KreuCelebrity

Arti në zi, ndahet nga jeta Andon Qesari!

Vuante prej kohësh nga sëmundje e rëndë, të cilën e luftoi fort, por në fund u dorezua. Është shuar kështu një prej figurave të njohura të artit shqiptar, aktori dhe regjisori Andon Qesari.

Lajmin e hidhur e përcolli I biri, Edoni, i cili tregoi me dhimbje se cfarë efekti kishte pasur kjo sëmundje mbi të atin.

“Të dashur miq e të njohur. Sot në mëngjes, pas një sëmundje të gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në vitin e fundit, i dashuri babai im ANDON QESARI u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare. Dashuria e Tij e pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimi më i çmuar që na la. Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë…”, ishte mesazhi prekës i tij.

Andon Qesari lindi në 27 qershor të vitit 1942 në fshatin Qeparo të Vlorës. Pasi diplomohet në Institutin “Aleksandër Moisiu” (sot Akademia e Arteve) për aktor në vitin 1966, fillon punën në Teatrin e Vlorës. Në vitin 1972 emërohet pedagog në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Në vitin 1975 fillon punën si aktor në Teatrin Popullor sot (Teatri Kombëtar) ku dhe emërohet përfundimisht aktor i tij në vitin 1977. Ka interpretuar në shumë role duke nisur me atë në dramën “Shënomëni dhe mua” e Hilmi Minarollit në 17 Tetor 1976 ku ai do të luante rolin e Besnikut. Më tej do të vazhdonin rolet e tjera si : Aleksi tek “Doktori pacient” e Ruzhdi Pulahës, Qamil Beu tek “Epoka para gjyqit” e Ekrem Kryeziut, Ksanthi tek “Dhelpra dhe rrushtë (Ezopi)” e Guilherme Figueiredo, Konti tek “Fernando Krafi më ka shkruar një letër” e Dorstit, Feni tek “Furnalta” e Ruzhdi Pulahës e shumë të tjerë. Qesari ishte dhe regjisor edhe i shumë dramave si :“8 Persona plus” e Ferdinand Radit e Dorstit, “Karnavalet e Korçës” e Dhimitër Pecanit, “Këmbanat e Muzgut” e Teodor Laços, “Në jetë” e Dhimitër Xhuvanit etj.Nuk mungojnë rolet e tij as në kinematografi si p.sh: roli i Skënderit në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” në vitin 1967, rolin e Bilalit, Komandantit të Shtabit partizan tek filmi “Ata ishin katër” në vitin 1977, doktor Kozmai në filmin “Tela për violinë” e shumë të tjerë. Meritat e tij të shumta artistike i sollën dhe titullin e lartë  “Artist i popullit’.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF