Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, deklaroi se është zbuluar një variant i ri i koronavirusit, që po përhapet më shpejt në disa pjesë të Anglisë. Ai tha se së paku 60 autoritete të ndryshme lokale kanë regjistruar infeksione me koronavirus, të shkaktuar nga varianti i ri, raporton BBC.
Hancock tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë është njoftuar dhe se shkencëtarët britanikë janë duke kryer studime më të detajuara. “Ne kemi identifikuar aktualisht mbi 1,000 raste me këtë variant, kryesisht në jug të Anglisë”, u shpreh ministri para Parlamentit britanik.
Agjencitë e tjera të lajmeve, si Reuters dhe AP, raportojnë se Anglia përballet me masa më të rrepta kufizuese, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus, që pjesërisht mund të lidhen me variantin e ri të tij. Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në Europë. Mbi 64,000 njerëz kanë vdekur atje, ndërsa mbi 1.8 milion janë infektuar në total.



















