Muaji gusht njihet edhe si muaji i merkatës televizive, ku drejtues të televizioneve firmosin, rinovojnë apo ndërpresin kontrata me emra të njohur të botës së televizionit. Teksa edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e sezonit të ri televiziv, lajme rreth programeve të reja dhe ndryshimeve në programeve ekzistuese kanë nisur të ‘gumëzhijnë’ prej javësh nëpër portale.
Dy ndër televizionet më të mëdha në vend, Top Channel dhe Tv Klan duket se do ta nisin sezonin e ri në prime-time me spektakle kërcimi që kanë në qendër VIP-at, përkatësisht ‘Dancing with the stars’ në Top Channel dhe ‘Dance with me’ në produksionin e Vera Grabockës e Alketa Vejsiut në Tv Klan. Ndonëse ende nuk ka një datë zyrtare kur nisin këto programe, e sigurt është që sezoni i ri në të dy këto kanale do t’i kushtohet kërcimit.
Një ndryshim që bëri jo pak bujë gjatë ditëve të fundit të verës është ai i vendosjes së dy fytyrave të reja në programin e mëngjesit në Top Channel. Pas disa sezonesh radhazi moderuar nga Ori Nebiaj dhe Isli Islami, vjeshta e këtij viti do të sjelli dy emra të rinj në ‘Wake Up’, siç janë Blendi Salaj dhe Enxhi Nasufi të cilëve drejtuesit e televizionit dhe radios i kanë besuar programin e mëngjesit.
Bora Zemani, një figurë që ‘zhurmoi’ jo pak gjatë moderimit të dy sezoneve të Përputhen, këtë sezon ka firmosur ‘divorcin’ me këtë program pasi do të jetë moderatore e ‘Dancing with the stars’, ndërkohë që vendin e saj në programin e dashurisë thuhet se do të zerë Ori Nebiaj. Nga ana tjetër edhe Isli Islami thuhet se do të ketë një pozicion moderimi në spektaklin e kërcimit, por për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.



















