Nga Dr. Klaudia Stajka – Kirurge ORL dhe estetike
Prenotimi i konsultës për korrigjimin estetik te hundës është hapi i fundit para vendimit për ta kryer atë. Me siguri ju do të jeni i emocionuar ate ditë, kështu që si mund të siguroheni që të merrni të gjithë informacionin e nevojshëm Mënyra më e mirë është të keni disa pyetje të parapregatitura per t’ia drejtuar kirurgut tuaj. Për këtë ju vjen ne ndihmë dr. Klaudia Stajka- kirurge ORL dhe estetike.
Për të përcaktuar nëse jeni i përshtatshëm për rinoplastikë, kirurgu fillimisht do të sigurohet nëse ju jeni klinikisht i shëndetshëm dhe më pas do të kryejë ekzaminimin fizik të hundës, lëkurës dhe kërcit tuaj. Kirurgu do të analizojë hundën tuaj në lidhje me tiparet e tjera të fytyrës për të vlerësuar nëse operacioni mund të ndihmojë për të arritur një harmoni më të mirë të përgjithshme. Disa nga indikacionet se ju mund të jeni një kandidat i mirë për rinoplastikë janë:
Hunda juaj duket shumë e madhe për fytyrën tuaj
Hunda juaj duket shumë e gjerë
Ju keni një gungë në urën tuaj
Maja e hundës është e rënë
Maja e hundës është bulboze
Vrimat e hundës janë tepër të mëdha
Hunda juaj është jashtë aksit ose e shtrembër
Ju keni një septum të devijuar/ vështirësi në frymëmarrje
Nëse keni një ide të qartë se si do të dëshironit të dukej hunda juaj, është e rëndësishme t’ia komunikoni këtë kirurgut tuaj. Mundet të merrni me vete disa fotografi të hundëve “ideale” për të ilustruar kërkesat që keni. Me këtë kornizë referimi, kirurgu do të jetë në gjendje të këshillojë se çfarë është ose çfarë nuk është e mundur. Një kirurg i mirë do të jetë i hapur dhe i sinqertë për rezultatet që mund të prisni për t’u siguruar që nuk do të zhgënjeheni. Nga ana tjetër, ju duhet të jeni “me këmbë në tokë” lidhur me kërkesat tuaja.
Rinoplastika mund të kryhet në dy mënyra – ose nëpërmjet prerjeve të bëra brenda vrimave të hundës ose nëpërmjet një prerjeje të bërë në pjesën e jashtme të hundës. Nëse keni indikacion për kirurgji të mbyllur apo të hapur varet së pari nga kompleksiteti i operacionit tuaj; kryesisht e mbyllura indikohet vetëm në defekte minimale; gjithashtu edhe kirurgu ka metodën e tij të preferuar të punës, atë ku ai personalisht kënaqet më shumë me rezultatin final. Diskutoni gjatë konsultës cila metodë është më e mira për ju.
Kirurgët janë si artistët, secili ka stilin dhe shijet e veta individuale në atë që quajnë “hundë perfekte”. Shikimi i shembujve të punës së tyre jo vetëm që do t’ju sigurojë se ata janë kompetentë në kryerjen e ndërhyrjes, por gjithashtu do t’ju tregojë dhe shijet e tyre estetike. A janë në sinkron me tuajat?
Osteotomia i referohet një etape kirurgjikale në të cilën hunda “thyhet” nëpërmjet një osteototomi (daltë dhe çekiç). Kjo metodë tashmë i përket erës së vjetër. Kirurgjia plastike moderne këtë etapë e realizon nëpërmjet një pajisje të quajtur Piezo. Piezo përdor ultratingullin për të modeluar kockën pa dëmtuar indet e buta përreth. Kjo garanton një precizion të lartë operator, traumë minimale dhe kohë rikuperimi më të shpejtë për pacientin. Ju duhet të pyesni kirurgun tuaj nëse është në koherencë me të rejat e fundit në fushën e rinoplastikës dhe nëse është i trajnuar për ta aplikuar këtë teknologji.
Kërci për kirurgun e rinoplastikës është si druri për zdrukthëtarin. Në rinoplastikën primare, kërci septal i gjendur në hundë është i mjaftueshëm. Ky kërc shpesh mungon ose shkatërrohet te pacientët që janë goditur shumë fort në hundë (boksierët), në pacientë me histori të abuzimit me kokainë, me sëmundje autoimune apo ata që kanë kryer një rinoplastikë të mëparshme. Në raste të tilla grafti mund të sigurohet nga kërci i veshit, i brinjës ose mund të përdoret kërc i gatshëm i rrezatuar kadaverik. Ky detaj, në të shumtën e rasteve, përcakton kohëzgjatjen e interventit, koston dhe pamjen finale.
Rinoplastika e revizionit është kirurgjia korrigjuese e plastikës së hundës. Çdo kirurg në botë ka përqindjen e tij të revizionimeve dhe secili mban një politikë të caktuar ndaj kësaj ndërhyrje. Nëse ju nuk jeni të kënaqur me rezultatin final, është e rëndësishme të dini nëse kirurgu juaj do të jetë i gatshëm për ta rregulluar atë. Pyesni se për çfarë do të mbajë përgjegjësi dhe për çfarë jo. Nëse problemi është pasojë e operacionit, atëherë është e udhës që të mos paguhet tarifë tjetër për revizionimin. Megjithatë, kostot e përgjithshme, të tilla si tarifa e anestezistëve mund të jenë ende të diskutueshme, kështu që ju duhet të interesoheni për mënyrën si vepron kirurgu juaj.
Është shumë e rëndësishme të ndiqni udhëzimet e kirurgut tuaj. Shpesh komplikimet lindin kur pacientët nuk i përmbahen udhëzimeve të dhëna apo marrin këshilla nga burime të tjera. Jini të drejtpërdrejtë në lidhje me çdo aksident të mundshëm të hundës, në mënyrë që ata t’ju japin zgjidhjen më të mirë. Koha është thelbësore për një fund të kënaqshëm. Jepini vetes kohë të mjaftueshme për shërim. Mos u tregoni të padurueshëm për rezultatin final.
Zakonisht pas ndërhyrjes juve do t’ju duhet të mbani për rreth 2 ditë tamponat në hundë dhe pas një jave mund të hiqni allçinë dhe suturat. Optimalja do të ishte qëndrimi 10 ditë në regjim shtëpie dhe më pas rikthimi në aktivitetin e përditshëm. Megjithatë edhe pas ditës së heqjes së tamponave, ju mund të riktheheni në punë nëse jeni në zyrë apo në një pozicion që nuk keni ngarkesë fizike.
Procesi i rigjenerimit postoperator është individual. Nuk ka dy pacientë që janë saktësisht të njëjtë, kështu që ia vlen të pyesni kirurgun tuaj për çdo gjë që mund të përbëjë rëndësi në rastin tuaj. Ju mund të keni lëkurë shumë të trashë ose të hollë, deviacion të septumit, tendencë të shtuar për të formuar edemë apo hematomë; mosha juaj, sëmundjet shoqëruese, fillersat në hundë, traumat, mënyra e jetesës, kirurgjitë e mëparshme, konsumimi i lëndëve narkotike, sigurisht që janë faktorë të cilët përcaktojnë shërimin pas interventit.
Shënim: Ju duhet të keni parasysh që çdo hundë paraqet sfida të ndryshme, prandaj jo çdo gjë është e parashikueshme të diskutohet në konsultën tuaj. Derisa kirurgu të ketë parë “nën çadër”, ai nuk mund të flasë për gjithçka me siguri të plotë. Në shkencën e mjekësisë dhe sidomos në kirurgji nuk ka asgjë absolute.
Ashtu si çdo marrëdhënie në çift, edhe ajo pacient-kirurg kërkon kimi dhe duhet të jetë e bazuar në mirëbesim. Nësë zëri juaj i brendshëm ju thotë se mund t’ia besoni pamjen tuaj kirurgut që keni përballë, atëherë jeni në duar të sigurta, caktoni datën!



















