Jeta e ëmbël e Audrey Hepburn

Bukuria, stili, fotot dhe fragmentet nga filmat e saj janë bërë frymëzim për krijimet e modës haute couture, e jo vetëm. Portreti i saj vijon të jetë muzë frymëzuese. Vështirë të mos mendosh për Audrey Hepburn me vijëzuesin e trashë të syve. Apo prerjen e shkurtër të flokëve, madje shumë të shkurtër, në gjendje për të nxjerrë në pah bukurinë, një portret i destinuar për të formësuar imazhin e gruas së bukur. Pa folur për siluetën e saj mbi një Vespa. Shkëlqimi i saj tërheq sidomos me fustanin e zi, duke fotografuar një bukuri të rrallë. Përtej elegancës, buzëqeshja e bën akoma më të bukur, në të gjitha fazat e jetës, nga një vajzë e bukur dhe e hirshme, deri tek portreti i një mamaje të ëmbël. Por, deri në momentet e fundit të jetës, ajo nuk e zbuloi kurrë sekretin e bukurisë së saj.

Edhe pas disa dekadash, silueta e saj mbetet sinonim i elegancës. Madje qysh në filmat e saj të parë, Audrey Hepburn reflektoi hijeshinë, një siluetë të hollë të kombinuar me një lloj pafajësie fëmijënore. Në rolin e saj të pestë në rolin e Çikitës në filmin “The Lavender Hill Mob”, tërhoqi vëmendjen para kamerës me sy të mrekullueshëm, e pushtuar me një cilësi të rrallë, atë të lumturisë. Imcake dhe paksa vulnerabël, Hepburn ishte zonja e roleve kryesore për Alfred Hitchcock, e gdhendur me një portret gjithnjë e zhytur në mendime

Fëmijëria dhe adoleshenca e saj, ngjan e zbehtë. Prindërit, i ati një bankier anglez dhe e ëma një baroneshë holandeze, kishin bindje fashiste dhe u ndanë para fillimit të luftës së dytë botërore. Nëna e saj e mori me vete në shtëpinë në Belgjikë dhe Holandë për të shmangur luftën, kur Holanda u pushtua nga gjermanët. Duke qenë e shkolluar në Angli, gjysmë britanike dhe fliste rrjedhshëm anglisht, Audrey u adoptua lehtësisht. Gjatë adoleshëncës vuajti nga kequshqyerja, e cila e çoi në anemi akute dhe probleme të frymëmarrjes. Ky ndoshta ishte çmimi i hijeshisë së saj, por edhe e ndihmoi të kishte një karakter të forte.

Është e habitshme teksa sheh rolet kryesore që ju besuan, ato ishin romantikë, kjo bëri që trajektorja e karrierës së saj të kishte profilin e një fashionisteje. Stilisti Hubert de Givenchy u bë miku i saj i ngushtë, i cili këshilloi për veshjet e saj, madje e quajti muza e tij, derisa u bënë edhe partnerë në biznes.

Do të ishte filmi ‘Mëngjesi në Tiffany’ momenti që e forcoi rolin e saj në kinema. Autori i kësaj pjese, Truman Capote, donte që këtë rol ta luante Marilyn Monroe, e cila asokohe ishte një ikonë seksi, por Paramount, favorizoi Hepburn mbi Monroe. Edhe pse Holly, një vajzë çentraliste duhet të bazohej në një skenar që e përcaktonte si vajzë të çthurur, në fakt, ndodhi që rrezatimi i profilit të saj të ndryshonte projeksionin fillestar dhe vetë skenarin.

Përtej karakterit dhe performancës, Hepburn u bë portreti i vetë Holly – me fustan të zi, doreza të zeza, një diademë dhe një mbajtëse cigaresh. Kaq mjaftuan të gdhendej imazhi i femrës delikate, elegante dhe joshëse. Ende sot mbetet një imazh që përdoret në revista, sepse formësoi ikonën femërore, deri në detajet më të vogla, nga çantat deri tek këpucët, modeli i flokëve dhe grimi, pa harruar stolitë.

Nëse flasim për produktet kozmetike, ajo përdorte kremra super hidratues dhe një truk të lehtë, ndërsa për rimel përdorte Bambi, më i miri për të  ndarë qerpikët. Vijëzuesi i zi dhe i kuqi pink me efekt mat ishin më të preferuarit, pa harruar syzet e mëdha. “Besoj tek e kuqja. Besoj se e qeshura është mënyra më e mirë për të djegur kalori. Besoj tek puthjet, andaj dhuroj shumë. Mendoj se njeriu bëhet më i fortë, kur gjërat shkojnë ters. Mendoj se vajza të lumtura janë vajzat më të bukura”.

Sipas Vogue, Audrey vendosi një standard të ri të bukurisë. Audrey Hepburn kishte një bukuri të rrallë, shpesh mashkullore. Stili francez, flokët e errët, hundë e vogël dhe veshje provokuese. Shpesh e veshur me pantalllona mashkullore, këmisha marinari. Kokë e vogël, e vlerësuar gjithnjë nga flokët dhe prerjet strategjike, qafë e gjatë si mjelmë, si një skulpturë me shpatullat drejt, kjo frut i ushtrimeve si balerinë. Ajo duhet falënderuar që me rolin e Sabrinës solli pantallonat e shkurtra, duke i bërë ato casual, sportive dhe pikante.

Portreti naiv, buzëqeshja e madhe dhe fëmijënore, një qafë e gjatë dhe trup shumë i dobët binin në sy ngado. Ajo që vihet re nëpër foto është një prekje thuajse qiellore e të bardhës në fytyrë, duke i dhënë rëndësi dritës. Spikasin edhe ngjyrat pastel që nxjerrin në pah linjat, theksohet e kuqja, shpesh e shoqëruar dukshëm me një imazh fëmijënor, duke mëshiruar çdo moshë, karakteristike ende e pa prekur nga vitet që kaloi mbi supat e brishtë. “Karriera ime është edhe për mua një mister absolut. Është një surprizë që nga dita e parë që u ngjita në set. Nuk e kam menduar kurrë se do të bëhesha aktore”-u shpreh ajo. Në librin e botuar nga djali i dytë i aktores, ai zbulon sekrete të rralla mes të cilave ‘varësia’ ndaj makaronave, mania për të ngrënë çokollata, pasioni për akulloren. Por mes të mirave ka edhe vese, si dashuria për pijet e forta, mes tyre skoçi dhe pirja e cigareve.

Vajza Romane

Nuk e mohoi për asnjë çast se qyteti i përjetshëm, Roma ishte vendi i preferuar. Ndryshe nga aktorët e tjerë që jetonin aty, ajo respektohej teksa shfaqej në rrugë plot sharm e hipur mbi Vespa, me një shami mbështjellë pas qafës, çantat shportë dhe qenushin e saj. Roma e përsosi profilin e saj, sidomos atë të një gruaje me sqimë, që e njihte stilin dhe reflektonte elegancën përmes veshjes dhe sjelljes së saj. Edhe pse e shkuara e fëmijërisë mbetej si një kujtim i hidhur, ajo dinte të nxirrte prej saj momentet më të bukura. E kultivuar nga stili i së ëmës, e thjeshtë dhe praktike, shpesh ngjante me vajzat e provincës që shkelnin për herë të parë në qytet. Këpucët me takat e ulëta nxirrnin në pah hijeshinë e këmbëve të gjata duke i shtuar siluetës së saj elegancën. Stili aristokrat ishte i pandashëm, duke preferuar gjithnjë perlat rreth qafës, vathët, shamitë dhe shajet. Ngjyra e preferuar, edhe pse shumica e fotove janë bardhë e zi, ishte bluja e hapur, të miksuara me lule, kryesisht tulipanët. Nuk harronte kurrë të mbante syze dielli të mëdha, sidomos kur shfaqej rrugëve si një kalimtare e zakontë.

Audrey Hepburn
1954
© 2000 Mark Shaw
Scan by Rodney Todd-White & Son
020 7734 9070

Botuar ne Revisten BORDO

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article