Intervistë ekskluzive/ Xheisara e vërtetë! 

Nga Emi Koleci
Fotografia: Leo Arapaj 

Është shumë bukur kur fillon të kuptosh pak nga bota e një artisti dhe frymëzuese kur njihesh me përkushtimin, vetëbesimin dhe punën e një këngëtareje si Xheisara që nuk e ka patur të thjeshtë ta tejçojë emrin e saj tek publiku i gjerë. Ajo ka treguar në kohë që është një vajzë e talentuar dhe këtë e ka vërtetuar me punën dhe projektet e lançuara për publikun. Xheisara është një nga zërat e paktë që nuk i druhet të kënduarit ‘live’ dhe nuk fshihet pas playback-ut. Është një vajzë që ka treguar se gjinia mund të kthehet në sfidë, dhe vajzat mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre edhe kur nuk kanë mbështetje, siç ajo ka bërë në fillimet e karrierës së saj. Ka treguar se është një artiste që ndoshta nuk numëron shumë klipe muzikore, por ka një repertor të gjerë këngësh të përgatitura dhe mund të shkëlqejë në skena të mëdha. Në bashkëbisedimin tonë Xheisara më dha komoditetin e të “intervistuarës së mirë” si një vajzë që di të flasë mirë, di të përmbledhë mendimin, di të të japë infomacion por mbi të gjitha di të të bëjë ta pyesësh. E mes pyetjeve do mësoni pak më shumë për Xheisarën si artiste, rrugëtimin në muzikë dhe projektet e saja të afërta.

Jemi në muajt ku këngëtarët kanë pikun e punës, atëherë kur të gjithë pushojnë… Si po e kalon këtë përiudhë?

Prej shumë vitesh pushimet e mia janë të pakta për të mos thënë fare gjatë sezonit të verës, pasi në këtë periudhë unë kam fluksin e prenotimeve për mbrëmjet live, dasmat, eventet e ndryshme e deri tek koncertet e mëdha në sheshe të ndryshme të qyteteve shqiptare.

Xheisara njihet si këngëtare e Live-it, si vjen tek ty ky ‘’etiketim’’?

Prej fillimit dëshira ime ka qenë të këndoj vetëm ‘live’ pasi jetojmë në kohën ku ‘playback’ është prezent në çdo moment të ditës dhe për të mos arritur deri tek klikimet false. Gjithsesi unë ndihem krenare që Shqipëria ka pak këngëtarë të muzikës ‘live’ dhe unë jam një ndër ta.

Njihesh edhe për natyrën moskokëçarëse, ke patur ndonjë koment që të ka ndikuar ose prekur më shumë?

Sa bukur që e thua “natyrën moskokëçarëse” pikërisht sepse nuk e vras mendjen për komentet që bëhen dhe për më tepër nuk kam kohë t’i lexoj ato. Mjafton të ndihem mirë me atë që bëj, për të tjerat…

Ke treguar që rrugëtimi në muzikë nuk ka qenë i lehtë, çfarë të ka motivuar t’ja dalësh deri këtu?

Absolutisht që po. Rrugëtimi në botën e muzikës njësoj si në çdo profesion tjetër, ka pafund vështirësi dhe brryla por ajo që më motivon dhe më bën të eci përpara është vetëbesimi që unë zotëroj.

1-10 në cilën fazë të karrierës tënde ndodhesh tani?

Të them të drejtën nuk mund ta përcaktoj me shifra fazën në të cilën jam për momentin por që mund të them që jam në një fazë zhvillimi për veten .

Po në jetën personale sa e plotësuar je?

Në jetën personale nuk kam asgjë dhe nuk më mungon asgjë. Jam shumë e plotësuar dhe kur të jem e tejmbushur do i vë të gjithë në dijeni.

Pjesëmarrja në ‘’Big Brother Vip‘’ nuk ishte shumë e zhurmshme, por na njohu më shumë me Xheisarën, për çfarë të ka shërbyer tjetër?

E vërtetë që ndryshe nga një pjesë e banorëve që ishin në shtëpi unë nuk bëra shumë zhurmë por jo se nuk dija të bëja zhurmë, ishte sepse unë thjesht doja që njerëzit dhe publiku të njihnin Xheisarën e vërtetë njësoj si jashtë dhe brenda. Unë nuk mund të ndryshoj për lojë siç kanë bërë një pjesë e pjesëmarrësve “brenda”, të cilët kanë luajtur për t’u bërë objekt lajmi.
Patjetër që “Big Brother VIP” më ka dhënë dhe benefite të tjera por më kryesorja ka qenë njohja në një rrjet më të gjerë me publikun dhe më ka sjellë më afër tyre.

Çfarë mendon tani kur dëgjon këngët e tua?

Ndoshta jo të gjithëve, por shumë artistëve ju ndodh që kur dëgjojnë këngët e tyre shpesh herë gjejnë gjëra për të ndryshuar por ajo që mendoj është që çdo këngë është më e bukur se tjetra dhe sado këngë të dalin, secila ka shkëlqimin e saj.

Cila është kënga e preferuar së fundmi dhe që do doje të ishte kënga jote ?

Kënga “Tradhtare” e Aurela Gaçes është kënga që do të doja ta kisha timen dhe kënga që po më shoqëron për këtë verë.

Objektivi i radhës në muzikë ?

Aktualisht po punoj për projekte të reja, kam disa këngë që do të publikohen shumë shpejt .

Po qëllimi më i madh në karrierën tënde?

Qëllimi më i madh dhe synimi i jetës time profesionale është që dhe një ditë, kur unë mos të marr më frymë dhe mos të jem më prezente në këtë botë, emri im të përmendet dhe këngët e mia të këndohen!

 

©Botuar në Revista BORDO, Gusht 2022!

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article