KreuBusull

Blushi mes rreshtave të 41 sekreteve!

Blushi mes rreshtave të 41 sekreteve!

Nga Ilda Lumani

Të shkruaja mbi “41 sekretet” është ndryshe nga çdo artikull, ngjarje, vepër, libër, teatër, spektakël apo realitet, për faktin se historitë e Ben Blushit janë të njerëzve dhe personazheve realë, që ai i ka takuar dhe për të cilët ka shkruar, – çka do të thotë të komentoj perceptimin, mbi përjetimin e takimeve të tij.

Gjithsesi, çfarë unë pashë tek ky libër ishte si panorama e një medie, si një televizion; me një programacion të larmishëm, nga kronika e zezë, tek ajo historike, ngjarje personale, pak reportazh edhe pak showbiz, si jehonë e asaj çfarë Blushi ka bërë së fundmi në jetën e tij; televizion. Kjo ndoshta është vetëm dukja, se përmbajtja mandej është edhe vetë Blushi, që tregon edhe copëza nga jeta e tij përmes historive të të tjerëve! Kjo ishte ndjesia ime e parë kur mbarova librin, disa histori prej të cilave i kisha lexuar më herët në facebook, rrjeti social, ku Blushi u shfaq aktiv pas largimit të tij nga drejtimi i televizionit Top Channel.

***

Ndërkaq gjatë ditëve të panairit të Librit, duke ndjekur dhe një kronikë lajmesh pashë Blushin të shpjegonte llojin e librit, si një përshtatje me kohën në të cilën jetojmë, – perifrazoj: -“Ne që shkruajmë duhet të ndryshojmë mënyrën e të shkruarit. Nuk mund të shkruash si para 100 vjetësh. Jetojmë në kohën e Instagramit. Ky libri im nuk është Instagram”. Është e vërtetë që njerëzit shohin IG e FB, dhe letërsia nuk mund të jetë si dikur, por, ai që rri gjithë ditën ne IG e FB nuk do vijë kurrë tek libri edhe me dy fletë ta bësh librin Blush, apo edhe vetëm me foton e kopertinës dhe emrin tënd përsipër. GJithsesi, ndjesia që pata edhe disa ditë pasi lexova librin ishte se ky rrëfim, ky kthim tek njerëzit, tek realiteti i ka bërë mirë Blushit, për të ritakuar së pari veten, mandej për mbledhur një lëndë jo vetëm për këtë libërth, por edhe për t’u furnizuar mirë për atë që do të vijë pas. Një roman!

“41 sekrete” në opinionin tim është pikërisht kapërcyelli për të gjetur Blushin shkrimtar dhe ne për të na përgatitur për romanin e ri. Kjo sigurisht, nëse Blushi e ka gjetur fabulën e re. Por, nëse s’e ka gjetur, “41 sekretet” ishte një takim me audiencën, një rifreskim të figurës Blushi në sytë e publikut, mision të cilin atij ja kryen letërsia, duke zhbërë gjithë çflitet dhe komentohet për të.
Në fare pak rreshta ti kupton historitë e 41 personazheve, të cilët janë kaq të larmishëm! Disa nga historitë që personalisht më tërhoqën ishte ajo e Nedin Vlorës, nipi i Ismail Qemalit, që tregon një ide të tijën ndoshta, një pretendim se Ismail Qemali donte të bëhej Mbret i Shqiptarëve. Sikur të ndodhte ajo, me siguri do të kishim një tjetër histori Shqipërie!

Julian Roshe, nje aventurier, nje biznesmen francez, 26-vjeç që vjen në Shqipërinë komuniste dhe bën pazar me Enver Hoxhën. Në fundvitin e 1981 ai bën një kontratë në vlerën 1.5 milion euro për shitjen e radiove të ushtrisë. Në një Shqipëri të varfër që nuk mund të pretendohej të harxhoheshin aq lekë për këte luks, por me një inteligjent, një burrë me nuhatje tregtie si Julien – historia u zgjidh. Duke u rikthyer në kohën kur malli shkëmbehej me mall! Julien bëri klering! Mori nga Enveri sherebelë dhe jua shiti amerikanëve!

Më tej zbulon jetën e disa murgeshave gati të vetëngujuara, të një prifti, një hoxhe, një afganeje, një iluministi, ukrainasi, etj, etj, etj…
Takon heronjtë e preferuar si Robert Ndrenika e Viktor Zhusti krejt ndryshe, dikujt i njeh më thellë rrënjët, dikujt më thellë natyrën!
Ritakon historinë e Dardhës, për të cilën edhe pse kam lexuar dhjetëra reportazhe përsëri gjeta diçka ndryshe, të panjohur, të re për mua…
Sa e bukur është letërsia, sa porta e shtigje hap, sa shumë e mbush dhe ridimensionon njeriun. Për atë që e lexon më shumë apo atë që shkruan?! Ndoshta për të dy bashkë!

Botuar në BORDO, Dhjetor-Janar 2022

 

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF