Nga Ilda Lumani
Zoe Hora në Dhërmi dhe Hotel Boutique Çoçja në Shkodër, dy projektet që kanë tërhequr sytë e shqiptarëve dhe turistëve në vend “Besoj se për të patur sukses në çdo punë duhet një dozë pasioni, talenti por dhe shumë kohë, energji e këmbëngulje”, kjo sentencë është motivi i çdo mëgjesi për Xhilda Moskon. Arkitektja e ngjyrave, që prej 2 dekadash ka realizuar objekte personale, private dhe publike nga Veriu në Jug, rrëfen në një bisedë për BORDO pikërisht dy projektet më të suksesshme të realizuara së fundmi, të cilat janë bërë faktor gjatë vitit të fundit. I shohim nëpër fotot e pushuesve që eksploruan Dhërmiun, ku Zoe Hora nuk është thjesht trendi i momentit, por një nga spotet më të bukura të zonës. E ndërkaq, në Shkodër takon një tjetër arkitekturë, po aq identifikuese dhe një gërshetim në mënyrë të përsosur të tradicionales me modernen. Për BORDO Xhilda, drejtuese e Mosko Atelie, tregon sesi nisi realizimi i këtyre veprave, të cilat sot mund t’i shijojë kushdo!
Puna e një arktitekti ka disa faza, konceptimi, realizimi e pastaj përfundimi. Për ty cila është pjesa më e bukur, që të jep më sadisfaksion?
Të gjitha fazat e projektit nga konceptimi deri tek realizimi i një vepre arkitektonike kanë emocionet, bukurinë dhe vështirësitë e veta, por mendoj se përfundimi është ai që të jep më shumë kënaqësi (sadisfaksion). Është shumë emocionuese të shohësh ëndrrën të realizuar dhe kënaqësia është e shumëfishuar kur merr vlerësime pozitive.
Si ndihesh kur e sheh një projekt të përfunduar?
Është një ndjesi fantastike. Ndihem vërtet shumë mirë kur shoh një projekt të përfunduar e aq më tepër të mirërealizuar. Është shumë e rëndësishme kur projekti pëlqehet nga personat që ushtrojnë aktivitetin në këto ambiente si dhe nga ata që jetojnë ose i frekuentojnë. Në ketë rast suksesi dhe sadisfaksioni është i plotë. Është një profesion sa i bukur aq dhe i vështirë por ajo që e konsideroj të pa negociueshme është: Besoj se për të patur sukses në çdo punë duhet një dozë pasioni, talenti por dhe shumë kohë, energji e këmbëngulje. E dua shumë punën time dhe çdo mëngjes ngrihem me ndjesinë (dëshirën) për të krijuar.
Xhilda, nje nga projektet tuaja më interesante, që është kthyer në një atraksion turistik është Zoe Hora. Çfarë kishe si synim të realizoje në këtë projekt?
Zoe Hora është dashuri me shikim të parë për vetë magjinë, energjinë që ka ai vend dhe pamjen impresionuese të Jonit. Kam qenë e afeksionuar me Dhërmiun, një nga fshatrat më të bukur të Rivierës shqiptare që në fëmijëri duke qenë një nga destinacionet më të dashura të familjes. U vazhdua me zgjedhjen e temës së diplomës “Hotel në Dhërmi”, projektin arkitektonik dhe interiereve të resortit turistik Drymades Inn dhe Beach bar Alex.
Zoe Hora është një nga projektet më të dashura të studios (Mosko atelie). Me një bashkëpunim për rreth tre vjet, me një ekip të shkëlqyer profesionistësh arritëm të konkretizonim një koncept të njohur si Rivitalizim. Ky projekt konsiston në rikonstruksionin, kthimin në identitet dhe interieret e disa shtëpive të vjetra të Dhërmiut, kthimin e tyre në struktura turistike dhe projekti i kompleksit Zoe Hora. Ky kompleks është një adaptim dhe harmonizim i një objekti dy katësh dhe disa gërmadhave që datojnë rreth shekullit të 16, me strukturat e reja ku përfshihen restoranti, vinoteka, hoteleri, sallë koferencash, njësi tregtare, pishinë e hapur dhe e mbyllur dhe spa. Objekti është konceptuar me pesë nivele të ndryshme, me një lëvizje dinamike të volumeve të gurit duke ndjekur dhe përshtatur pjerrësinë natyrale të terrenit dhe duke krijuar një mjedis unik komoditeti dhe relaksi. Një nga qëllimet kryesore të këtij projekti është menaxhimi sa më i mirë i truallit të ndërtimit duke i dhënë dhomave të hotelit dhe gjithë ambienteve të tjera të komleksit privatësi dhe shijimin e pamjes nga deti.
Çfarë e bën atë ndërtim të veçantë, ndryshe nga të tjera koncepte ndërtimi në zonën e Bregut?
Ajo që e bën këtë objekt të veçantë është ndërthurja e Arkitekturës tradicionale me elemente moderne. Kombinimi i mureve të gurit me strukturat moderne të xhamit, stilizimi dhe përdorimi i motiveve floreale të tavaneve tradicionale të zonës në dyert dhe trarët e çative, përdorimi i harkut, tuneli që lidh hyrjen kryesore me verandën madhështore të restorantit dhe pishinën infinity pool smeraldi janë disa nga elementet e veçantë dhe identifikues të këtij projekti. Përdorimi i gurit të zonës, me ngjyra të ngrohta toke në interier dhe eksterier, elementët e drurit dhe hekurit bëjnë që kompleksi të arrijë një ekuilibër harmonik midis dizajnit modern dhe arkitekturës tradicionale duke i lënë vizitorët të shijojnë bukurinë natyrale të Dhërmiut dhe detit.
Nga Jugu në Veri. Jeni arkitekte e një projekti të madh, që konsiston në hoteleri në Shkodër. Si ishte projekti?
Hotel Butik Çoçja i realizuar nga “Mosko Atelie” pranë qendrës historike të qytetit të Shkodrës është një nga projektet me të veçanta të studios. Qëllimi i këtij projekti arkitektonik dhe të interiereve të objektit konsiston në harmonizimin e strukturës së re katër katëshe me objektin ekzistues dy katësh, që daton rreth fundit të shekullit të 18, duke u shkrirë dhe funksionuar si një objekt i vetëm multifunksional dhe duke krijuar një oborr të brendshëm të gjelbëruar, vend akomodimi dhe relaksi.
Objekti është konceptuar si një shtëpi e madhe e ngrohtë dhe mikpritëse ku një shkallë prej druri lidh hollin kryesor të hotelit me tre katet e dhomave. Dhomat e hotelit me një stil të ndryshem arredimi në çdo kat ofrojnë ambient të këndshëm dhe romantik, me ballkone që japin mundësinë e shijimit të qendrës historike të qytetit. Materialet e zgjedhura për dekorimin e dhomave dhe suitave ofrojnë komoditet dhe ndërkohë janë ekologjike dhe miqësore për ambientin.
A gjenden elementë të traditës në të, apo ka një concept modern?
E veçanta e këtij objekti është ndërthurja e arkitekturës tradicionale të zonës me elemente moderne, frymëzimi nga tavanet karakteristike të drurit dhe stilizimi me forma bashkëkohore, përdorimi i materialeve si druri, hekuri i rrahur me punim dore, përdorimi i strukturave të xhamit të kombinuara me harkadën. Trademarku i “Mosko atelie” është pikërisht përdorimi i paletës me ngjyrë turkeze të kombinuara me tonet e blusë e jeshiles, në interier dhe eksterier. Kemi krijuar një hapësirë të gjerë për përdorimin e ngjyrave për shkak të pasurisë në detaje që na lejon projekti. Motivet floreale të kornizave dekorative dhe veshja e pjesshme e fasadës me pllaka qeramike janë elementet identifikues te këtij objekti duke e berë më të veçantë e ftues.
Ndërkohë, shtëpitë private janë një fushë tjetër, e së cilës ju jeni shumë e përfshirë. A është e lehtë të realizosh ëndërrat e njerëzve edhe kur ato nuk janë të shijes suaj apo inovatore?
Të gjitha projektet e suksesshme kërkojnë një vizion të përbashkët midis klientit/investitorit dhe projektuesit. Mënyra e konceptimit të hapësirës dhe shijet janë shumë personale. Pjesa ime e prefereruar është biseda me klientin duke eksploruar dëshirat, stilin, sigurisht dhe mundësinë financiare dhe duke i ofruar shijen e mirë dhe eksperiencën e specialistit.
“Mosko atelie” me nje eksperiencë dy dekadash ka pasur shumë projekte në këtë fushë duke filluar nga apartamentet, tek vilat elitare. Marrëdhëniet tona me klientët kanë qenë të mrekullueshme para dhe pas realizimit të projekteve. Mendoj se një arkitekt i mirë duhet të jetë dhe një psikolog i mirë. Filozofia e punës tonë është një kombinim i krijimit, fantazisë, eksperiencës, ideve të reja, përgjegjësisë dhe përshtatjes me klientin. Kryesorja dhe më e rendësishmja është klienti i kënaqur, i lumtur, me një ambient funksional ku mbizotëron shija e tij personale dhe ëndrra e realizuar.
Botuar në Revista BORDO, shtator 2022!



















