Ata numërojnë qindra dhe mijëra ndjekës në rrjete sociale. Krahas të qenit të suksesshëm në atë çfarë dinë të bëjnë më së miri në profesionet e tyre si emra të njohur televiziv, disa prej emrave VIP shqiptar kanë një pasion të madh për udhëtimet dhe llogaritë e tyre në rrjete sociale shpesh kthehen në një guidë mjaft interesante për të gjithë ata që duan të vizitojnë një destinacion të ri.
Tashmë të gjithë e dimë pasionin e Blendi Fevziut për të udhëtuar, i cili me një aftësi fantastike narrative të fton ta dëgjosh me endje teksa rrëfen eksperiencat nga njëri kënd i botës në tjetrën. Gazetari i njohur numëron rreth 130 vende të botës që ka vizituar ndërsa shteti i parë i huaj që Fevziu ka shkelur ka qenë Italia në vitin 1991. Fevzi cili është destinacioni i radhës?!
Si një person i shenjës së Demit padiskutim që emocioni teksa Arbana Osmani provon një pjatë të re është i madh. “Betohem që pjesën më të madhe të udhëtimeve e bëj për të provuar gatime të reja”; shkroi moderatorja pak ditë më parë teksa ndodhej në udhëtimin e radhës në Itali. (Më thuaj një Dem që s’e bën këtë). Edhe Arbana duket se e ka gjithmonë një valixhe gati tek dera e me gjithë impenjimet e punës dhe të qenit mami i tre fëmijëve kohën për të parë një destinacion të ri (dhe një gatim të ri) ajo e gjen gjithmonë. Këtë fundjavë mami Arbana i prezantoi Zoit më të voglës së familjes Italinë, vendi që është arratisja e preferuar për moderatoren e Top Channel.
Alketa Vejsiu udhëton shumë dhe shpesh ndan me ndjekësit e saj në isntagram foto e video nga vendet e huaja që ka zgjedhur të vizitojë. Por nëse e ndiqni prej kohës Alketën në rrjete sociale duhet ta keni vënë re sa e dashuruar është me detin Jon sa ndonjëherë duket se moderatorja e njohur gjatë verës fle në mes të detit. Ndonëse destinacionet që Vejsiu ka shkelur janë të shumta, shumë prej tyre ajo ka zgjedhur t’i shijojë heshtur, ndërsa është krejt e kundërta për Shqipërinë dhe kryesisht detin Jon me të cilin Alketa duket se është e dashuruar.
Mund të themi lirisht që Balina Bodinaku është një nga pioneret e hershme që ndan një pasion të madh për udhëtimet të cilat gazetarja e njohur pëlqen t’i ndërthuri edhe me aventura. “Bota ëshë shumë e madhe për të vizituar të njëjtin vend dy herë”; thotë Balina në një prej postimeve të saj në isntagram, ama për Amalfin ajo e bën një përjashtim. Nuk kemi udhëtuar ndonjëherë me Bodinakun por me ç’shohim në instagram apo në rrëfimet e saj, Balina është lloji i turistit tejet kurioz që ka gjithmonë atlete dhe tuta në valixhe gati për t’u zhytur në skutat më të thella të një kulture apo vendi të ri që po viziton. (Kemi të drejtë Balinë?!)
Nuk e di a na është krijuar ideja ne apo vërtetë Venera Lumani dhe Lind Islami sapo mbyllin një projekt bëjnë një arraistje të ëmbël me njëri tjetrin. Njëjtë ndodhi edhe kësaj here kur me të përfunduar koncertin recital dyshja simpatike udhëtuan drejt Afrikës në Zanzibar dhe ndodhen aty prej disa ditësh. Edhe pse dukshëm çifti udhëtimet e shumta i kanë për të shijuar njëri tjetrin dhe rrallë japin informacione apo detaje rreth eksperiencave të tyre, nëpërmjet instagramit të Venerës ne gjejmë një guidë të vockël dhe shumë interesante udhëtimesh.