KreuArt

Fakte mbi markën elegante të stilit francez, Isabel Marant

Kulti i Isabel Marant

Marka elegante e stilit francez është kthyer prej vitesh në një kult për dishepujt e modës, kjo pasi emri i stilistes Isabel Marant përmes frymës bohemiane që futi në dizenjimet e saj, arriti të sillte një tjetër këndvështrim jo vetëm për veshjet, por edhe aksesorët.

Ndikimi i babait

Emri i saj i vërtetë është Isabelle, ajo vendosi të përdorë emrin e saj si një markë, nën ndikimin e të atit, I cili ishte një natyrë e lirë dhe krijuese. Qysh fëmijë, Marant vidhte pulovrat prej kashmirit të babait të saj dhe niste të eksperimentonte me to, duke krijuar çarje ose modele që e frymëzonin për stilin e saj të ardhshëm bohemian.

Muza e saj 

Përtej modestisë, e pranon se vetja është muza e saj më ë mirë. “Unë jam klienti im i parë. Qasja ime ka qenë gjithmonë: a do të doja të vishja këtë veshje?” Edhe kur stilon për prêt-a-porter, ajo nuk do që të bëjë ndonjë revolucion në botën e modës, por thjesht që ajo që ka krijuar të mos mbetet në dollapin e rrobave.

Çantat 

Ajo dhe partneri i saj, Jérôme Dreyfuss krijuan stilin e çantave të dorës të shoqëruar me shumë aksesorë. “Gruaja ime humbet gjithçka, kështu që unë thjesht përpiqem t’ia lehtësoj jetën”, shpjegon Jérôme Dreyfuss, i cili është edhe partneri në biznes. Ata revolucionarizuan botën e aksesorëve me çantat e tyre në formë bohemiane.

Formula Marant 

Ajo ka një formulë stili e cila është unike: Një palë xhinse të ngushta, një palë këpucë të sheshta dhe diçka që ngjan pak me një xhup, bluzë apo një xhaketë e mirë. Ky stil kaq i lirë, ka qenë pika e fortë e Marant që në fillimet e saj, ndaj edhe emra të njohur kanë arritur të trokasin rregullisht në derën e saj. Tendenca që stili francez të përshtatet me komoditetin, sportivitetin, por edhe elegancën, mbeten arma e saj më e fortë.

Bohemia 

Ajo unifikoi stilin e saj bohemian duke udhëtuar nëpër botë nga Maroku në Poloni, duke parë sesi mjeshtrat e përpunimit të pëlhurave arrinin t’u jepnin një rëndësi akoma më të madhe materialeve, e më pas përpunimit të tyre në veshje të cilësisë së lartë. Kjo eksperiencë udhëtimesh gdhendi përfundimisht emrin e saj mes stilistëve që kontribuan për stilin bohemian dhe urban të pas viteve 1990.

Botuar në Reviata BORDO, Qershor 2021

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF