KreuArt

Bledar Sejko, a dimë të të vlerësojmë sa duhet?!

Nga Ilda Lumani

Një mbrëmje të këtij fund gushti, isha ftuar në Durrës në eventin promovues të Birrës Flea, që organizonte kompania LM Comercial, një nga emrat më të fuqishëm të distilerisë dhe produkteve ushqimore në vend.
Eventi, organizohej në club The Wall, pranë bashkisë në qytetin e Durrësit. Në të performonte grupi The Blue Bird Band. Në pamje të parë emri i bandës nuk më tingëlloi familjar, por sapo pashë në foto Bledar Sejkon hovi dhe dëshira për këtë mbrëmje u shumëfishua.
Nuk ishte hera e parë, që ndiqja live Qepën, siç e njohin të gjithë, (që unë preferoj ta thërras gjithmonë Bledi!), por në fakt më tingëlloi e gjithë nata si hera e parë, që e dëgjoja!

Teksa, drejtonte grupin, me vokalist Einar Nelku, e lundronte nga Elvis Presley tek The Doors, nga Eric Clapton tek Pink Floyd, nga Eagle tek Johnny Cash, nga Guns N’Roses tek Vasco Rossi, nga Nexhmije Pagarusha, tek këngët kushtuar Tironës (Ku ka si Tirona Lale!) gishtat e tij, që nuk shkëputeshin nga kitara të befasonin! Nëpër nuancat personale, që i vishte çdo hiti të dëgjuar me mijëra herë gjeje aty Bledin, dhe një artist, që ndoshta nuk e vlerësojmë sa duhet!!!

Jam e bindur që jo! Jo, sepse thjesht publiku dhe unë që e ndoqëm atë mbrëmje nuk e dinim, nuk e njihnim, apo nuk e kishim parë më parë se çfarë mrekullie i bën asaj kitare Sejko, por sepse herë pas here na duhet një tronditje e tillë ‘live’ për të rikthyer sytë tek artistët e vërtetë! Shkak për të thënë këto gjëra, u bë ndoshta klima e varfër muzikore, mega koncertet e këngëtarëve mediokër, apo edhe fakti, që në një tjetër vend në botë, për të shijuar këtë natë, që ofrohej gratis në The Wall, njerëzit duhet të paguanin për ta parë! Por, mbi të gjitha e vërteta është se kemi një virtuoz si Bledar Sejko, që jo vetëm nuk ja kemi dhënë meritat që i takojnë, pasi ai nuk është nga ata artistët ulëritës që të pretendojë dhe kërkojë vëmendje institucionale, si shumë hipokritë të tjerë që e marrin me zor edhe atë që nuk u takon!

Për të gjithë 40-50 vjeçarët Bledar Sejko, është një idhull, që me daljen e tij të parë në Festivalin në RTSH, u duk se vizualisht na prezantoi pak Beatles, teksa këndonte me Redon Makashin e Morena Reka “Jemi zemrat e çdo moshe” në vitin 1989.

Më pas dyshja Sekjo-Makashi me hitet  “Ju Duam”, “Rruga me fllad Kujtimesh”, “Mos prit deri nesër” u bënë lajtmotivet e rinisë së asaj kohe! Këngë, këto që edhe sot jehojnë kaq bukur! (Më emocionuan po aq teksa i dëgjoja ndërsa shkruaja këtë artikull!)
Në vitin 1992 nga një pop artist të gjithë do të njihnim një rocker që me kitarën e tij do të ishtë pjesë e grupeve më në zë të kohës, nga “Thunder Way” tek drejtimi i bandës së tij “Megahertz”.
Tranzicioni dhe rikthimi në atdhe pas emigrimit në Itali i Bledar Sekjos, e gjeti në ekranin e Top Channel, ku prej tash e sa vitesh ai është drejtues i orkestrës së këtij institucioni mediatik!

 

Performancat e Sejkos, energjike, ku djegia e kitarës është një gjë që i pëket rutinës së tij skenike janë të jashtëzakonshme! Nuk dyshoj se vlerësimi Bledit i ka munguar nga kolegët, apo artistët me të cilët jo domosdoshmërisht ndan skenën. Mbërritja e tij dy herë në Eurosong, – në vitin 2008 si kitarist me Aurela Gaçen dhe në vitin 2011 si autor dhe bashkëperformues i këngës Identitet me X janë rezultat i një egoje profesionale për t’u marrë shembull. Nuk dyshoj as tjetrën, se në ekranin ku ai punon ka marrë më të mirat financiare dhe morale, por një sugjerim edhe për ta do ta kisha…

A e ka marrë vlerësimin e merituar Bledar Sejko?!
Fatmirësisht Youtube mban të gjallë krijimtarinë dhe artin e tij, ndërsa për pjesën tonë si gazetarë ka kaq boshllëqe. Prezenca e tij në artikuj, intervista, shkrime është shumë minimale.
E ndërkaq, për këngëtarët sezonalë mund të gjesh me dhjetëra e qindra artikuj…

Por, të mos mjaftonte kjo, titujt, statujat e vlerësimet në rang institucional në drejtim të Sejkos ende nuk janë parë të arsyeshme të jepen… Unë jam ende e inatosur me ca palo tituj që dhe i ndjeri presidenti Nishani vite më parë dha për disa karagjozë të ekranit shqiptar, e po aq e inatosur edhe me të tjerë presidentë, që nuk kanë vlerësuar sa duhet artistë si Sejko, e po aq me Top Channel, që nuk e ka propozuar për një titull emrin e Sejkos në Presidencë (meqë formalisht puna e do që për dhënien e një titulli duhet ta propozojë një insitucion, shoqatë, etj!)

Asgjë nuk do t’i ndryshonte në rutinën e vet Bledit nëse do ta merrte një titull, a një nder qyteti, meqë nuk ka mbetur njeri pa e marrë këtë qokë, por sigurisht, që do t’i ndryshonte emocionet njeriut Bledi. Sejko, njësoj do ta bënte artin e tij, do të ekzaltojë, frymëzojë dhe ngrejë peshë zemrat me perfomancat, edhe sikur të jetë në ditën e tij më të keqe personale, kur kitara është në dorën e tij ai njësoj do ta djegë! Aq sa edhe “Heaven” (Tears in Heaven) do të lotojë po ta dëgjojë!

SHËNIM: Ndoshta ky tekst nuk do të shkojë në veshët e atyre që kurrë nuk duan të dëgjojnë! Por, jam e sigurt që do të shkojë në veshët e atyre që e duan dhe e adhurojnë! Për ata, që e duan ndava këto ndjesi, që t’i themi gjërat që njerëzit meritojnë aq kohë sa ata të mund t’i lexojnë dhe shijojnë… më pas… Epo siç tha Çajupi “pas meje në këtë jetë gur më gur mos mbettë!”!

 Botuar në Revistën BORDO, shtator 2022!

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF