KreuArt

Eglantina Cenomeri shkrin akullnajën

Nga Olsi Kolami

Kinemaja, e vetmja gënjeshtër e sinqertë, i vetmi art i gjallë…
Nën petkun e Marta Junior, aktorja Eglantina Cenomeri tronditi emocionalisht skenën e teatrit në kryeqytet. Ky rol ishte një dedikim ndaj femrës shqiptare, sakrificave të saj për të qenë e dukshme me rolin e saj në shoqëri. Për Eglantina Cenomeri, nuk ishte e lehtë të zbulonte pjesën e padukshme të akullnajës së grave si Marta, por në fund ndihet e privilegjuar nga emocioni që i dhuroi ky rol. Në këtë intervistë për Bordo, ajo rrëfen për impenjimet në teatër dhe kinema, përkushtimi në misionin e pedagoges, pa harruar të zbulojë edhe disa pasione si filozofia, leximi dhe një këndvështrim ndryshe ndaj të bukurës…

Drama “Marta” e cila u shfaq së fundmi në teatër, tregon për sakrificat dhe përpjekjet e femrës shqiptare, ku mendoni se goditi mesazhi i saj?

Mendoj që “Ne nuk lindim gra: ne bëhemi të tilla. Asnjë fat biologjik, psikik, ekonomik nuk e përcakton trajtën që merr në gjirin e shoqërisë femra njerëzore; është tërësia e qytetërimit ajo që përpunon këtë produkt të ndërmjetëm midis mashkullit dhe tredhakut që ne e cilësojmë femërore. Ajo kërkon sot të marrë pjesë në lëvizjen përmes së cilës njerëzimi tenton vazhdimisht ta përligjë dhe të kapërcejë veten; ajo nuk mund të pranojë të japë jetën veçse nëse jeta ka një kuptim; ajo nuk do të mund të jetë nënë pa provuar të luajë një rol në jetën ekonomike, politike, shoqërore…”

Po tek ju çfarë ndjesish përcolli roli i Martës?

Marta Junior ka qenë një privilegj për tu interpretuar, jo vetëm nga vështirësia, dualiteti dhe kompleksiteti i rolit, por nga ajo që i vodha dhe i mora Martës: nga ana emocionale si njeri, si grua, si femër. Kur je pjesë e këtij teatri që luhet në realitet në jetë, teatri më real ku ti nuk gënjen dot përballë vetes, është ai i skenës që të përplas me ndjenjat, vërtetësitë që ndjen si femër. Si Marta Junior në rol, unë përfaqësoj gjysmën tjetër të Martës, e cila e ka ngrirë për shumë vite në akull, përplasja me Martën, vetveten e saj, kur ajo ndodhet e vetme në mes 3 brigjeve: dashurisë, lirisë dhe ardhmërisë. Mendoj që këto rrugë pa të cilat nuk jetojmë dot, e kanë bërë publikun të mendojë dhe të përjetojë jetën e tij nëpërmjet Martës.

Mbijetesa në një shoqëri shtypëse dhe denigruese, është vetëm pjesa e dukshme e akullnajës, a e takojmë Martën në realitetin tonë?

Mbijetesa në një shoqëri tradicionale, është vetëm pjesa e dukshme e akullnajës që quhet Marta. Femra që mohojnë lirinë dhe në të njëjtën kohë falin liri për dashurinë. Marta lufton për të ruajtur shpirtin e paprekur, lufta me vetveten është sfida e saj e fundit. Marta i kushtohet femrës shqiptare. Mendoj se akoma jetojmë në një shoqëri patriarkale, ku roli i femrës vështirë të pranohet si e barabartë me të drejta dhe barazi të plotë.

Keni pasur disa angazhime ne kinema, çfarë emocionesh ju fal ajo?

Kinemaja është gjuha që flet për të ardhmen, pavarësisht historive që tregojnë të shkuarën. Nuk mendoj që kinemaja duhet të imitoje jetën. Ajo duhet ta tregojë me gjithë ngjyrat e saj, pavarësisht se jo gjithmonë janë të duhurat, pashmangshmërisht ajo tregon një emocion real. Ashtu si teatri në një formë tjetër, por me përmbajtje të njëjtë, është e vetmja dritare që merr dhe jep emocion në kohë reale. E vetmja gënjeshtër e sinqertë i vetmi art i gjallë.

Jeni aktore e re, por aktive në skenë, sa punon për teatrin për të qenë pjesë e tij?

Në realitetin shqiptar, kushtet dhe mundësitë për profesionin tonë nuk janë të shumta dhe aspak të lehta, gjithsesi puna dhe pasioni tejkalon çdo vështirësi për të punuar në teatër, meqenëse teatri fizikisht është më i lodhshëm dhe do dedikim të përditshëm.

Sa është e vështirë të ndërtosh jetën artistike në teatër?

Asgjë nuk e është e lehtë mendoj mbi të gjitha, kur puna që bën është pasioni jot dhe nuk do bëje dot pa atë. Mendoj që jam me fat, sepse akoma bëj atë që dua.

Pedagoge në Akademinë e Arteve dhe Fakultetin e Filozofisë, si i keni raportet me studentët?

Filozofia është një tjetër pasion dhe përkushtim, që i jam dedikuar nga dëshira dhe kurioziteti për jetën, realitetin, dhe ç’ka më rrethon. Pedagogjia më jep një dëshirë tjetër për të njohur dhe zbuluar veten përballë studentëve, të cilët mendoj që janë një burim frymëzimi për ta çuar dijen tonë më tej sëbashku. Jam shumë mike me studentët dhe luftoj të më shohin të tillë.

Po tjetër, çfarë e plotëson ditën tuaj?

Më pëlqen shumë sporti, jam një vrapuese e rregullt, gjithashtu mundohem të jem në korrent të jetës artistike në qytet, duke ndjekur programin kur jam e lirë.

Çfarë ju mungon nga aktiviteti artistik?

Do të doja që shfaqjet që vihen të kenë më jetëgjatësi, duke udhëtuar nëpër teatrot e Shqipërisë apo duke marrë pjesë në festivale. Mendoj që i mungon aktorit ky realitet, që shfaqjet të mos ‘vdesin’ kaq shpejt.

Si nisi aktrimi për ju?

Nuk ka nisur rastësisht. Kam mbaruar Akademinë e Arteve, dega Regji me dëshirë dhe përkushtim, pastaj pak nga pak jam aktivizuar në teatër dhe kinema, besoj kam krijuar besim dhe punoj akoma për ta mbajtur. Çdo ditë është një ditë e re.

Në vijim të rrugës tuaj artistike, cili do të jetë projekti i radhës?

Në plan është një film me metrazh të shkurtër dhe një serial tjetër, ndërkohë “Marta” do të vazhdojë të shfaqet në teatër në Tiranë, ndërkohë shpresojmë të realizojmë një turne në Shqipëri.

Sa vëmendje i kushtoni paraqitjes, cili është stili juaj i veshjes?

Nuk mendoj që një aktore e re duhet domosdoshmërisht t’i kushtojë vëmendje stilit dhe veshjes. Besoj fort që eleganca buron nga një përmbajtje dhe jo formë. Paraqitja për mua nuk është qëllim në vetvete, është diçka që ka të bëjë me ndjesinë, humorin, natyrën e të qenit femër.

Po letërsia për ju? Cili është libri i fundit që keni lexuar?

Marrëdhënia ime me letërsinë është e pandarë, marrëdhënia më e sinqertë me veten: Bota është ferr e më të shumtët nuk e dinë. Ca e pandehin parajsë, të tjerë purgator, e ca më të tjerë vërtet për ferr, ca për të tëra këto më sipër, por me dalje. Spektri është ca më i gjerë, por po dua t’i bie shkurt. Pak a shumë kjo është gjendja ime shpirtërore mes leximesh (qesh). Për momentin jam duke lexuar Milan Kunderën “Identiteti”.

 

Botuar në Mars 2017 – Revista BORDO

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF