KreuCelebrity

Eksperti: Rritja e temperaturave po shpejton shkrirjen e akullnajave alpine!

Eksperti: Rritja e temperaturave po shpejton shkrirjen e akullnajave alpine!

Italia po përballet me një valë të nxehtë të fillimit të verës dhe vëmendja është përqendruar në ndikimin e thatësirës tek të korrat në luginën pjellore të Po-së. Më në veri, shembja e një akullnaje në malin Marmolada, e cila ndodhet në një lartësi prej mbi 3,300 metrash, shkaktoi vdekjen e të paktën shtatë njerëzve. ”E njoh shumë mirë atë akullnajë. Vërtet u befasova. Para këtij incidenti, nuk do të kisha menduar se akullnaja në malin Marmolada ishte e rrezikshme. Ajo ndikohet shumë nga shkrirja dhe tkurrja e akullit për shkak të nivelit të lartësisë në të cilën ndodhet dhe konsiderohej si një akullnajë tipike, që po pësonte tkurrje dhe që mund të zhdukej në vitet e ardhshme. Pra, ishte vërtet e papritur të shihje një shembje të tillë të akullnajës, e ndikuar kaq shumë nga ndryshimet klimatike”, thotë Giovanni Baccolo, studiues i akullnajave në Universitetin e Milanos, per VOA. Temperatura, që normalisht është nën zero në malin Marmolada, arriti në dhjetë gradë Celsius të shtunën (më 2 korrik), tha në fundjavë guvernatori rajonal i Venetos, Luca Zaia.

Një masë e madhe akulli u shemb afër Punta Rocca, në rrugën që zakonisht përdoret nga alpinistët për të arritur majën e malit, tha njësia italiane e kërkim-shpëtimit për Alpet.

Eksperti i akullnajave Giovanni Baccolo paralajmëroi alpinistët e guximshëm, që shkojnë në male për t’i shpëtuar vapës së verës, të jenë të kujdesshëm, sepse temperaturat e larta po dobësojnë strukturën e akullnajave. ”Meqenëse ndryshimet po ndodhin në brendësi të akullnajave, është e vështirë, thuajse e pamundur, të parashikohet se ku mund të ndodhin shembjet. Kjo shpesh nuk mund të bëhet deri në momentin e fundit, kur ndoshta është tepër vonë”, thotë zoti Baccolo

Ai thotë se ekspertët ende nuk dinë shumë mbi procesin e shkrirjes ose të zhdukjes së akullnajave.”Për shembull, të dielën (më 3 korrik), diçka e paparashikueshme dhe me pasoja tragjike ndodhi, sepse akullnaja nuk mundi të rrinte ngjitur në faqen e malit për shkak të temperaturave të larta dhe shkrirjes së akullit. Mendoj se tani ekspertët duhet të jenë më të kujdesshëm në studimin e akullnajave që po shkrihen, fazat përfundimtare të të cilave mund të jenë më problematike sesa mendohej më parë”, thotë eksperti italian i akullnajave.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF