Të ndryshosh kursin e jetës nuk është një vendim, që mund të bëhet hap e mbyll sytë. Të duhet kurajë, vendosmëri dhe mbi të gjitha vizion.
Rezarta Koçi, apo siç e njohin të gjithë Rezi, në prag të 40-ave, me një karrierë te konsoliduar në fushën e noterisë, prej mbi një viti i është përkushtuar aktiviteteve në mbështetje të gruas. Iniciativa bamirësie, sipërmarrje jo mediatike, aktivitete nga më të ndryshmet, ishin hapat e parë drejt themelimit të Klubit të noterëve.
Rezi, sapo keni prezantuar “Global Woman Evening”, të cilin e drejtoni ju. Si shkoi ceremonia e hapjes?
Më shumë sesa një ceremoni, mund të them që ishte një takim miqësor mes mikeshash. Një natë magjike, ku u bënë bashkë elita e këtij vendi, për të bërë miq të rinj, për të ndarë eksperienca dhe ide. Më vjen mirë që pashë shumë figura të njohura, që ndamë bashkë rrugëtimin e tyre në karrierë. Tiranës i mungojnë të tilla takime dhe ndjehem e nderuar që kam mundësinë të bëhem pjesë e bashkimit të njerëzve të mëdhenj.
Çfarë qëllimi ka club-i?
Siç thotë edhe Mirela Sula, themeluesja e “Global Woman”: “Nëse do të fuqizosh një grua, jepi asaj një mikrofon”. Ky është qëllimi ynë, të fuqizojmë gratë, t’i japim atyre zë, mundësi, hapësira, ide për të kapur dimensione të reja. Nuk ka rëndësi se në cilin stad të jetës je, nuk ka rëndësi nga cila fushë vjen, nëse kërkon më shumë, nëse mendon se meriton më shumë, “Global Woman” është platforma e duhur.
Çfare synon të arrish përmes tij?
Nëse flasim për synime, mund të them që padyshim është fuqizimi i gruas në shoqërinë tonë. Siç e dimë, vijmë nga një shoqëri patriarkale, natyrisht gjërat kanë ndryshuar, por ende ka vend për më mirë. Dua të shoh sa më shumë gra që rimëkëmben, gra që arrijnë më shumë, gra që gjejnë veten. Dhe natyrisht që këto nuk janë vetëm fjalë motivuese, pasi ne tentojmë çdo ditë t’i vëmë në zbatim me të gjithë mekanizmat tanë.
Cilat janë problematikat që vini re në fushën e noterisë?
Nuk mund t’i quaj problematika, sepse noteri është pikërisht aty për t’i zgjidhur ato. Mund të them që ligjet në Shqipëri kanë disa mangësira apo “ngatërresa” që shpesh shndërrohen në probleme edhe për noterët. Kjo pastaj është sfida e një profesionisti, që të dijë sesi t’i zgjidhë ato pa dëmtuar palët. Diçka që doja të shtoja është padyshim marrëdhënia me publikun. Shpesh noterët, si njerëz të veshur me dije në fushën e tyre flasin me terma juridike, duke ia ndërlikuar pak edhe personit që kemi përballë, ndaj unë personalisht përpiqem të jem sa më e qartë edhe për ata që me të drejtë jo të gjithë ligjet i njohin. Nuk dua të hyj në detaje rreth çështjeve që trajtoj, sepse problematikat janë të ndryshme dhe dinamike, por do të veçoja problemet e pronave, një plagë për shoqërinë tonë. Më vjen keq që edhe sot në 2020, vijojmë ende në të tilla konflikte dhe në të tilla probleme për pronën. Besoj se për këtë, duhet më shumë sesa një noter që ta zgjidhë.
Përtej noterisë, ju keni dhënë kontribut edhe në iniciativa bamirësie. Sa e rëndsishme është për ju bamirësia?
Duket se tani e kanë zbuluar të gjithë Rezin që fshihet poshtë kostumit zyrtar. Rezin që është shumë e ndjeshme për ata që kanë nevojë. Kam zgjedhur të bëj bamirësi për të qenë më pranë atyre në nevojë. Natyrisht unë nuk ua plotësoj dot të gjitha, ndaj dhe kam zgjedhur të bashkoj më shumë njerëz si unë për të qenë një mbështetje për ta. Është e vështirë, sepse Shqipëria është një vend që vonë e ka përqafuar bamirësinë, por më besoni kam takuar njerëz të mëdhenj që dhurojnë pa fund. Më lejoni të them që ndjesinë që të jep kur ti ndihmon dikë, asgjë tjetër s’ta dhuron. Mendoj se më lumturon më shumë mua, sesa atyre që i dhuroj.
Të jesh një grua e angazhuar është jo pak e lehtë. Hasni më shumë konkurrencë me gratë, në këtë drejtim, apo me burrat?
Gjithnjë kjo fjala konkurrencë ka një konotacion disi negativ. Mendoj që konkurrenca është të jesh ambicioze dhe kjo është shumë e vlefshme jo vetëm për karrierën, por edhe për të përditshmen. Të jesh një grua e angazhuar është sfiduese, mendoj që “gara” më e madhe bëhet brenda llojit, por për fat deri më sot kam njohur kolegë dhe bashkëpunëtorë të mrekullueshëm dhe nuk e kam ndjerë kurrë atë konkurrencën për të cilën ju më pyetët.
Teksa vjen fundviti, të gjithë bëjnë një balancë për atë që ka kaluar. Si ka qenë ky vit për ju?
Ky vit ka qenë si për të gjithë njerëzit besoj, i vështirë. Nëse vitet e tjera do të vija në peshore arritjet e mia, titujt, risitë, karrierën, këtë vit bilancin e nis nga shëndeti. Ndjehem e bekuar që familja ime, miqtë e mi kanë shëndet. Natyrisht nuk kam sesi mos të lë pa përmendur edhe “Global Woman Evening”. Është një sipërmarrje që i kam dhënë shpirtin dhe besoj se frytet do të duken së shpejti. Veç karrierës, këtë vit kam patur mundësinë të jem më pranë femrave, më pranë njerëzve në nevojë, çfarë mund të ketë më shumë rëndësi se kaq?!
E quani veten një grua të arrirë? Cilat janë synimet që keni për veten tuaj?
E arrirë është ajo grua që ka një familje të lumtur, një punë që e dashuron dhe një emër të mirë në shoqërinë e saj. Në këtë aspekt jam jo vetëm e arrirë, por modestisht ju them se jam e bekuar. Sa i përket karrierës më vjen mirë që kam bërë hapa kaq të mëdha në një kohë të shkurtër. Nuk hyj tek njerëzit që nxitohem në veprime apo investime, por hyj tek njerëzit që i besoj fort asaj që bëj dhe i besoj fort dijes sime. Në fakt jam në atë stad të jetës që synimet i ndaj me periudha të jetës. Jam ende në fazën që do vazhdoj lart me karrierën time, duke qenë se është edhe një fushë që të jep mundësi të pafundme. Më pas “Global Woman Evening” është një tjetër synim që i kam vënë vetes. Dua që ta shndërroj në një pasqyrë për çdo grua. Dua që çdo femër të gjejë një copëz të vetes aty, të rrugëtimit të saj. Kam pafund ide dhe risi për të sjellë, por besoj se kjo do të na mbetet për një tjetër intervistë (Qesh)