KreuStil Jetese

Përgjithmonë Marilyn/ dokumentar mbi hetimet dhe misteret e Marilyn Monroe!

Përgjithmonë Marilyn/ dokumentar mbi hetimet dhe misteret e

60 vjet pas vdekjes, aktorja legjendare ka të njëjtën magjepsje. Bazuar në biografinë e gazetarit britanik Anthony Summers, Netflix sjell një dokumentar mbi  hetimet, dëshmitë dhe misteret e Marilyn Monroe

Kjo verë do të shënojë gjashtëdhjetë vjet nga zhdukja e Marilyn Monroe. Natën e 4 gushtit 1962, duke u gdhirë data 5, ylli më i famshëm i kinemasë po vdiste nga një mbidozë e ilaçeve anti-depresive, e vetme në një dhomë të keqmobiluar në Brentwood. Mjeku ligjor vendosi si shkak të vdekjes: “Vetëvrasje e mundshme”. Por misteri dhe rrethanat e vdekjes tragjike të bjondinës ikonike, asokohe vetëm 36 vjeçe, kontribuan për 60 vitet në vazhdim në krijimin e një miti.

Aktore gjeniale, modele me një fotozheni të rrallë, sipërmarrëse e talentuar, feministe… Që nga viti 1962, modeli i imazhit të Marilyn Monroe nuk ka reshtur së rishpikuri, krijuesit të çdo forme arti përballen me fatin e saj jashtë normës, ndonjëherë duke trajtuar edhe obsesionet e tyre.

Në vitin 1982, gazetari britanik Anthony Summers, korrespondenti special i Hollywood shkroi mbi rihapjen e hetimeve për vdekjen e Marilyn nga prokurori i Los Anxhelosit, çështje e cila qëndroi e hapur për më shumë se tre vjet. Zhytja në dokumentet e kinemasë, kërkimet dhe gjetja e mijëra dëshmitarëve, zbuloi dokumente dhe mbi 650 regjistrime zanore që shërbyen si pista hetimi. Nga ky material unik, gazetari botoi në 1985 në Francë një seri shkrimesh nën titullin “Jetët e fshehta të Marilyn Monroe”, i cili u ribotua së fundmi në Shtetet e Bashkuara në një version të pasuruar, një biografi prej 500 faqesh që më në fund jep një pamje të plotë të gruas pas së cilës fshihet ylli i kinemasë. Fëmijëria, fillimet, karriera, dashuria, ambiciet, ndërgjegjia sociale dhe politike, rivalitetet, miqësitë, tradhëtitë… – ishin temat e bestsellerit të Summers, i vetmi libër ende sot, me një stil të papërpunuar i cili zbuloi çdo aspekt të jetës së ikonës së kinemasë. Kapitulli i fundit, plot njëqind faqe iu kushtuan ditëve të fundit të saj, duke sjellë në mënyrë bindëse lidhjet midis Marilyn dhe vëllezërve Kennedy.

Por ishin dy gabimet e Summers që njollosën biografinë e tij me kalimin e kohës. E para, ishte përdorimi i citimeve të shumta nga dy “të besuarit” e yllit të kinemasë, Jeanne Carmen dhe Robert Slatzer, të cilët ishin shumë të fokusuar në teoritë e konspiracionit. E dyta dhe mbi të gjitha, u quajt sakrilegj, publikimi i fotografisë të Marilyn-it të vdekur. E nxjerrë nga një dosje policie, fotografia e bërë pas autopsisë (e konsideruar e frikshme edhe pse bardhë e zi) u jep lexuesve imazhin e masakruar të bukuroshes nga mjekët ligjore, duke e kthyer ikonën në imazhin e një gruaje të zakontë me lëkurë dhe flokë të pisët.

Dokumentari i fundit i Netflix “Misteri i Marilyn Monroe” i publikuar me 27 prill, bazohet në hetimin fillestar të Anthony Summers, duke rrëfyer biseda audio të patreguara të aktores. Fjalët e Marilyn-it bazohen në dy intervista të njohura të saj, të realizuara përkatësisht në vitet 1960 dhe 1962 nga gazetarët Georges Belmont për Marie Claire dhe Richard Merryman për Life Magazine. Por thesaret e vërteta të filmit janë nxjerrë nga 650 regjistrimet e Summers gjatë hetimit të vitit 1982. Në atë kohë, edhe pse kishin kaluar njëzet vjet nga vdekja e Marilyn, shumica e kolegëve dhe miqve të saj ishin ende aktivë. Në Hollivud më shumë se kudo tjetër, motoja “The show must go on” ishte kthyer në fe. Kishte edhe nga ata që ishin në heshtje, por që emocioni që shkaktonte emri dhe kujtimet që lidheshin me aktoren i ktheu këta dëshmitarë në reporterë, duke menduar se kujtimet e evokuara të Marilyn-it, do të ruheshin ende të freskëta.

Pamjet bardhë e zi të aktores, ekstrakte të pafundme filmike ose kronika lajmesh që inkuadrojnë një fytyrë serioze të gruas që u kthye në mit sjellin në dokumentarin e Netflix momente nga xhirime origjinale. Pavarësisht artificialitetit të xhirimeve në dokumentar me aktorë të ngjashëm fizikisht, që supozohet të mishërojnë atë, kjo u jep një fuqi të rrallë emocionale shumë dëshmive.

E shënjuar nga një fëmijëri e privuar nga ngrohtësia e familjare, me një ambicie të rrënuar nga dyshimi dhe pasioni, Marilyn Monroe ishte një kolege, një shoqe, një grua komplekse e cila vazhdon të dashurohet ende. Aktorja Jane Russell e cila luajti krah Monroe në filmin “Burrat preferojnë bjondet”, rrëfen se ato ishim shumë mikesha, por Marilyn vuante nga kompleksi i miqësive me njerëz që e kishin njohur dikur. Në dëshminë e parukierit të aktores, Sydney Guilaroff, ai evokon dëshirën e parealizuar të ikonës rreth mëmësisë.

Pyetjes që i bëhet Marilyn me zë të lartë në fillim të dokumentari është: Si do ta shkruani historinë e jetës?, ajo i jep një përgjigje – Duke lënë diçka përtej filmave, fotografive, polemikave, fjalëve të mira dhe sekreteve…! Kjo gjurmë është aq e fortë sa, edhe gjashtëdhjetë vjet më vonë, secili prej nesh ndjen t’i tkurret zemra, kur flitet për zhdukjen e saj…!

 

Publikuar nga Le Figaro

Botuar ne BORDO, qershor 2022!

 

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF