KreuBusull

Intervistë/ Ermir Abeshi: Kënaqësi të vij në Shqipëri, ndihem gjithmonë në shtëpi!

Ishte pianistja Merita Rexha ajo që kur më foli për herë të parë për Ermir Abeshin, më frymëzoi për një intervistë me djaloshin nga Cërriku, i cili prej vitesh ka prekur me sukses skenat më të njohura nga Evropa në Amerikë. Kur ishte vetëm 10 vjeç ai u largua nga familja për të ndjekur rrugëtimin e tij me një violinë në krah, i cili do t’i jepte atij mundësi të arta, të cilët siç edhe ai e shpreh për Bordo, ka mundur që të marrë prej tyre emocione të rralla. Kujton që fillimet muzikore në Shqipëri nuk ishin të lehta, pasi nuk kishte një violinë, por me një laps, me të cilin ushtrohej, derisa arriti të kishte instrumentin e tij. Pas Festivalit të Ohrit ku luajti në duet me Merita Rexha Tërshana, në tetor ai premton të kthehet në Tiranë me kuartetin Onufri, një emocion i rrallë që e merr gjithmonë sa herë vjen në vendlindjen e tij, ku ka familjen, ruan ende kujtime dhe vende të bukura, madje edhe shijen e veçantë të ushqimit…!

Ermir sapo mbyllët koncertin në Festivalin e Ohrit, si ishte ky udhëtim përmes muzikës në Ohër?

Për mua nuk është hera e parë, por është hera e dytë që kam qenë i ftuar në Festivalin e Ohrit dhe e kam gjithmonë kënaqësi, shumë ambient i mahnitshëm, pasi kisha ku luajta daton nga viti 1100, një ambient shumë sugjestiv, dhe një publik shumë i mirë dhe i edukuar, ndaj e kam kënaqësi të jem i ftuar dhe të luaj në këtë festival, i cili vazhdon prej 60 vitesh.

Ju në violinë dhe Merita në piano, si përfaqësues të Natës Shqiptare, në një duet që nuk është i pari për ju, cilat ishin përshtypjet që morët?

Luaj në duo dhe më pëlqen ky formacion. Unë luaj shumë muzikë dhome me anëtarët e orkestrës, por kam luajtur edhe gjatë karrierës me ansamble të ndryshme, trio apo kuartete. Por të luaj në duo më pëlqen shumë, sepse ka një repertor fantastik, sidomos repertori që luajtëm në Ohër që përfshin: sonatën e tretë të Brahmsit, Sonatën 9 të Bethovenit që është një nga kryeveprat e repertorit për violinë dhe piano, ndaj edhe për mua është vërtet një kënaqësi.

 

Kur kërkon emrin tuaj, gjithnjë shfaqeni në koncertet shqiptare krah Merita Rexhës, prej sa kohësh njiheni, si ka nisur ky bashkëpunim?

Me Meritën jemi njohur që në vitin 2014 dhe ekskluzivisht kemi bashkëpunuar me njëri-tjetrin sa herë kam luajtur në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur që e kam njohur një muzikante të tillë, sepse jemi kuptuar gjithmonë shumë mirë dhe vazhdojmë të kuptohemi. Nuk kemi nevojë të diskutojmë me shumë fjalë gjatë provave, thjesht idetë vijnë shumë natyrshëm dhe arrijmë t’ia themi njëri-tjetrit gjithçka me muzikë gjatë provave, pa u ndalur për të diskutuar. Për mua është një marrëdhënie shumë intuitive dhe shumë e lehtë, qoftë nga ana njerëzore dhe ajo profesionale.

Jeni lindur në Elbasan, si e kujtoni momentin kur prekët për herë të parë violinën?

Jam lindur në Elbasan, por kam jetuar në Cërrik që është një qytet i vogël. Kam filluar studimin e violinës,

pa violinë sepse në vitet kur kam filluar, në vitet 1990, instrumentet ishin të rrallë dhe studentët e viteve më të mëdhenj, duhet të linin instrumentet e tyre që të fillonim ne që ishim brezat më të rinj. Unë kam filluar në vend të harkut, me një copë lapsi, sepse kushtet kanë qenë ato që kanë qenë, por ama e kujtoj atë kohë me shumë nostalgji, jo si diçka që më kanë munguar shumë gjëra apo që nuk kemi pasur mjaftueshëm.

A keni pasur dikë që ju ka nxitur të zgjidhnit këtë rrugë, instrumentin?

Kanë qenë prindërit e mi, të cilët nuk më kanë bërë kurrë presion, por më kanë ndihmuar për të vazhduar karrierën, madje kanë bërë sakrifica shumë të mëdha në mënyrë për të më lejuar mua të lija shtëpinë në një moshë shumë të re. Përveç këtyre, i vetmi person që më ka nxitur vërtet kam qenë unë vetë, pasi arrin një moment që motivimi duhet të vijë nga vetë personi, sepse puna që kërkohet për të bërë këtë profesion, orët që janë të shumta, kërkojnë një regjim, një vullnet, një ambicie e dëshirë për t’u përmirësuar vazhdimisht dhe është e pamundur që këtë ta ushqejë dikush tjetër. Talenti ndihmon deri diku, por pastaj duhet një numër i madh orësh pune për të arritur gjithçka dhe mendoj se duhet të vijë nga vetë personi ky lloj frymëzimi.

Qysh në moshë të vogël, jeni zhvendosur në Itali, ku keni studiuar në një konservator prestigjioz, si e kujtoni atë periudhe?

Jam zhvendosur në moshën 10 vjeç në Itali, ku kam studiuar në Kuneo, në një konservator jo shumë të madh, që ndodhet pranë Torinos. E kujtoj atë periudhë me shumë nostalgji, pasi kam pasur shumë ambient të mirë nga ana e shoqërisë, e sidomos me profesorin tim, me të cilin kemi një kontakt të vazhdueshëm dhe akoma jemi afër me njëri-tjetrin, duke folur për çdo gjë. Më ndihmon për aspektin muzikor, për koncertet e mia me orkestrën ku jam tani në Gjermani, më dëgjon gjithmonë në radio. Profesor Bruno Pignana ka qenë dhe mbetet personi që më ka dhënë më shumë se kushdo frymëzim në ambientin muzikor. Kujtoj që konservatori ka qenë për ne një vendtakimi edhe gjatë fundjavave, jo vetëm kur luanim muzikë, por edhe për të diskutuar. Merrnin një dhomë ku luanim në ndonjë mënyrë që na frymëzonte për studimin tonë individual.

Nga SHBA jeni kthyer sërish në Evropë, mendoni se Evropa e ka ende magjinë e muzikës klasike?

Mbas studimeve në Amerikë unë u ktheva në Evropë, sepse ndjeva një nevojë t’i rikthehesha një vendi që njihja, që kishte akoma shumë për të më dhënë. Besoj se në Amerikë nivelit muzikor nuk i mungon asgjë. Ka një nivel të jashtëzakonshëm, por unë personalisht jam ndier si në shtëpi në Evropë. Mora shumë gjëra të mira gjatë periudhës së studimeve në Amerikë, ku studiova me një profesor shumë të mirë, i cili ishte violina e parë e orkestrës simfonike të Bostonit, e cila është një nga më prestigjiozet, jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë. Kam marrë shumë frymëzim nga ai ambient dhe një lloj kompeticioni ngaqë niveli ishte shumë i lartë dhe në një formë të mirë më nxiti të studioja më shumë dhe të rrisja nivelin tim. Në Evropë u ktheva sepse kisha nevojë për të mësuar akoma disa gjëra nga ky ambient dhe jam shumë i kënaqur që vendosa të kthehem, sidomos këtu ku jam në Filarmoninë e Gjermanisë, e cila është e jashtëzakonshme dhe e mban muzikën në nivelin më të lartë. Kultura e muzikës në Gjermani është e pabesueshme, publiku është i informuar dhe ka kulturë muzikore që na frymëzon të përgatitemi sa më mirë, t’i japim atë që meriton.

A keni menduar të jeni në Shqipëri një koncert solo në projektet e afërta?

Do të vij në Shqipëri në muajin tetor, jo në solo, por me një kuartet harqesh me muzikantë të kuartetit Onufri. Bashkë me mua do të jetë Arben Spahiu, Vlorent Xhafaj dhe Lindenburg Leka. Së bashku kemi luajtur disa koncerte sezonin e kaluar në Gjermani dhe Belgjikë. U gjendëm shumë mirë me njëri-tjetrin, punojmë të gjithë jashtë, edhe pse kemi secili histori të ndryshme, në një farë mënyre, kemi edhe histori të përbashkëta. Për sa i përket koncerteve solo, nuk kam projekte në Shqipëri, por jam i gatshëm sa herë më ftojnë dhe kthehem gjithmonë me kënaqësi.

Jeni gjithmonë në udhëtime koncertore, çfarë ju mungon nga vendlindja?

Më mungon çdo gjë. Në një botë ideale, nuk do ta kisha lënë kurrë vendlindjen. Fatkeqësisht na u desh dhe e kishim të nevojshme, sepse ambienti nuk kishte shumë oportunitete për muzikën klasike, sidomos në ato vite nuk ofrohej shumë për ne muzikantët. Unë i shikoja me zili shokët e mi në shkollë, sidomos në Amerikë, ku kishte shumë të huaj, disa prej të cilëve ktheheshin në vendin e tyre. Të zhvendosesh nga një kulturë, nga një gjuhë, apo ambient që të përkrah dhe ndihmon, është shumë e vështirë, duhet  të përballesh me një botë të re, ku nuk njeh njeri, nuk njeh gjuhën dhe kulturën dhe kjo është një faktor stresi dhe shumë i vështirë. Kam shumë respekt për të gjithë muzikantët shqiptarë, por jo vetëm ata që e kanë pasur këtë domosdoshmëri që të lënë vendlindjen për të krijuar mundësi më të mira për jetën, sepse nuk është e lehtë të marrësh një vendim të tillë në jetë. Ndaj edhe kthehem gjithmonë me kënaqësi në Shqipëri, sepse ndihem gjithmonë në shtëpi, kam prindërit aty, ushqimin që më pëlqen, edhe klima më pëlqen, sado që mund të jetë pak nxehtë sidomos tani në verë. Kam kujtime të bukura nga periudha e fëmijërisë, sidomos qyteti i Pogradecit ku shkonim për pushime, por ka edhe disa vende të tjera shumë speciale për mua në Shqipëri dhe do të jenë gjithmonë të tilla.

Botuar në BORDO, shtator 2022!

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF