Nga Nada Biraçi
Fotografia: Geljant Kaleci
Veshjet: COIN
Si ishte kjo verë për ty? Ku pushove? Cila është gjëja më interesante që ke bërë këtë verë?
Vera është stina e cila krijon aq sa mungesën e hapësirës për t’ju dedidukuar vetes por po aq edhe momente reflektimi për atë që na pret në shtator. Unë përpiqem të pushoj pak sa herë kam mundësi. Për shkak të punës ne gazetarët nuk e kemi luksin e shumë ditëve pushim, megjithatë atë 15 ditësh që nuk jam në punë mundohem ta shfrytëzoj maksimalisht për të pushuar dhe për t’u relaksuar. Mbase rrjetet sociale krijojnë ndonjëherë idenë se jemi gjithmonë në udhëtime, apo duke kaluar momente relaksi por kjo është një tjetër temë. Gjithsesi këtë verë vizitova Parisin, dhe kur them e vizitova jo vetëm si turist por edhe si gazetar, duke humbur nëpër rrugicat dhe qoshet e panjohura. Pjesa tjetër e pushimeve ishin në bregdet, në Jug të Shqipërisë. Pata edhe disa udhëtime të tjera por meqë kanë qenë më shumë për çështje pune nuk po i rendis këtu. Ajo që doja të shtoja është se jo të gjithë kanë mundësi të bëjnë pushime, ato janë një moment delikat për shumë familje apo njerëz. Përpiqem të jem sensitiv me atë kategori duke mos shfaqur shenja teprimesh apo rënie në vanitete të panevojshme.
Çfarë i bën pushimet e tua të paharrueshme; shoqëria, vendndodhja, romancat apo…?
Ka disa elementë te cilët do t’i bënin pushimet të paharrueshme. Unë mendoj se kur nisesh me pushime, ti, kushdoqofsh nuk e di se ato do të jenë pushime të paharrueshme. Por surprizat që të krijon një vend, momentet që kalon aty, ndjesia që të përshkon ty dhe qenien tënde e bën pushimin te paharrushem. Unë jam mësuar të udhëtoj vetëm, është diçka që më jep kënaqësi kur dua të mendoj apo të kuptoj çfarë po ndodh me jetën time. Në kohët që jetojmë rutina dhe intensiteti i gjërave na ka larguar pak nga raporti me veten. Por unë jam një njeri që mund të kaloj në një fraksion sekondi nga të qenit rehat vetëm, tek pjesa duke u argëtuar në shoqëri. Është një proces që më vjen natyrshëm.
Kalimi nga kravata e lajmeve tek spektaklet, apo studio e Opinion duket se ndodh fare natyrshëm për ty. Por cili është Drini, ai i vërteti në këto ‘role’?
Është e vështirë ta përkufizosh veten, aq më tepër kur hyn tek ata njerëz që beson se qenia njerëzore e zhvilluar mund të bëjë shumë gjëra. Kam nisur të punoj që i vogël, gjysma ishte pasioni i madh, dhe gjysma tjetër ishte nevoja që kemi pasur dhe kemi në familje për të ardhurat mujore. Puna për mua s’ka qenë dhe uroj të mos kthehet në luks. Por për fat kuptoj se ja kam dalë ta bëj të duket si e tillë. E vetmja gjë që më vjen në mendje për këtë është se e dua shumë punën time ndaj mbase edhe duket e tillë. Nëse kam një kamera përballë nis një komunikim, unë nis të mendoj se ka njerëz që po më ndjekin. Ky është hapi i parë, pastaj është e natyrshme që komunikimi varet nga lloji i programit që ti po bën para apo pas kamerave. Ka momente kur ka ngarkesë dhe presion dhe këtë zakonisht e krijojnë ngjarjet e minutave të fundit të cilat sjellin pak kaos informacionesh.
Ata që të njohin e dinë që ti njëjtë bën edhe kalimin nga serioziteti i një folësi lajmesh tek batutat e çlirëta të një miku të mirë dhe me humor.
Unë jam një natyrë me shumë humor. Me këtë dua të them që më pëlqen gjendja pozitive që njerezit kanë kur janë të lumtur, kur komunikojnë bukur, kur hedhin dhe presin batuta. Besoj se është pikërisht fjala ajo që ne njerezit na bën kaq unikë. Ne e përdorim atë në forma nga më të ndryshmet. Unë nuk jam ndonjë gjeni i këtij sektori dhe besoj nuk ka të tillë, por dua ta zhvilloj veten çdo ditë, gjej elemente nga më të ndryshmit për të pasuruar atë që di. Për të futur elemente të rinj e për të lënë pas gjëra të vjetra. Mund të them se kam një simpati absolute për njerëzit që fjalën, shprehitë, qasjen me komunikimin e kanë pikën e tyre të fortë. Besoj se kjo është dhe një nga pikat e mia të cilat njerëzit do të donin të vlerësonin.
Programi apo impenjimi mediatik për të cilin ke ambicje dhe ende nuk e ke bërë, cili do të ishte?
Mua më pëlqen të intervistoj njerëz, karaktere, individë me personalitete të fortë, gra dhe burra që spikasin në shoqëri. Rrëfimi është një zotësi e veçantë, po aq e veçantë është dhe aftësia për ta bërë dikë të rrëfejë. E kam në kokë një format brenda kësaj natyre dhe jam duke punuar për të gjetur vendin dhe kohën e duhur për ta realizuar.
Drini sot më shumë se 20 vite pasi u shfaq në ekranin e vogël, nëse kthen kokën pas dhe sheh rrugën që ke shtruar çfarë mendon? E bën ndonjëherë këtë bilanc jete?
Puna ime, karriera, jeta ka qenë dhe është kaq dinamike sa shpesh nuk kam pasur kohë të mendoj. Por si një njeri i medias do doja të kisha bërë më shumë për të sjellë zërin e vërtetë të njerëzve që na ndjekin. Shpesh jo çdo gjë është në dorën tonë, shpesh jo çdo gjë varet nga ata që shfaqen në ekran. Nga eksperienca mendoj se media ende vijon të jetë një ambjent kaotik, me problemtatika sa i takon meritokracisë. Unë e kam nisur nga zero, nuk kam kapërcyer asnjë shkallë dhe nuk kam patur kurrë asnjë mik. E vetmja gjë që më mban është puna dhe vlera që secili nga ne ka në treg.
Jemi në nisje të sezonit të ri televiziv; do të ketë ndonjë ndryshim në punën tuaj?
Këtë as unë nuk e di. Kjo pasi jam në kërkim të rritjes time të vazhdueshme profesionale. Nuk është gabim të kërkosh më shumë pas 20 vitesh. Sigurisht unë nuk jam perfekt, kam pasur edhe une momentet e mia të dobësive. Ka momente kur ndien se gjërat nuk janë aty ku duhet të jenë. Por unë kam shumë besim te vetja. Falë zotit dhe familjes këtë asnjëherë s’e kam humbur, ditën e parë që do mendoj se nuk duhet të jem në këtë sektor padyshim e kam një plan B. Por kam akoma shumë për të dhënë dhe mendoj se do gjej çdo formë për të sjellë punën time tek ata që duan të më ndjekin.
Cila ka qenë periudha më sfiduese në jetën tuaj në karrierë apo jetën personale?
Kam ecur gjithnjë në një vijë të hollë rreziku, nuk e di për cilat shkaqe tamam, jeta ime profesionale ka qenë gjithmonë plot sfida. Mbase është diçka e cila më thërret. Jam shumë larg ditëve monotone dhe uroj të mos i kem kurrë të tilla në jetë. Jeta ime personale, familjare është si e çdokujt në këtë vend apo në botë. Ka momente lumturie ka edhe ditët kur do doje thjesht të mos ekzistonin. Por unë jam aq i rritur sa të pranoj se kjo është jeta. Duhet shumë guxim dhe durim për të nisur çdo ditë të re. Duhet shumë dashuri për veten, për njerëzit më të afërt. Unë jetoj çdo ditë jo vetëm për veten por që pas humbjes së babit, që ishte moment thelbësor që ndikoi në rritjen time, tani unë kam një detyrim për nënën dhe motrën time.
Çfarë dilemash, dëshirash, ëndrrash kishte Drini 18 vjeç dhe ç’formë kanë sot pas 20 vitesh?
Është një shprehje që nëse ëndrrat e tua nuk të trembin, ato nuk janë të mëdha mjaftueshëm. Më pëlqen dhe ëndrrat gjithnjë i lënë vendin njëra-tjetrës. Para 10 vitesh nuk e kishe diçka, sot e ke. Diçka që e ëndërron sot do e kesh mbas 10 vitesh, ashtu sikur njeriu duhet të pranojë se jo të gjitha ëndrrat një ditë bëhen realitet. Jeta nuk është si në thëniet e internetit apo si në filmat me fund të bukur. Jeta është ajo ndodh ndërsa t’i përpiqesh të bësh plane për një jetë më të mirë.
Bullizmi apo problemet e shëndetit mendor janë tema që po trajtohen në botë çdo ditë e më shumë nga personazhë të njohur VIP, ti je përballur ndonjëherë me këto?
