KreuBusull

Intervistë/ Andriola Kambo ”Në takim me MUZËN”!

Nga Ilda Lumani

“Muza”, eventi i kushtuar fashion disajnit, ku vuri përballë të rinj nga gjithë trevat shqipfolëse, në një garë krijimtarie me bazë traditën shqiptare ishte absolutisht ngjarja më e bukur në fushën e modës në këtë verë që lamë pas. Ajo që u duk një iniciativë e thjeshtë, mori përmasat e një ngjarjeje artistike, që e bëri të tillë edhe pjesëmarrja në juri e figurave të rëndësishme si; studiuesja e etnografisë Prof.Afërdita Onuzi, fotografi Fadil Berisha, modelja Emina Çunmulaj, stilistët Enada At’Nikolla e Valdrin Sahiti apo dhe piktori Helidon Haliti. Ideuesja dhe realizuesja e këtij aktivitieti, Andriola Kambo, njëherësh drejtore e Unionit të Bashkive tregon për Bordo, si nisi ky rrugëtim, që pritet të kthehet në një traditë!

Andriola, një nga ngjarjet më të bukura të këtij viti në kryeqytet ishte padyshim MUZA. Për ty çfarë ishte ky projekt?

Muza nuk ishte thjesht një aktivitet që u realizua me sukses në zemër të kryeqytetit por për mua Muza ishte realizimi i një ëndrre që e shikoja me sy hapur. Inspirimi nisi para disa vitesh në një takim shumë të përzemërt me nënë Tolen, në Komunën e Tuzit, një grua duarartë që kishte sfiduar moshën nga dëshira për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore dhe vlerat e traditat e trashëguara nga të parët e saj.  Ishte e vetmja që punonte xhubletën, por për fat të keq punën e saj nuk kishte mundur ta kalonte në asnjë prej familjarëve të saj. Gjithashtu pjesëmarrja në aktivitetin në mbështetje të grupit të artizanëve të Vaut të Dejës, ku pata mundësi sërish të takoja zonjat duararta në fushën e artizanatit, më inspiroi të mendoja dhe të ngrija konceptin e projektit Muza Competition. Në realitetin ku ne jetojmë kemi një zhvendosje të vëmendjes nga tradita tek moderniteti dhe ky fokusim ka sjellë në rrezikimin e humbjeve të elementeve të etnografisë veçanërisht humbjen e metodave tradicionale të punës se artizanatit, sidomos ruajtja e këtyre elementeve të artizanatit nga brezat e vjetër tek brezat e rinj. Muza ishte një projekt ambicioz, me një qëllim shumë të domosdoshëm për realitetin shqiptar, atë të angazhimit të të rinjve në njohjen e trashëgimisë dhe kostumografisë shqiptare, por duke e sjellë në një formë tjetër dhe për të promovuar turizmin rajonal nëpërmjet trashëgimisë kulturore.

Çfarë e frymëzoi MUZËN?

MUZA ishte vetëfrymëzim, vetë nga fjala Muzë për këdo është inspirim, kreativitet dhe frymëzim. Ajo çka e bëri Muzën të realizueshme duke ja dedikuar të rinjve këtë projekt, nuk kishte si të ndodhte ndryshe në këtë vit që Tirana është kryeqyteti evropian i të rinjve, dhe Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, ju dedikua projekteve për të rinjtë, duke u shndërruar në një stimul për të shfaqur më të mirën e tyre dhe duke i angazhuar ata në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Po juve vetë? 

Para se të konceptosh një projekt duhet që të ndihesh vetë e frymëzuar fillimisht dhe si një person i apasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe background-i në fushën e historisë, gjithmonë më bën më të ndjeshme për t’i kushtuar më shumë vëmendje etnografisë dhe trashëgimisë kulturore, vlerave që ajo mbart si një mundësi zhvillimi ekonomik dhe promovimi i turizmit rajonal. Kjo më frymëzon se si elementët me vlera të së shkuarës t’i sjellësh bukur plot emocion e kreativitet duke i qëndruar të tashmes dhe duke u kthyer në trend që tërheq vëmendjen e të rinjve.

Si e keni menduar të ardhmen e Muzës?

Muza sapo ka nisur rrugëtimin e saj dhe do ta kthejmë në traditë të përvitshme, e cila do të përmbajë gjithmonë të njëjtin qëllim dhe fokus, por që çdo vit do të sjellë risi në formatin e saj, por duke vazhduar dhe sjellë më shumë surpriza për të gjithë.

Ju drejtoni ndërkohë Unionin e Bashkive. Ku konsiston ky UNION dhe çfarë vlere ka në komunitet ky bashkim?

Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon (UBSHR) është nisma rajonale e konkretizuar nga komunat dhe bashkitë shqipfolëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor në datën 12 prill 2019 me Sekretariatin e Përgjithshëm i cili ndodhet në Tiranë dhe që unë kam nderin ta drejtoj. Aktualisht Unioni përbëhet nga komuna/bashki në gjithë rajonin shqipfolës dhe patjetër që synojmë dhe shpresojmë që dhe shumë komuna të tjera të bëhen pjesë e kësaj platforme të përbashkët, e cila tashmë është kthyer në një familje të madhe dhe së bashku të punojmë dhe ndihmojmë nëpërmjet projekteve të përbashkëta në shkëmbimin e eksperiencave, të promovimit dhe zhvillimin socio- ekonomik të tyre në rajon, por edhe më gjerë.

Veprimtaria kryesore e kësaj platforme rajonale bashkëpunimi janë interesat e qytetarëve, të vepruarit nëpërmjet projekteve konkrete në ndihmë të njëri-tjetrit, duke mbështetur qeverisjen e mirë, në perspektivat e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Zhvillimi i aktiviteteve te UNIONIT kanë qendër Tiranën, apo edhe qytete të tjera të Unionit?

Unioni, është iniciativa e parë që bën bashkë bashki dhe komuna shqiptare të rajonit. Bashkia Tiranë është drejtuese e kesaj nisme por aktivitetet e Unionit shtrihen në të gjitha qytetet e komunave anëtare të tij. 8 Marsin këtë vit bëmë bashkë në edicionin e dytë zonja të suksesshme nga i gjithë rajoni në Preshevë apo të gjithë kryetarët e komunave u bënë bashkë në Prizren më 10 qershor për të përkujtuar “Lidhjen e Prizrenit”. Së fundmi edhe Asambleja e përgjithshme e Unionit u mbajt në Prishtinë. Aktivitete të tjera do të zhvillohen vitin e ardhshëm, ku veprimtaria e Unionit do të fokusohet në promovimin e turizmit nëpërmjet sportit, artit dhe kulturës.

A do të ketë një MUZË të dytë në vijim? Si e keni menduar të ardhmen e këtij projekti?

Po patjetër që do të ketë një Muzë të dytë frymëzuese, madje jemi aktualisht duke punuar mbi realizimin e eventit për ta sjellë bukur dhe plot emocion. Mund të them që këtë vit do të jetë në përmasa më të mëdha, dhe parashikojmë një interes më të lartë të të rinjve dhe partnerëve të projektit. Synojmë që Muza të kthehet në traditë ku në fokus të jetë trashëgimia kulturore, pasuria jonë e etnografisë kombëtare duke tërhequr sërish interesin e të rinjve duke ndihmuar në zhvillimin e start-up e angazhimit të tyre në industrinë kreative dhe ndikuar në zhvillimin ekonomik të tyre.

Botuar në BORDO, Nëntor 2022

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF