KreuFashion

Evis Cerga për Maks Velon: Për ta kujtuar qytetit i ka mbetur ende një pallat!

Nga Evis Cerga

Më mbeti pishman…
Më vjen keq që nuk i fola asnjëherë, ndonëse kisha aq shumë dëshirë ta bëja. Madje një herë mora me vete në shëtitje nga parku i Liqenit edhe librin e tij “Klubi Karavasta”, që ai të më hidhte një firmë e ta kisha kujtim. Më mbeti pishman.
E shihja nga parku dhe mendoja “sa vital ky burrë që ka kaluar në lloj-lloj peripecish nga ato të vërtetat dhe jo të sajuarat”. Më entuziasmonte energjia e tij. Vështrimi i tij në vecanti. Dhe thosha, “herës tjetër do të marr librin të ma firmosë“.
E kam parë shpesh në ish Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve. Nuk mungonte kurrë në rreshtin e parë, me një vend gati-gati të posacëm për të në cdo shfaqje. Me vete mendoja, “sa vital ky njeri. Herës tjetër do ta marr librin me vete dhe t’ia jap të ma firmosë“.
Librin nuk ia dhashë asnjëherë. Madje edhe kur e kisha me vete. Gjithmonë kisha droje. Sepse nuk e njihja. Ndonëse na kishte qëlluar shpesh të kryqëzonim vështrimet.
Nuk e kam njohur nga afër Maks Velon. Madje dhe nga larg, vonë e kam njohur. Por nuk e di përse kam dashur gjithmonë ta njihja, dhe ndoshta më mbeti pak “pishman” ikja e tij, “e cuditshme” në ditët ndoshta më të cuditshme, në mungesë të ndonjë epiteti tjetër, që po jetojmë.
Më vjen keq që nuk më mbeti qoftë edhe një firmë prej tij, si kujtim. Ndonëse për ta kujtuar qytetit i ka mbetur ende një pallat.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF