plotë në ato që bëjmë, edhe në rast se gabojmë, e kujt i bëhet vonë, jemi të dyja të rritura…!
Cili është mesazhi që keni për secilën?
Monika – Tea ti je dashuria ime, je dielli im, je ajri im, je ekzistenca ime. Të dua fort!
Tea – Ndërro ngjyrën e flokëve të lutem (shaka). Të dua shumë!
________
Botuar në Revistën Bordo, shkurt-mars 2020

Horoskopi ditor, e Hënë 2 Mars 2020









Java e Modës: Fashionistët zbarkojnë në Paris!









