Nga Olsi Kolami
Fotografia: Endrit Mërtiri
Nga shkëlqimi i pasarelave në ciklonin e thashethemeve, si arriti vajza bukuroshe ta kthente në një sfidë dhe mision për shumë gra imazhin e saj përmes www.juliananura.com !
Askush nuk do ta kishte menduar se pas 12 vitesh, Juliana Nura, do të rikthehej sërish, madje më e fortë dhe më e suksesshme! Nuk e mohon se syri i ciklonit të thashethemeve asokohe e turbulloi, por nuk e bëri të dorëzohej. Vajza e rritur në Finlandë, e udhëhequr nga slogani: Gjithçka ose asgjë, bëje punën 100% ose fare! – ka mundur t’ia dalë, duke krijuar sot një markë të vetën. E zhvendosur në Londër, ajo ka krijuar platformën “Body, Mind and Soul”, e cila u vjen në ndihmë vajzave dhe grave që synojnë të kenë një jetë të shëndetshme dhe më shumë se kushdo, Juliana është fuqia e ndryshimit.
“Jeta nuk është e lehtë për asnjë grua, ndaj duhet të kemi këmbëngulje dhe mbi të gjitha besim te vetja, të besojmë se jemi të talentuara për diçka dhe se çdo gjë mund të arrihet.” Në fakt kjo thënie e nobelistes Marie Curie, e ka bërë më të fortë, frymëzuese dhe të pandalshme Juliana Nura, e cila ka përfshirë në programet e saj vajza dhe gra nga e gjithë bota dhe që e duan jetën e shëndetshme. Në këtë intervistë për Bordo, ajo tregon sfidat dhe vështirësitë me të cilat është përballur dhe si ka arritur t’ia dalë mbanë me sukses…!
Juliana, si e kujtoni momentin e fillimit në rrugën e të qenit një personazh publik?
Gjithçka nisi në Finlandë! U njoha me modelimin dhe adhurimin e bukurisë në një vend, ku gocat janë bionde dhe me sy blu, ndërsa unë isha e kundërta: isha shumë unike atje dhe kjo bëri që agjencitë e modelingut të interesohen për mua dhe të më ofrojnë punë që në moshë shumë të vogël. Isha një vajzë me flokë kaçurrela ngjyrë kafe dhe një fytyrë shumë unike që edhe sot mbahet mend lehtë nga njerëzit.
Më pas u njoha me Fadilin i cili më ftoi të marr pjesë në Miss Kosova 2010 dhe kështu filloi edhe “fama” ime në trojet shqipfolëse, e pastaj erdhën kontrata nga kompani të ndryshme…! Një rrugëtim i bukur që e kam pasur ëndërr që e vogël, një ëndërr që u realizua. Tani e kujtoj me shumë kënaqësi sepse është një pjesë e jetës sime që e kam dashur shumë dhe kam punuar me të gjithë pasionin tim, siç bëj në çdo projekt që marr përsipër. Slogani im është gjithmonë: Gjithçka ose asgjë, bëje punën 100% ose fare!
Nga studente Mjekësie, ju rrëmbeu showbizzi, çfarë ju tërhoqi nga kjo botë?
Faktikisht unë isha modele para se të filloja studimet për Mjekësi. Modelingu erdhi kur isha studente, e ktheva në prioritet, e doja shumë, por gjithmonë e shikoja si diçka të dytë në jetën time. Edhe sot investoj në dituri, libra dhe masterclass, për të qenë gjithmonë koherente dhe e informuar.
Përfundimisht sot jeni mjeke apo jo?
Jo sot nuk punoj më në atë profesion, nuk më pëlqen të bëj atë punë, por humanitetin dhe shërimin e bëj në një mënyrë ndryshe, përmes programit tim “Body, Mind and Soul”. Kjo, në sytë e mi ka më shumë vlerë se të punoja si një mjeke në një spital ku do të merresha me problemet shëndetësore. Ajo çfarë bëj tani është t’i parandaloj problemet e shëndetit dhe mendjes me fitness.
Cilat janë parimet mbi të cilat është ndërtuar platforma juaj?
Të rindërtojmë një grua të fortë, të pandalshme, konfidente dhe të bukur si jashtë dhe brenda. Pa marrë parasysh çfarë ka i ndodhur, çdo grua meriton të jetë e lumtur, e shëndetshme, e fortë dhe e bukur.
Një grua si mund të bëhet pjesë e platformës, a është e personalizuar?
Çdokush mundet të abonohet në programin 1:1 që është program i personalizuar, programet në grup apo “challenge” që është 30 deri 60 ditor ku ti mund të ushtrohesh vetë sipas videove të realizuara nga unë. Të gjitha këto informacione mund t’i gjeni në uebsitin www.juliananura.com
A keni një rutinë tuajën për të pasur një trup në formë?
Patjetër! Ushtrohem çdo ditë me klientët por edhe në sesionet e mia private të përditshme në palestër, mbi të gjitha ushqehem mirë dhe bëj shumë aktivitete sportive edhe në kohën e lirë.
Ju punoni me vajza nga e gjithë bota, po me ato shqiptare si i keni raportet?
Tani kam shumë shqiptare nga të gjitha trojet dhe i adhuroj aksentet e ndryshme shqip që i pasurojnë oraret e mia me kulturë dhe edukatë. Ky është vetë suksesi. Kam mundësi të jem me të gjitha vajzat dhe gratë nga të gjitha trojet shqipfolëse në shtete të ndryshme, të gjitha në një orë ushtrimesh.
Linjat tuaja perfekte, a do inkurajojnë vajzat për të ndryshuar jetën e tyre?
Gjithmonë mendoi që ka nevojë për përmirësime edhe në trupin tim. Nuk ka perfeksion, por ka një mendje më të lumtur… ! Vetë gruaja është jeta, duhet kuptuar e vlerësuar jeta, ajo është dhurata më e madhe që kemi dhe ti meriton të jesh gjithçka, çfarë ti do: E lumtur, e shëndetshme, e fortë dhe e bukur! Në program ne mësojmë si të vlerësojmë veten, të gjejmë dhe përhapim dashuri ndaj vetes.
Cilat janë projektet tuaja të ardhshme, ku do të fokusoheni?
Kam shumë plane, por do fokusohem të rris “JN Fitness Business”. Dua të kem Linjën e parë “fitness outfit”, pastaj të shohim çfarë mund të realizojmë më pas. Le t’ia lëmë kohës për t’i zbuluar.
Nga pasarelat, planet tuaja ndryshuan 360 gradë, si ndodhi?
Po ndryshuan në 2010-ën, ishte një vit shumë i vështirë për mua, isha vajza/gruaja e parë që u shantazhova me një video intime timen për përfitime personale. Dhe pse në atë kohë pagova, përsëri ata e bënë publike. Në një vend si Shqipëria dhe kultura e atyre kohërave një gjë e tillë ishte jo e pranueshme dhe shumë e gjykueshme. U ndjeva si të ishte fundi i botës për mua, sepse u bëra viktimë në një vend ku akoma viktimën e përqeshin. Vendosa të ikja nga syri i publikut të shëroja veten dhe të rindërtoja një grua të pandalshme psiqikisht, emocionalisht dhe fizikisht. U inspirova t’i ndihmoja gratë e tjera që kanë kaluar trauma të ngjashme, qoftë ajo e abuzimit seksual, mendor, përdhunimin ose humbjen e njerëzve. Kjo ngjarje më bëri shumë të fortë, duke u kthyer në një shembull për shumë gra të cilat duhet të ngrihen dhe të kalojnë ngjarje të tilla. Kështu lindi progami ‘’Body, Mind and Soul’’.
A ka një moment, ku jeni bullizuar?
Ka shumë momente: që e vogël isha e vetmja gocë në shkollë që ishte zeshkane, pastaj në vitin 2010 isha një gocë me “sex tape” dhe kjo ishte e tepërt.
E rritur në Finlandë, vendi i parë në histori me një presidente grua, ku roli i gruas ka shumë rëndësi, çfarë ju ka mësuar ky vend?
Pyetje shumë e mirë, më pëlqeu shumë: E gjitha çfarë jam sot është sepse jam rritur në një vend si Finlanda, ku asnjë gjë nuk është e pamundur. Aty kam mësuar që unë kam vlerë dhe se unë vlej shumë, mendimet e mia vlejnë shumë, jam unike me personalitetin që kam, me njeriun që jam. Është bekim të rritesh në një shoqëri që nuk ka tabu, në një shoqëri që të inkurajon të bëhesh çfarë të duash në jetë, pa gjykime, etiketa dhe nënvlerësime. Finlanda është shteti i parë me presidente grua, po në të njëjtën kohë me kryeministër grua dhe çdo parti ka lidere grua, është vendi i parë në botë ku gruaja ka marrë të drejtën e votës para 100 vitesh. Ky vend ka qenë frymëzim për të ecur papa, për të arritur synimet dhe ëndrrat e mia që janë aq të mëdha sa shpesh më frikësojnë.
