Nga Aurela Agalliu
Psikologe
Marrëdhënia motër dhe vëlla, është nga marrëdhëniet më të bukura dhe të rëndësishme në jetën e çdo individi. Është lumturi për çdo familje, e cila ka fatin t’i japë një motër ose vëlla fëmijës së parë. Kjo për faktin se ata do të jenë model sjelljeje për njëri-tjetrin dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e personalitetit të tyre. E parë në aspektin profesional, kjo marrëdhënie bëhet shumë dinamike dhe me kalimin e viteve, deri në adoleshencë, mund të shkaktojë sjellje xhelozie nga njëra palë në tjetrën, në varësi të mënyrës sesi fëmijët pozicionohen në rolet e tyre dhe vëmendja që u kushtojnë prindërit. Në fëmijëri, marrëdhëniet midis tyre dhe rolet që ata luajnë ndikojnë shumë në zhvillimin emocional individual. Si psikoterapiste, në përvojën time në zhvillimin e terapisë familjare, kam konstatuar sesa jetike është marrëdhënia midis tyre në fëmijëri dhe se në të kundërt, kur këto marrëdhënie nuk janë të zhvilluara ose balancuara, ndikojnë shumë në personalitetin individual të tyre dhe mund të shkaktojnë mosfunksionim social gjatë gjithë jetës. Për shembull, problemet që do të sillte mungesa e marrëdhënieve të shëndetshme janë: problemet me vetëbesimin, ankthin social, depresionin, etj. Figura qendrore e këtyre marrëdhënieve, janë prindërit. Mënyra sesi ata atashohen me fëmijët e tyre dhe sesi i pozicionojnë përballë njëri-tjetrit. Fëmijët e parë, gjithmonë mbajnë peshën e mëvonshme për rritjen dhe mbështetjen ndaj motrës ose vëllait dhe marrin përgjegjësi më të mëdha. Por kjo ndonjëherë mund të kthehet në një marrëdhënie toksike midis tyre, ku hera-herës zhvillohen role autoritare nga njëra palë në tjetrën, duke ndikuar thellë në vetëbesim. Ky është rasti tipik, kur individë të rritur, gjatë seancave terapeutike na tregojnë se kanë vetë një imazh negativ dhe se ndihen të paaftë për të qenë të suksesshëm, pasojë e së cilës është mënyra sesi janë etiketuar në familje, duke patur edhe krahasime nga prindërit e tyre në lidhje me aftësitë e tyre sociale, intelektuale apo më gjerë.
Studimet psikologjike mbrojnë teza të ndryshme në lidhje me fëmijët e parë dhe tek ata të mëvonshëm, por nga këndvështrimi profesional, mendoj se personaliteti dhe ndërveprimi midis tyre është gjithmonë i drejtuar nga prindërit dhe konteksti social. Ajo që them me siguri është se motra dhe vëllai janë shokët e parë në jetë referuar fëmijërisë dhe të fundit në moshën e rritur. Marrëdhëniet e shëndetshme të krijuara që në hershmëri, janë një thesar i paçmuar për jetën e gjithsecilit si në aspektin social dhe në atë psikologjik. Në fëmijëri ata janë ndihmues të njëri-tjetrit në ndërveprimet sociale, në zhvillimin gjuhësor dhe në aspektin arsimor. Ata zhvillojnë ndjenja protektive ndaj njëri-tjetrit dhe ndikojnë në marrëdhëniet miqësore të secilit, duke u prezantuar si krahu i djathtë mbështetës.
Me kalimin e viteve, ka një distancim dhe një nevojë për pavarësi nga motra ndaj vëllait nëse ky i fundit është më i madh, por në rastet kur motra është më e madhe, djemtë zhvillojnë më shumë rolin e tyre gjinor duke u përpjekur të fitojnë superioritet ndaj motrës më të madhe, të cilën e kanë parë si më të fortë, më të zgjuar. Kjo nevojë vjen me rritjen e tyre dhe zhvillohet më së shumti në moshën e pubertetit, kur janë në ndërtim të identitetit të tyre. Në kontekstin tonë, një ndikim shumë të rëndësishëm në këto marrëdhënie, ka edhe kultura. Dhe për të thënë të vërtetën, në disa raste, kultura ndikon negativisht në rolet midis tyre. Kufizimi qëndron në faktin sesi, në shoqërinë tonë i edukojnë djemtë, duke i dhënë më shumë përparësi dhe vetëbesim se vajzat.
Kur këto marrëdhënie midis motrës dhe vëllait kanë qenë të suksesshme në fëmijëri, e parë në aspektin psikologjik, në moshën e rritur do të jenë individë të cilët do të kenë personalitet të sigurt dhe do të jenë njohës të mirë të nevojave të tyre. Në aspektin social do të jenë ndërveprues me të tjerët, jo egocentrikë, empatikë dhe me aftësi organizuese, zgjidhës të mirë të konflikteve, përvojë e cila mësohet gjatë rritjes së bashku.
Nina Howe, PhD, kryetare kërkimore e zhvillimit të fëmijërisë së hershme në Universitetin Concordia ka thënë: “Unë mendoj se marrëdhënia e vëllezërve dhe motrave është si një laborator natyror për të mësuar se si të shkosh mirë me njerëzit”. Ky konstatim, i cili vjen si rezultat i hulumtimeve dhe studimeve të saj në këtë fushë dhe sigurisht që na kthen vëmendjen gjithmonë nga nevoja për të kontribuar pozitivisht në klimën familjare.
Si motra e një vëllai më të vogël, unë besoj se në të vërtetë, ky “laborator natyror” i marrëdhënieve është shumë esencial në atë që ne mësojmë të jemi në kontekstin social, në raport me veten dhe të tjerët. Unë i jam mirënjohëse prindërve të mi që më dhanë mundësinë të marr dashuri nga një motër dhe një vëlla. Pavarësisht gjinisë së fëmijëve, qofshin motra apo vëllezër, marrëdhënia e tyre do të jetë gjithmonë një marrëdhënie dashurie e pafund.
Botuar ne BORDO,qershor 2022!



















