Karikatura e tij sot identifikohet si një simbol i artit të gjallë, i fenomeneve sociale që prekin temat aktuale, por ajo e emigracionit mbetet edhe më e preferuara e tij. Një dramë tashmë globale, e cila identifikohet më së miri me anë të valixhes, një objekti që kushdo që vendos të ikë nga një vend, padyshim që zgjedh si shoqërues të këtij udhëtimi valixhen. Ndaj edhe edhe artisti Agim Sulaj, njihet sot nëpër botë, përveç 100 çmimeve ndërkombëtare, edhe si njeriu me valixhe.
“Rrënjët” ju solli në Tiranë me një mozaik temash, për të treguar rrënjët tuaja?
Rikthimi im te rrënjët është një temë e ndjerë me mua dhe dëshira për tu prezantuar në vendin tim të paktën një herë në vit. Ekspozita “Rrënjët 2” ka 26 punime ku trajtohen pak nga të gjitha temat sociale, siç është emigrimi. Atë e pasurojnë piktura të fëmijëve mbi gurë dhe trungje, lodrat e shpenguara të fëmijërisë që janë pjesë e krijimtarisë time. Ekspozita sjell edhe tema historike, grupe luftëtarësh ose portrete luftëtarësh. Solla dhe një peizazh surealist mali, ku del madhështor portreti i Skënderbeut. Teknika dhe realizmi janë të bëra me penel të vogël me imtësi duke kuruar detajin që të dalin sa më të vërteta, kjo ka qenë gjithmonë karakteristike e imja në krijimtari.
E veçantë ishte “Valixhja e refugjatëve”, fituese e një konkursi në Londër?
“Valixhja e refugjatëve” i dedikohet dramës së refugjatëve. Ëndrra të mbytura të një grupi njerëzish në det. Një dorë dhe valixhe, një njeri pa personalitet, që përfaqëson jo vetëm ikjen e shqiptarëve, por edhe atë të njerëzve nga e gjithë bota. Këtë temë e kam trajtuar gjithmonë. “Valixhja e refugjatëve” mori çmimin e parë në Londër në konkursin “The Derwent Art Prize” në 2016. I seleksionuar për konkurrimin ndërkombëtar mes 3200 veprave nga gjithë bota, në 70 vepra të ekspozuara fitova çmimin e parë.
Rreth 40 përqind e punëve tuaja i dedikohen emigrimit, kjo është arsyeja që në konkurse ju quajnë “Njeriu me valixhe”?
Punët me subjekt valixhen kanë dalë gjithmonë të suksesshme, mund të përmend shumë vepra që janë vlerësuar në botë. Njeriu me valixhe në dorë, ‘Valixhja bosh’ u vlerësua në Francë në 2006 me çmim të parë. Në Portugali njerëzit që mbyten ishte një variant po i kësaj, çmim i parë dhe në Londër, kjo e fundit më solli fat. Më quajnë ‘njeriu me valixhe’ sepse valixhja ka dalë më e fortë se sa emri im. Ajo më prezanton mua sepse është një gjë që i mungon tregut artistik, kjo valixhe jep një mesazh. Sepse unë jam i pari që kam marrë valixhen dhe jam larguar nga Shqipëria në vitin 1993. Në këtë valixhe edhe unë jam pjesëtar, duke vizatuar një lloj autoportreti.
Pse u larguat në 1993 nga Shqipëria?
Nuk u largova si refugjat, por me një ftesë nga Bashkia e Riminit për një ekspozitë. Alfredo, një fotograf italian që vinte në Shqipëri, pa ekspozitën timë në galerinë e Vlorës dhe ai ftoi mikun e tij Flavio për të parë ekspozitën. Flavios i pëlqyen veprat e mia. Më tha që donte të bënte në Itali ekspozitën time. Ishte pikërisht kjo ftesë për të marrë pjesë në panairin “Miqësia midis popujve”, ku duke parë reagimin e publikut me punimet e mia më bënë ftesë të qëndroja atje. Kam qenë dhe në Stamboll para hapjes së ’90 dhe nuk e bëra, sepse atë kohë nuk më ngacmonte shumë ikja nga vendi im. Arsyeja që mora këtë vendim ishte se puna ime në Itali u aprovua, ndërsa në Shqipëri ato kohë nuk ndjeja sadisfaksion në punën time, ndaj mora vendim të qëndroja atje. Ishte momenti që lapsi nuk duhej të vizatonte më këtu, por të spostohej kavaleti në Rimini.
Ishit 19 vjeç kur fituat çmimin e parë në konkursin e revistës “Hosteni”. Si e kujtoni atë kohë?
Konkursi i “Hosteni” bëhej çdo vit, ishte një revistë e organizuar shumë mirë. Bënte konkurse vjetore të artistëve ku vlerësonte me çmimi karikaturistët dhe pamfletët. Atë çmim që kam marrë atë kohë e ruaj ende dhe më jep kënaqësi kur e shoh edhe pse kanë kaluar dekada nga ajo kohë.
Pas “Hostenit” ju vijuat këtë krijimtari, sa i vështirë ishte vizatimi i problemeve?
Fillova te revista “Hosteni” me karikaturën, më pas si ilustrator kopertinash dhe u bëra nga më të rëndësishmit për karikaturën e faqes së parë. Nuk kritikoja botën, por problemet e vendit. Nuk kritikoja problemin fizik të personit, por merresha me dukuritë. Kritikoja për tu përmirësuar shoqëria. Përpiqesha përmes karikaturës humoristike dhe atje kam bërë goxha, dhe sistemit të asaj kohe i vinte për shtat kjo gjë. Te “Hosteni” filloi bërthama ime, ishte shkolla ku u brumosa. Më pas vazhdova me karikaturën problematike shoqërore, ku vizatoja probleme të ndryshme sociale. Sa ika në Itali bëra “Valixhen” dhe mora çmimin e parë sa shkova atje, në një konkurs në Torino.
Fitues i 100 çmimeve ndërkombëtare, një vlerësim i merituar që ju ka bërë ndër artistët e njohur në botë?
Ndjehem i vlerësuar dhe kam marrë kënaqësi që në çdo marrje çmimi u njoha me shumë artistë. Në Portugali kam marrë tre çmime “Penelat e Portugalisë”. Dita e çmimit përkoi me ditëlindjen time, një ceremoni, ku juria këndoi në portugalisht. Këto janë momente të veçanta që mbeten në krijimtarinë time. Në konkurset ndërkombëtare që kam marrë pjesë në botë, thuajse i kam fituar të gjitha. Numëroj më shumë se 100 çmime, madje kam fituar në të njëjtin konkurs për herë të dytë edhe të tretë.
Për tre dekada i vlerësuar nëpër botë, po në Shqipëri a jeni vlerësuar?
Kam vlerësime ndërkombëtare, vetëm në Shqipëri nuk kam marrë çmim. Kam ardhur vetëm me ekspozita vetjake në Shqipëri. Vepra që fitoi çmimin në Londër po të ishte këtu mund të ishte një kërkesë për të qenë një vepër që i dedikohet emigrantëve. Në Vlorë afër portit e imagjinoj si një skulpturë në bronz. Kam dëshirë t’iu dedikoj një vepër njerëzve që ikën nga ky vend. Shpresoj t’ia arrij. E kam menduar që ekspozita “Rrënjët” të jetë çdo vit në Tiranë.
Botuar në revistën BORDO – Mars 2018



















