Aneta Rama nëna e kryeministrit Edi Rama u nda nga jeta mëngjesin e së shtunës (1 gusht) në moshën 82 vjeçare. Prej javësh e ndjera ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa mëngjesin e 1 gushtit mbylli sytë përgjithmonë.
I pikëlluar për humbjen e të ëmës, kryeministri Rama ka bërë mbrëmjen e kaluar një dedikim tejet prekës, për ‘yllin e shtëpisë, dritën e së cilës nuk e konkuron dot as dielli’ siç e quan kryeministri nënën e tij.
“Mund të derdhësh lot pse iku
Ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi
Mund të mbyllësh sytë e të lutesh që të kthehet
Ose mund t’i hapësh e të shohësh gjithçka të ka lënë
Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më
Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me të
Mund t’ia kthesh shpinën të nesërmes dhe jetosh në të djeshmen
Ose mund të jesh i gëzuar me të nesërmen për çka ishte e djeshmja me të
Mund ta kujtosh atë vetëm për ikjen e saj
Ose mund të kujdesesh për kujtimin e saj që ajo të jetojë në të
Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota
Ose mund të bësh atë që nëna do të donte:
Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara…
***Edhe në emër të familjes sonë lejomëni t’ju falenderoj përulësisht, për praninë tuaj të paçmueshme përmes mesazheve të pafundme e luleve të panumërta, që disi e lehtësuan peshën ndrydhëse të boshllëkut tonë të pangushëllueshëm.
Duke ju kërkuar një ndjesë të thellë për të qenit i pamundur t’ju përgjigjem, ju uroj me shpirt të gjithë atyre që jetojnë me këtë boshllëk, të rrojnë sa më gjatë që ta kujtojnë nënën e tyre dhe të tjerëve që kanë fatin ta kenë pranë yllin e shtëpisë, t’i kenë nënat sa malet dhe t’i gëzohen sa më shumë dritës së tyre, të pakonkurrueshme as nga dielli e nga vetë yjet e qiellit”; shkruan Rama përbri një foto të vjetër shkrepur më shumë se 5 dekada më parë kur Edi ishte një fëmijë i vogël, në krahët e mami Anetës.
Aneta Rama ishte me profesion stomaloge, e vlerësuar edhe me titullin “Nderi i stomatologjisë shqiptare” nga Urdhri i Stomatologëve Shqiptarë në prill të vitit 2018, çmim të cilin e tërhoqi kryeministri sepse Aneta nuk mundi të ishte e pranishme, për shkak të gjendjes shëndetësore.