KreuCelebrity

Eugena Tomini, gruaja që dhuroi jetë

Eugena Tomini, gruaja që vetëm me një buzëqeshje, mbajti ndezur për thuajse një vit shpresën tek shqiptarët përmes daljeve të saj publike, jo thjesht duke raportuar, por duke lehtësuar shpirtrat e trembur nga frika e virusit Covid-19 

Daljet e përditshme në ekran të Eugena Tomini, gjatë këtyre 11 muajve të fundit, kanë qenë gjithmonë një lehtësim për shpirtrat e turbulluar të shqiptarëve. Elegante dhe delikate, përmes zërit të saj ndihej një grimë dridhje teksa mes shifrash rrekej të na tregonte çdo ditë mësymjet e Covid-19, e në fund, me një buzëqeshje të dlirë, nuk ngurronte të na këshillonte për distancim social. Eugena Tomini, për herë të pare pas pas 11 muajsh nga momenti i shpalljes së Pandemisë Botërore rrëfen sesi e përjetoi këtë periudhë në frontin e zjarrit, larg familjes së saj, emocionet drithëruese për mungesën e pranisë së saj ndaj fëmijëve, bashkëshortit. “Kjo pandemi na sfidoi shumë, dhe profesionalisht na ka rritur, por kam qenë larg përkushtimit të një nëne ndaj vajzës apo djalit, ndaj përkujdesit familjar, që Eugena e bën si çdo nënë dhe bashkëshorte, por falë prindërve të mi dhe bashkëshortit, mbështetja ka qenë si vetë situata, e jashtëzakonshme”. Pas kësaj periudhe ankthi, Tomini nuk e fsheh se këshilla e vyer e të atit e ka motivuar të ndjekë dëshirën për t’u bërë mjeke e zonja, pa u rrëzuar nga vështirësitë dhe duket se ja ka dalë mbanë

Zonja Tomini kaluam 11 muaj pandemi të Covid-19; si e keni përjetuar ju këtë periudhë, si shefe e Shërbimit të Gjurmimit të Epidemive, por edhe si qytetare e thjeshtë? 

Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme që vjen një herë në 100 vjet dhe nga njëra anë isha me fat që kam punuar me kolegë të nderuar që në asnjë moment nuk u stepën nga asgjë dhe nga ana tjetër ka qenë e lidhur me përgjegjshmërinë, gadishmërinë e përballimit të ngarkesës së orëve të tëra pune, pa qenë e nevojshme të shohësh orar dhe përtej mendimeve apo projeksioneve drejt pamundësisë së frenimit deri diku të një fakeqësie që nuk po njeh kufijtë e normales. E megjithatë përpjekjet nuk rreshtin drejt një tuneli ku drita sa herë që i afroheshe dukej sikur largohej më shumë sepse mbeshtetesh në disa masa efektive deri diku të zbatueshme, por që nuk plotësojnë një tablo të qartë kur trajtimi sipas një protokolli apo kur vaksinimi nuk ishte ende pjesa plotësuese e një tablloje të qartë.

Përsa i përket të qenit një qytetare e thjeshtë përballë kësaj pandemie, sigurisht që si të gjithë kam patur kujdesin e tepruar deri diku ndaj familjarëve, ndaj prindërve të mi, por edhe ndjenjën e panikut që mund t’i humbja  nga prekja prej këtij virusi ku çdo herë një “teshimë” apo një “rrufë” ishte prezent, përcillja emocione pasigurie drejt dyshimit rreth tij.

Në situatën në të cilën ndodhemi çfarë virulence ka virusi? 

Aktualisht kemi trasmetueshmëri, kemi trasmetim komunitar por përpjekjet tona, përpjekjet e të gjithëve ju po forcohen me ardhjen e vaksinës, një fazë e re, një forcë dhe energji e re që sigurisht do të na japë sigurinë drejt fillimit të përfundimit të ngadaltë të kësaj pandemie.

A mund të themi që jemi në fund të pandemisë? 

Nuk mund ta themi këtë fakt dhe sepse do të donim shumë të ishim në këtë pikë. Sigurisht që vaksina është një element shumë i rëndësishëm parandalues në këtë pandemi, do të ulë nivelin  e trasmetimit, do të fitojmë një imunitet pa kosto humane apo shëndetësore, por do të duhet kohë në mbrojtjen pasive, sepse vaksina është në dy doza në intervale 21 ditë nga njëra – tjetra dhe për të imunizuar të gjithë grupet e riskut sigurisht që do të duhet një periudhë më e gjatë kohe dhe për rrjedhojë pandemia do të jetë prezente deri në një imunitet kolektiv të krijuar nga vaksina dhe imuniteti natyral.

Gjatë karrierës tuaj jeni përballur me sfida të tilla, por ku qëndron ndryshimi me një pandemi si koronavirus? 

Jam prej 20 vitesh në sistemin shëndetësor, por nuk jam përballur asnjëherë me një situatë të tillë dhe pse literatura mjekësore dhe historia shëndetësore e botës në themelet e saj ka kaluar e përshkruar sfida të jashtëzakonshme nga përballimi deri tek çrrënjosja e sëmundjeve infektive. Do të doja të shprehesha për një nga momentet gjatë situatës së karantinës së fortë, në periudhën e parë të pandemisë, kur daljet jo vetëm pas orëve të vona të punës, ku qetësia e natës kishte pushtuar çdo kthinë, rrugë apo bulevard, por dhe në orët e ditës ku “ngrirja” apo ngurtësimi i aktiviteteve rutinë, vërtetoi faktin që një sëmundje infektive mund të sjellë një paralizë jetësore përtej realitetit apo pritshmërive.

Pyetja që do të mendonte kushdo është, a keni ju frikë? 

Sigurisht që dhe frika është pjesë e emocioneve njerëzore dhe kur ke çfarë të humbasësh, frika bëhet më e madhe. Kam pasur frikë të humbas familjen time, prindërit e mi vëllain tim, por forca njerëzore dhe e natyrës më bëri të mos i përjetoj këto dhimbje deri tani.

A ka qenë kjo situata më e vështira që keni kaluar në profesion? 

Absolutisht po, pandemia ishte sfiduese, situata më e vështire dhe nuk besoj se do të kem rastin të jem e përfshirë apo do të jem prezent në një përjetim të tillë në një moment të dytë të jetës sime. Megjithatë është një experiencë e jashtëzakonshme profesionale.

Ku e gjen forcën një mjek të punojë në ditë të tilla, kur ankthi pushtoi gjithë botën? 

Është forcë e brendshme, është dashuri profesionale, vlerë morale, përgjegjësi për profesionin që kam zgjedhur, është humanizëm. E kam zgjedhur me dëshirë profesionin tim, nuk bëhesh mjek në mënyrë të imponuar, por nga dëshira për të dhënë nga vetja, për të ndihmuar në momentin e duhur atë që ka nevojë për ty…!

Çfarë marrëdhënie krijon një doktor me pacientin; a bëni ju edhe psikologun? 

Në profilin e punës time jo gjithmonë ndodh lidhja e drejtpërdrejtë me pacientin, por sigurisht kur jam pranë tyre vlerësimi psikologjik, psiko – emocional ndërthuret me gjykimin klinik apo shëndetësor. Është shumë e rëndësishme që në situata kritike të kryhet paralelisht dhe vlerësimi psikologjik i pacientit, por mbi të gjitha duhet vlerësuar atëherë kur ti sheh një situatë krejtësisht të qetë krahasuar me një “det të qetë”, por që hera-herës përfshihet nga dallgë të forta që të trazojnë më shumë se klinika e vetë sëmundjes.

A keni ndonjë moment kur ju keni qarë apo keni humbur dikë nga Covid-19? 

Gjatë kësaj pandemie kemi kaluar emocione shumë të forta dhimbjeje por ka dashur dhe Zoti të mos kem përjetuar dhimbje tek njerëzit e mi të zemrës. Por është e vërtetë, jam përlotur e kam qarë për disa humbje gjatë këtij viti, por nuk do i veçoja sepse dhimbja mbetet dhimbje, pavarësisht që kanë qenë kolegë, të njohur apo rreth shoqëror.

Në raportimet tuaja, a pati çaste kur jeni prekur dhe ishte e vështirë të ishit gjakftohtë? 

Gjatë raportimeve ditore sa herë që kaloja në raportimin e rasteve humbje jete, ndjeja të dridhura gjunjësh, sikur po humbja ekulibrin, dhe vazhdoja nën një intonacion drithërues duke vendosur dorën në një krah të podiumit. Nuk do ta mohoja, por gjithkush mund të përjetojë emocione trishtimi edhe pse humbjet e jetës nuk i njihja……

Sa kohë keni qëndruar pa takuar njerëz të afërt gjatë këtyre muajve? 

Kam qëndruar larg njerëzve të dashur, por kam kohë që nuk I jap përqafimet e përditshme nënës time, stepem, nuk arrij ta bëj. Ne jemi brez më i ri dhe pamundësia për t’u përballur me një klinikë e cila ndryshon nga një individ tek tjetri t’i shton pengesat dhe pse afër tyre me shpirt, largësia rritet përtej të jashtëzakonshmes.