Unë e kam shumë të fortë marrëdhënien me veten në këtë aspekt. Kam një sistem mbrojtës që e kam ndërtuar vit pas viti që nga adoleshenca. Por kam njerëz pranë të cilët i kanë vuajtur këto probleme. E di sa e vështirë është të ecësh para dhe të vazhdosh jetën normalisht. Do doja që shoqëria, politika, media të jenë më të ndjeshme për njerëzit që kanë probleme të shëndetit mendor, apo vuajnë bullizëm të formave të ndryshme. Shpesh kur bëj diçka, mendoj po ty a do doje të ta bënin? Është e thjeshtë si moto, por është kaq e vështirë për t’u aplikuar çdo ditë. Mos i bëj tjetrit atë që s’do doje të të bënin ty.
Çfarë mendon se ndihmon për t’i kaluar periudha të tilla?
Leximi, takimet me miqtë dhe e folura me ata që të kuptojnë. Këto janë tre gjëra që unë i këshilloj. Sa më shumë kalojnë vitet aq më i vogël bëhet rrethi i njerëzve që ne kemi pranë. Ndaj tek ta duhet investuar që të jenë gjithmonë aty për ty. Nëse dikush me probleme të tilla e lexon këtë intervistë do t’i thosha se gjysma shërimit apo zgjidhjes së problemit është të pranojmë se kemi një problem. Duhet të ndërtojmë mure mbrojtës të fuqishëm dhe të ruajmë pjesën tonë më delikate.
Drini dhe fama çfarë marrëdhënie kanë?
Shumë e natyrshme, për aq sa mund të quhet famë. Jetojmë në një vend të vogël, ku njerezit njihen, dihet cili është investimi që ata kanë bërë ndër vete në karrierën e tyre. Çdo gjë tek unë ka ardhur hap as hapi profesionalisht dhe njohja tek njerëzit nuk ka qenë qëllim në vetvete. Unë e harroj shpeshherë që njerëzit më njohin për punën që bëj sepse nuk e ndaj veten asnjëherë nga ata që s’kanë një pozicion publik.
E mban mend ‘crush-in’ e gjimnazit? Di ç’bëhet me të sot?
Përderisa quhet ‘crush’ e mbaj mend. Por të them të drejten nuk e di se çfarë bëhet me të. Por njerëzit ruajnë vend në kujtimet e tyre për aq sa diçka ka qenë e bukur. Nëse do fillosh të kërkosh për jetën e dikujt mbase mund të rikthesh kujtime të së shkuarës që mund të komplikojnë gjërat. Mua më pëlqen të shoh gjithmonë përpara.
Si do ta përshkruaje Drinin e dashuruar?
Vetëm kësaj pyetje nuk di t’i jap një përgjigje sepse besoj jam shumë i komplikuar në raportet me dashurinë. Mendoj se është më mirë përgjigjen ta japë dikush që më sheh nga jashtë si dukem i dashurar. Por si çdo qenie njerëzore me të gjitha emocionet që ka ndjenja më e bukur në botë.
Ke dalë apo do dilje ndonjëherë në një takim dashurie me një fanse?
Jo nuk besoj se ka ndodhur.
Cila do të ishte superfuqia që do të doje të kishe?
Gjithmonë më ka pëlqyer të lexoj mendjet e njerëzve.
A ka një këngë që mendon se e përshkruan më së miri jetën tënde
Jo, më duket e vështirë ta përkufizosh jetën me një këngë, me një libër, me një film. Nuk e di por ka shumë këngë të cilat siç ndodh me miliona njerëz në botë të kujtojnë momente nëpër të cilat ka kaluar jeta.
Si do ta quaje yacht-in tënd nëse do ta kishit një të tillë?
Nuk e di! Më duket shumë e parëndësishme kjo gjë. Rëndësi ka vetëm sa i gjatë është.
Cilat janë disa gjëra që duken si komplimente, por në fakt janë fyerje?
Ka shumë momente kur njerëzit përpiqen të jenë të sjellshëm por mund të fyejnë dikë. Komentet për formën fizike, për tiparet, gjërat të cilat ne nuk i kemi në dorë por kemi ardhur në jetë si të tillë. Këto janë gjëra për të cilat në njerëz të caktuar mund të sjellin edhe lëndime.
Cila është një pjesë e trupit që nuk të pëlqen fare tek vetja?
Nuk besoj se kam një të tillë.
Nëse do t’ju jepej një vend reklamimi një minutësh gjatë Super Bowl, me çfarë do ta mbushje atë?
Me tërheqjen e vëmendjes për të treguar më shumë kujdes ndaj tre kategorive sot në botë; fëmijëve, të moshuarve dhe njerëzve me probleme të shëndetit mendor.
Cili është talenti më i padobishëm që ke?
Unë hyj tek njerëzit që talenteve që shfaqen brenda nesh, është mirë t’ua gjesh vendin dhe t’i kthesh për sa mundesh në të dobishëm.
Botuar në Revista BORDO, Shtator 2022



