Cili ka qenë mësimi që keni marrë nga kjo periudhë?
Çfarëdo që të ndodh në jetë, sido që të ndihesh në një periudhë shumë të errët të jetës tënde, jeta vazhdon. Duhesh të vazhdosh jetën për ta bërë sa më të mirë së pari për veten, pastaj për të tjerët: Beso në vete, duaje veten, bëhu e pandalshme, sepse jeta është bekim çdo ditë! Ndaj çdo ditë festo për diçka, nuk ka rëndësi për çfarë, rëndësi ka të festosh!
A keni një mesazh për vajzat dhe gratë, si të përballojnë këto situata?
Çdo grua duhet të ndihet si një anije së cilës nuk duhet të lejosh ujin të hyjë brenda, ndryshe anija do të fundoset. Duhet të parandalojë çdo fjalë negative të hyjë brenda teje dhe të infektojë. Analizo, planifiko si të dalësh nga kjo situatë dhe cilat janë synimet e tua, gjithmonë ec përpara, çfarëdo të ka ndodhur. Jeta është bekim dhe dhuratë.
A është dikush në jetën tuaj private aktualisht?
… Hmm, do e lë në heshtje këtë gjë!
Për çfarë mendon se familja është më shumë krenare për ju?
Për shumë gjëra besoj. Por, së pari që e kam kthyer një fatkeqësi në fatmirësi dhe jam bërë për shumë gra një vend ku ato të gjejnë forcë për të ecur përpara në jetë dhe motivim për një jetë më të mirë!
Miss Kosova, Miss Diaspora, çfarë ju kujtojnë këto kurora bukurie?
Një periudhë shumë të bukur dhe me shumë nostalgji! E kujtoj, por gjithçka ka kohën dhe vendin e duhur, njeriu përparon, ndryshon, rritet, piqet dhe këto mbeten një kujtim i bukur, një ëndërr që u bë realitet me shumë përkushtim, punë dhe dashuri.
Cila është forca apo dobësia juaj më e madhe?
Forca ime më e madhe është pozitiviteti, kokëfortësia që gjithmonë më ka shtyrë të punoj më shumë dhe të arrij çdo gjë që kam pasur në plan të arrij dhe të prek sukses në to. Një grua që nuk ka frikë nga asgjë sepse gjen arsye të buzëqeshë edhe kur qan. Dobësia ime! Dua t’i besoi çdo njeriu dhe dua të shoh gjithmonë të mirën e njeriut…! Shpesh jam shumë emocionale dhe marr gjërat afër zemrës.
Si i keni raportet me blerjet, për çfarë shpenzoni më tepër?
Ka shumë gjëra për të cilat harxhoj shumë, por vendin kryesor e zënë makinat dhe motorët sportivë, por edhe për veshjet dhe çantat shpenzoj shumë.
Çfarë mendimi keni për kirurgjinë plastike, a keni bërë ndonjëherë?
Jam pro çdo gjëje që e bën njeriun më të lumtur, por pa dalë nga bukuria natyrale. Kam bërë ndërhyrje të vogla, po që nuk ndryshojnë shumë nga aspekti im natyral.
Cilat janë pasionet tuaja?
Kam shumë, por kalërimi është njëra nga ato, vallëzimi gjithashtu, ndaj shpresoj që një ditë të jem pjesë e “Dancing with the Stars”, po ashtu librat, fitnesi, futbolli dhe çdo gjë që më rrit mua si person dhe më bëjnë më të fortë, janë pjesë e pandashme e jetës time.
Ku e shihni veten pas 5 ose 10 vitesh?
Shpresoj me një partner që të kupton dhe të vlerëson, një partner për një jetë të rehatshme dhe me vizion. Shpresoj të kem shumë fëmijë, sepse më pëlqejnë shumë…!
Botuar në BORDO, Tetor 2022!



















