KreuBusull

Simbolikat e ndryshme të lules së tulipanit!

Si një nga lulet më të njohura në botë, tulipani mund të gjendet në çdo shtëpi dhe kopsht. Lulja e tulipanit bart shumë simbolika, kjo për shkak se ka udhëtuar në shumë faza, deri tek ajo e magjepsjes që ka sot. Shumica e njerëzve mendojnë se tulipanët e kanë origjinën nga Holanda sepse sot aty janë shumë popullorë, por në fakt ato vijnë nga Azia Qendrore ku ishin një lule e egër. U kultivua për herë të parë në Turqi rreth vitit 1000 pas Krishtit dhe emri i tulipanit vjen nga fjala turke që do të thotë “çallmë” për pamjet e tyre të ngjashme.

Tulipanët u sollën në Evropë në shekullin e 16-të dhe ishin shumë të rrallë, ndërsa dy shekuj më pas po pushtonin botën.

Sot, tulipanët përfaqësojnë një nga lulet më të njohura në botë, duke bartur simbolika të ndryshme. Më së shumti ato janë simboli i shkëlqyer për të shprehur ndjenjat ndaj dikujt. Në Evropë, kuptimi më i njohur i tulipanëve është dashuria e përsosur dhe e thellë. Duke qenë se tulipanët janë një lule klasike dhe e dashur për shumë prej shekujsh, ata i janë bashkangjitur dashurisë. Ato janë ideale për t’ja dhënë dikujt për të cilin keni një dashuri të pakushtëzuar, pavarësisht nëse është partneri, fëmija, prindërit, vëllai apo motra juaj.

Në disa vende simbolika më e fuqishme është rilindja: Duke qenë se tulipanët lulëzojnë në fillim të pranverës, ata kanë gjithashtu kuptimin e ringjalljes. Nëse njihni dikë që po kalon ndryshime në jetë, apo po krijon një familje të re, një buqetë e bukur me tulipanë do të ishte një dhuratë e mrekullueshme. Që nga epoka viktoriane, tulipanët kanë qenë një simbol i bamirësisë. Shumë organizata bamirëse sot përdorin ende lulen e dashur të tulipanit për t’i përfaqësuar ato.

Kryesisht në kulturën aziatike tulipani simbolizon dashurinë dhe bukurinë, konsiderohet si simbol i një çifti të sapomartuar. Po ashtu përfaqëson pasuri dhe begati, për shkak se ka veti të riprodhohet masivisht në zhardhokë. Japonezët i dhuronin një vazo pasuri me tulipanë familjes me të cilën krijonin një lidhje të re. Por ngjyrat e tyre kanë edhe simbolika të ndryshme: Tulipanët e bardhë nënkuptojnë faljen, respektin, pastërtinë dhe nderin. Nëse doni t’i kërkoni falje dikujt ose do të festoni një moment historik fetar, si pagëzimi, tulipanët janë idealë! Sipas besëtytnive, nëse ëndërroni për tulipanët e bardhë, kjo mund të nënkuptojë se jeni gati të nisni një udhëtim të ri dhe një fillim të ri në jetë, pra dikush pret ardhjen e një fëmije.

Kuptimi i tulipanëve të verdhë nuk lidhet me xhelozinë, por lumturinë. Viktorianët besonin se tulipani i verdhë do të thotë “rreze dielli në buzëqeshjen tënde”, ndaj u dhurohej njerëzve të qeshur, po ashtu kishte edhe lidhje me prosperitetin për ata njerëz që nisnin një biznes apo punë të re. Kuptimi i tulipanëve të kuq lidhet padyshim me romanticitetin: ato kanë kuptimin e dashurisë dhe pasionit të përjetshëm. Ato janë lule shumë të njohura për çiftet dhe shkëmbehen zakonisht në dasma apo ceremoni martesore.

 

 

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF