Mesa duket sa i përket kujdesit ndaj vetes dhe ushtrimit të sporteve, stina e verës është e paragjykuar me pa të drejtë. Madje trajneri personal dhe sportisti i njohur Elton Kodra është i bindur për këtë. Sipas Kodrës pjesa më e madhe e njerëzve shpesh gjejnë justifikime për të braktisur sportin apo ushqimin e shëndetshëm gjatë pushimeve, por e vërteta është që stina e verës është periudha më e mirë për të mbajtur trupin në formë. Megjithatë edhe nëse as këtë verë nuk ishit aq shembullorë dhe nëse ushtrimi i aktivitetit fizik ka qenë gjëja e fundit që ju ka shkuar ndërmend ditët e pushimeve, Eltoni ndan me Bordo disa këshilla dhe sugjerime se si të kthehemi sa më shpejt në formë këtë fillim sezoni.
Vera mbaron, e kemi tepruar me ushqimin dhe pijet, a duhet filluar palestra intensivisht apo jo?
Është e vërtetë, vera mbaron ashtu si mbaron edhe vjeshta edhe çdo stinë tjetër. Shumë tremben nga vera por në fakt kjo stinë është periudha që duhet të kenë më pak frikë se çdo stinë tjetër. Në verë ka një alternim të aktivitetit dhe “abuzimit” në një mënyrë më shumë se të shëndetshme. Për ta specifikuar pak këtë frazën do të thoja se në verë ne mund të abuzojmë jo “domosdoshmërisht” me alkoolin apo të qëndruarit jashtë deri vonë dhe është gjithashtu periudhë ku ndoshta për shkak edhe të temperaturave por jo vetëm, shumë njerëz ndërpresin rutinat e tyre stërvitore siç mund të jenë palestra, çiklizmi, vrapimi në natyrë; megjithatë për vetë arsyet të cilat na detyrojnë në njëfarë mënyre të ndryshojmë rutinën tone, ato janë gjithashtu arsyet pse vera është periudha më pak problematike. Pushimet verore janë ndoshta periudha më aktive dhe më relaksuese për të gjithë psikologjikisht, sepse shkëputja nga punët, angazhimet dhe përditshmëria, organizimi me grupe shoqërore apo familjare, jeta e natës, sjellin një gjendje emocionale pozitive. Aktive sepse jemi gjithë kohën të angazhuar. Noti dhe sportet e ndryshme të ujit janë një aktivitet shumë i lartë fizik, sportet në rërë ‘beach volley’, futboll, hiking për të apasionuarit pas malit etj. Për të gjithë ata që janë sistematikë me aktivitetet sportive të çdo lloji, normalisht duhet t’i rikthehen sa më shpejt të jetë e mundur rutinës së tyre. Për ata që janë sistematikë këshilla është; “Rifilloni atje ku e keni ndërprerë”. Nuk ka nevojë për ndonjë intesitet të madh pasi trupi ynë ka një memorie e cila ruhet përgjatë gjithë jetës dhe një ndërprerje 2-javore apo 1-mujore nuk ndikon në performancë. Mund të kenë pak dhimbje muskulare të lehta ose pak lodhje të cilat kalojnë brenda javës së parë dhe nga java e 2-të janë në ritmin e duhur. Për ata që nuk janë shumë sistematikë dhe pak “dembelë” intesiteti i stërvitjes duhet të jetë me rritje graduale por sa më shpejt të fillojnë aq më të lehtë do ta kenë për të kaluar pasojat e rikthimit në rutinën e tyre ditore. Me pak fjalë për të gjithë këshilla do të ishte kjo: ‘Rifilloni aktivitetin tuaj sa më shpejt që të jetë e mundur dhe mos u fshihni pas justifikimeve, të çfarëdo lloji qofshin ato!’
Sado që noti është një sport i mirë, për çfarë është më i nevojshëm fitnesi pas pushimeve?
Pyetja është e rëndësishme në fakt për të kuptuar notin, sportin dhe fitnesin (palestrën, klasa të ndryshme). Për ta bërë sa më të kuptueshëm po bëj një krahasim:
Ushqimet dhe Suplementet
Baza e kalorive tona është ushqimi pastaj në varësi të specifikave, nevojave apo problematikave përdorim suplementet. Në krahasimin që bëni tek pyetja sporti është ushqimi, fitnesi eshte suplementi. Pra që fëmijë është shumë e rëndësishme të gjithë të merren me sport dhe gjatë zhvillimit të tyre duhet të fillojnë fitnesin. Fitnesi është shumë i nevojshëm për mirëqenien tonë. Duke kryer një stërvitje të mirëorganizuar ne zhvillohemi në mënyrë simetrike dhe të gjithanshme.
Cili është ai zakon që pas pushimeve duhet shmangur qoftë në rutinën e fitnesit, por edhe ushqimit?
Këtu përgjigjja është e shkurtër. Vetëm gjetja e justifikimeve!
Elton ju sugjeroni një program intensiv apo më të ngadaltë?
Siç edhe e përmendëm më sipër, kombinimi i fitnesit me një apo më shumë lloje sporti është shumë i mirë edhe pse në fakt duhet të ishte ndryshe radha. Në këtë rast të gjithë që e bëjnë apo që e kanë ndërmend ta bëjnë duhet të kenë parasysh:
Sportin që ata dinë ta luajnë apo ushtrojnë si dhe ambientet po ashtu janë kushtëzuese për sporte.
Pra për sportet që nuk dini t’i luani do t’ju duhet një vullnet shumë i fortë për të përballuar vështirësitë e fillimit. Ka sporte të cilat kanë nevojë për infrastrukturë apo mjete të veçanta për t’u ushtruar. Kështu që shkurt ushtroni sportin që dini të luani në një ambient lehtësisht të realizueshëm dhe arritshëm.
Ka edhe nga ata që nën efektin e trupave të bukur në plazh, duan të fillojnë palestër për herë të parë, çfarë këshilloni?
Pyetje shumë e rëndësishme vetëm për një arsye, ka të bëjë me shembujt dhe imazhet që krijojmë. Këtu luan një rol kryesor edukimi dhe zhvillimi që në moshë të vogël i kulturës sportive dhe artistike gjithsesi, asnjëherë nuk është vonë për të filluar diçka të re. Këshilla kryesore është që t’i japin kohë vetes për efektet që presin të arrijnë. Është shumë mirë të kemi shembuj pozitivë që mund t’i ndjekim dhe na stimulojnë, por nga ana tjetër duhet të jenë të vetëdijshëm për mundësitë e veta dhe kohën që ju duhet për të arritur një objektiv të caktuar. Shembujt që ndjekin jo domosdoshmërisht duhet të jenë kopje që duhet t’ju ngjasojnë por duhet të jenë stimul për të filluar një ndryshim në jetën e tyre. Sot informacioni është lehtësisht i arritshëm dhe i shumëllojshëm, shpeshherë edhe i gabuar, për këtë arsye është gati-gati jetike marrja e informacioneve të sakta dhe aplikimi i tyre. Në çdo rast, për çdo paqartësi apo informacion të saktë, të konsultohen me specialistë të fushës në lidhje me problematikat dhe mënyrën/at më efektive për ta.
Cili është sekreti për ta kthyer në stil jetese palestrën?
Kjo është një pyetje që mund të ketë shumë përgjigje ose mund të mbetet edhe pa përgjigje. Nuk ka një formulë në fakt për këtë, disa e kanë për efekt estetik, disa për trend, disa për të kaluar kohën, disa për probleme të ndryshme shëndetësore dhe mund të vazhdojmë pa fund me disa disa disa…….Ajo që unë mund t’ju këshilloj në këtë rast është se sporti/aktiviteti fizik është përgjigjja e të gjitha këtyre “disa” dhe që të kthehet në mënyrë jetese duhet të kenë pritshmëri të ulëta dhe të arritshme, në këtë mënyrë nuk do t’ju kthehet në një stres më shumë, por në një argëtim dhe çlirim i stresit/ve të grumbulluara nga një ditë e gjatë dhe e ngarkuar.
Botuar në BORDO, shtator 2022!



















