Tashmë Fjodora Fjora ka vendosur ta prezantojë publikisht të birin, Alteon: e nisi pak ditë më parë me pjesëmarrjen në një sfilatë, dhe tani e mori me vete edhe tek “Rudina” në Tv Klan.
Për shumë vite, gazetarja e ka mbajtur me fanatizëm djalin e saj të adoptuar larg vëmendjes mediatike. Por, tani, dicka ka ndryshuar, dhe këtë ajo e shpjegoi vetë në emision. “Historinë time me Teon e kam treguar për herë të parë këtu tek ti (Rudina) dhe ka qenë sigurisht një histori që ka qenë shumë në vëmendje të mediave. Teo po rritet, shumë shpejt do të jetë në gjendje të hapë vetë faqet e internetit, të kërkojë në Google dhe të shohë si ka qenë jeta e tij, çfarë ndodh rreth mamit të tij dhe rreth vetes së tij. E pashë që ishte e pamundur, edhe pse unë jam përpjekur shumë që Teon gjatë gjithë kësaj kohe përpiqem ta ekspozoj sa më pak, sepse ka qenë i vogël. Por e shihja që kurioziteti i njerëzve ishte shumë i madh dhe në momentin e parë që kapnin qoftë edhe diçka, ai lajm apo ajo fotografi transformohej dhe reagimi më pas i njerëzve ishte shumë i madh. Gati-gati filloi të më shqetësonte kjo gjë. Teo tani do të shkojë në klasë të parë, i merr vendimet vetë. Unë e pyeta nëse ka dëshirë të sfilojë me mua dhe ai tha ‘po, unë dua të sfidoj me ty, unë kam dëshirë ta bëj këtë gjë’. Mendova që ishte momenti i duhur për të bërë këtë përballje publike të dy së bashku dhe për të thënë që ne jemi shumë mirë, shumë të lumtur. Nuk kemi më pse të përbëjmë lajm. Jam një mama me djalin e saj, si 1 miliard mama të tjera në të gjithë botën, të cilat përpiqen, herë pas here ia dalin, herë pas here është e vështirë, herë pas herë është sfidë, por edhe lumturi e madhe që buron nga të gjitha këto”, – u shpreh ajo.