Cili ka qenë personi i afërt me të cilin flisni më shpesh në telefon?

Do të veçoja dy persona me të cilët kam folur më shpesh në telefon: mamaja ime prej së cilës shpesh kërkoj opinione mbi mënyrën e të shprehurit apo një gjykim të përgjithshëm dhe bashkëshorti.

Po personi që ju ka munguar më shumë dhe pse? 

Vajza ime, e vogël 4 vjeçare, por që më ka lexuar të gjithë emocionet e përjetuara gjatë kësaj kohe, tension, lodhje, përlotje, mërzitje dhe gëzim. Nëse do të më lejonit pavarësisht se kjo pandemi na sfidoi shumë, dhe profesionalisht na ka rritur, por kam qenë larg përkushtimit të një nëne ndaj vajzës apo ndaj djalit, ndaj përkujdesit familjar, që Eugena e bën si çdo nënë dhe bashkëshorte, por falë prindërve të mi dhe bashkëshortit, mbështetja ka qenë si vetë situata, e jashtëzakonshme.

Nëse do kthenit kokën pas kur ishit ende studente, ç’këshilla do t’i jepnit Eugenës? 

Do t’i ripërsërisja këshillën e tim eti aso kohe: “Vazhdo dëshirën për t’u bërë një mjeke e zonja dhe mos u rrëzo kurrë nga vështirësitë”!

A keni patur ndonjëherë dyshime për profesionin që keni zgjedhur?

Aspak, e kam zgjedhur me dëshirë Fakultetin e Mjekësisë e më pas ngritjen profesionale në vazhdimësi edhe pse Mjekësia është një profesion i vështirë,  është edhe po aq i bukur, dhe padiskutim që kërkon përkushtim. Profesioni i mjekut kërkon të japësh nga jeta jote.

Një grua në karrierë, si keni arritur të krijoni balancën mes punës dhe familjes? 

Jam munduar të mbaj një balancë, por gjatë këtij viti ka qenë shumë e vështirë, por pa mbështetjen e bashkëshortit dhe prindërve, nuk do të mund ta përballoja të gjithë ngarkesën.

Cila është pika juaj e dobët në familje? 

Toleranca, dhe gjatë këtij viti e kam bërë më shumë. Kam vlerësuar më shumë të qenit në harmoni gjatë këtij viti sepse mbingarkesa ditë – natë në këtë situatë, më ka bërë të qëndroj më pak me familjen, të mos jap përkushtimin e merituar dhe të mos i dhuroj kohë fizike të mjaftueshme. Dhe diçka tjetër: si mjeke e vlerësoj shumë shëndetin, por ky vit tregoi jo vetëm për ne, por për të gjithë, që të paturit shëndet nuk ka çmim, kërkon sakrificë. Kur dëshiron të shohësh çdo ditë njerëzit që do, por dhe të japësh për ta shumë nga vetja për të patur energjinë e pashtershme për vazhdimësinë e jetës.

Përtej karrierës së mjekes, cilat janë pasionet që mbushin ditët tuaja të pushimeve?

Kam kënaqësinë të udhëtoj me familjen në udhëtime të shkurtra apo të gjata, pak rëndësi ka, por e rëndësishme është të jem me ta. Do të veçoja një pasion tjetër, që më pëlqen të gatuaj, të provoj receta të reja gatimi edhe pse duke pasur preferenca të ndryshme sipas moshës bëhet e vështirë eksperimentimi, por sërish tentoj.

Në daljet tuaja televizive përpos faktit që ju është dashur të flisni për Covid-19, nuk ka kaluar pa u vënë re as stili juaj, sa i rëndësishëm është ai për një mjeke? 

Është i rëndësishëm dhe sigurisht që jam përpjekuar të jem Eugena, brenda stilit tim, duke qenë vetvetja. Sigurisht që veshja korrekte është një vlerë e shtuar që përforcon personalitetin dhe njëkohësisht tregon respekt ndaj vetes, por edhe ndaj audiences.

Pas kësaj situate që po kalon vendi, cili është mesazhi juaj përballë situatave të tilla?

Fatet e jetës nuk i zhvendosim dot nga rrjedha e tyre, por kur mundësitë na jepen, të ndryshojmë sado pak shkaqet për pasoja mjekësore dhe kur shendeti merr vlera përtej të parashikuarës, duhet vleresuar. Vlerësoni shëndetin tuaj edhe pse me masa vogla ne dukje, por që vlejnë sa jeta!

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF