Profil i një prej njerëzve me më shumë influencë në botë, burri që jeton në planetin Tokë, por ëndërron dhe e sheh të ardhmen e njerëzimit në planetin Mars.
Është një ditë e nxehtë dhe me erë në Starbase, baza e fabrikimit dhe lëshimit të raketave në jug të Teksasit. Dy raketa me hundë me majë, duken në horizont, silueta e tyre shkëlqen prej së largu nga reflektimi i rrezeve të diellit. Elon Musk ëndërron për Marsin teksa qëndron në Tokë. Ky është njeriu që aspiron të shpëtojë planetin tonë dhe të na sjellë një të ri për të banuar. Nga makinat tek raketat, shërbimet kripto dhe interneti, ndikimi i Elon Musk në jetën tonë po rritet çdo ditë. Ndaj revista Time e shpalli vitin e shkuar CEO-n e Tesla dhe SpaceX, si Personi i Vitit, për arritjet e pabesueshme 12 mujore, duke hyrë në garë për kurorën e njeriut më të pasur në botë, duke e kthyer llogarinë e tij në Twitter një domosdoshmëri për t’u lexuar, falë shprehjeve nga ato më bizaret tek më motivueset. Disa e kanë konsideruar gjeni, të tjerët të çmendur për idetë e tij jo të zakonshme, edhe pse ai e ka provuar disa herë se i kthen në realitet të gjitha dëshirat e tij. Kompania e raketave SpaceX, ka tejkaluar Boeing, ndërsa Tesla, kontrollon sot dy të tretat e tregut shumë miliardë dollarësh të automjeteve elektrike dhe vlerësohet në 1 trilion dollarë. Kjo e ka bërë Musk, me një pasuri neto prej më shumë se 250 miliardë dollarë.
“Nëse shpreh një dëshirë kur sheh një yll që bie nga qielli, ëndrrat e tua mund të realizohen, ose mund të jetë një meteor që bie në Tokë dhe të shkatërron jetën” ky slogan, për shumicën e njerëzve, do të quhej thjesht humor i zi, por jo për Musk, i cili e konsideron padyshin një nga ambiciet e tij. Kjo është arsyeja që New York Times e ka quajtur “sipërmarrësin më të suksesshëm dhe më të rëndësishëm në botë. Ai është ndoshta i vetmi person që ka krijuar katër kompani miliarda dollarëshe si: PayPal, Tesla, SpaceX dhe Solar City. Aktualisht ai është edhe një një biznesmen edhe në sektorin e robotikës dhe energjisë diellore, kriptomonedhave dhe klimës, e padyshim një tentativë e guximshme drejt inteligjencës artificiale.
Musk ka sfiduar urrejtësit e tij, por tani me sa duket, nuk i bën asgjë përshtypje, madje arrin në atë pikë sa të provokoje me ide gazmore. Për Musk, pasuria e tij është thjesht një efekt anësor i aftësisë së tij, për të bërë gjëra që të tjerët nuk munden.”Ai u rrit në një mjedis të vështirë dhe lindi me një tru shumë të veçantë,” thotë Antonio Gracias, miku i ngushtë i Musk prej dy dekadash. Një ambicie e tillë kozmike si ajo e CEO-s së Tesla ka bërë që ai të guxojë përtej parashikimeve. Kompanitë e tij janë përballur me akuza për ngacmim seksual dhe kushte të këqija pune. Vitin e shkuar një juri federale urdhëroi Tesla-n t’i paguante 137 milionë dollarë një punonjësi me ngjyrë, i cili akuzoi prodhuesin e makinave për racizëm. Bashkëpunëtorët e përshkruajnë Musk si mizor dhe fyes, veçanërisht kur është i frustruar ose i sfiduar haptazi nga dikush. “Ai është shumë i ditur sidomos kur bëhet fjalë për biznesin dhe financat, por i mungon empatia me njerëzit”, thotë vëllai i tij dhe partneri në biznes, Kimbal Musk. I lindur në Pretoria në vitin 1971, Elon ishte i prirur ndaj leximit të enciklopedive. Kur ishte 12 vjeç, ai shkroi kodin për një video lojë të quajtur Blastar, të cilën ia shiti një reviste kompjuterike për 500 dollarë. “Ai ishte gjithmonë ndryshe. Ai ishte djali im i vogël gjenial”, thotë nëna e tij, Maye Musk për Time. Nëna e Musk ishte një modele, ndërsa i ati ka qenë ai që e mundoi atë psikologjikisht, periudhë të cilën ai nuk e fsheh që ka qenë shumë e dhimbshme, ndaj edhe sot nuk ka më kontakte me babanë e tij.
Botuar ne Revista BORDO,Shtator 2022!



















