Facebook është një dritare komunikimi, shprehjeje dhe diskutimi, ku ti takon çdo ditë miq, të njohur dhe të panjohur! Mevlan Shanaj, aktor dhe regjisor i njohur e përdor hapësirën e tij në këtë media sociale për të ndarë momente nga jeta e tij personale, familjare, si dhe ajo me kolegët. Në fakt na kanë tërhequr këto të fundit, artikuj kujtese e përshtypje të Shanajt për artistë të njohur dhe aq të dashur për publikun. Janë mjaft të lexuar dhe të komentuar, për vetë kuriozitetin, që gjithmonë personazhet e kinemasë dhe ekranit kanë! Kemi shkëputur për lexuesit e BORDO, me lejen e autorit, këtë shkrim dedikuar mikut dhe aktorit ikonik Robert Ndrenika! Shijojeni!
Nga Mevlan Shanaj
Ishte një përvjetor që shkrova për bablokun Ndrenika! Sot u kujtova se a mundesh të hedhësh dot në pak rreshta madhështinë e një gjigandi si ai ?! Krejtësisht e mpakur mendja dhe dora ime për të dhënë çuditë artistike të Ndrenikës! Ke dëshirë të sjellësh në mëndje realizimet e skenës që janë të shumta dhe njëra më e arritur se tjetra. Ky Babëloku ka ndërtuar njeriun dhe artin në harmoni vit pas viti, sa më shumë krijonte karaktere nga dramaturgjia botërore i shtoheshin personazhet shqiptare në ekran dhe madhështia si njeri! Nuk kam rastisur herë tjetër kësi binomi kaq të fuqishëm ngjitja e emrit me personazhet! Sigurisht ke kënaqësi për këtë gjë dhe si për dreq nuk kam rastisur ziliqarë për këtë Ndrenikën nga të gjitha shtresat e shoqërisë as dje as sot! Po çfarë dreqin ka ky që si publiku edhe regjisorët rendin ta kenë mik! Epo ta dish as unë e askush tj nuk të ka inat! Ore Berti! Si është jeta kur nuk të ka inat njeri!?!Po të shikoja para ca vjetësh në një dramë me “ grekun” Viktor Zhusti, shok klase ju, brenda një profesioni me rivalitet të pashmangshëm!Epo edhe kur ai të donte, u dorëzova! Këtë njeri vetëm e duan! Unë dhe Natasha po se po, se ke qënë edhe aktor te “Mësonjtorja”, apo “Plumba perandorit”!
Po ty të mbajnë në gojë gjithë regjisorët dhe bëjnë garën mes tyre se ku ke qënë më mirë! Te Kumbaro, prefekti i “ Koncertit 36” apo te Vangjeli i “ Përrallës” me Anagnostin?! Te “ Rrugë të bardha” apo karrocieri” te Nëntori i dytë” me Gjikën! Te Llano i Teodor Laços, me V.Priftin! Apo “ Shi në plazh” po e Laços!Apo të “ Shtigje lufte” të P. Milkanit!? Po të kthehemi në teatër bëre golin më të bukur në kohë shtesë me “ Prefektin” e Levonjës, që deri atëhere kujtonim se ishte shkruar për Mihal Popin! Me sa duket nuk kanë shkruar për ty as Majakovski, i Kujtim Spahivoglit, as Artur Miler, as Pirandelo, as Dushan Kovaçeviç as, as, as…. Me dhjetra autorë që nga Shekspiri deri më sot nuk shkruan për ty , por ti i bëre të mbeten nën thundrën tënde, pasi harku i violinës tënde luan në skenë dhe para kamerës, me lehtësi siç lëvizim dorën, ti krijon me virtuozitet karakteret që nuk flasin por vallëzojnë valsin e triumfit Ndrenika!kujtime personale nuk kam pasi gjithë jetës je munduar të bësh intriga mes nesh, po nga që nuk kishe talent dështoje pa e nisur mirë. Talentin e kishe për skenë dhe ekran! Ke lindur me këmishë o kokë madh!
Botuar në Revista BORDO, Gusht 2022!



















