Aktorja e madhe e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Mimika Luca, ka ndërruar jetë mesditën e kësaj të marte në moshën 85-vjeçare. Mësohet që aktorja prej disa kohësh vuante nga ishemia cerebrale. Lajmin e trishtë e ka ndarë edhe djali i aktores, sipërmarrësi Gjergj Luca, me ndjekësit e tij në rrjetet sociale
“ E shtrenjta nëna ime, Mimika Luca, sot mori rrugën për në Parajsë! Miqtë dhe dashamirët i presim të Hotel “International”, pas Lidhjes së Shkrimtarëve. Nga, sot nga ora 17:00 deri në orën 22:00. Nesër, nga ora 08:00 deri në orën 12:00 Varrimi bëhet nesër në orën 12:00. Në Varrezat e Sharrës”, shkroi Luca në postimin e tij.
Ajo u lind në Gjirokastër më 24 dhjetor të vitit 1937 dhe në moshë shumë të re interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë. Për njëmbëdhjetë vite, nga 1951 deri në 1962, ishte balerinë në TKOB. Më pas, jeta e saj mori një drejtim tjetër, atë të aktrimit. Mimika Luca u pranua në vitin 1962 si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role, si Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet” etj. Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. Roli i parë ka qenë krah bashkëshortit Ndrek Luca, në filmin “Detyrë e posaçme”, më pas në filmin “Kryengritje në pallat”, “Kur hidheshin themelet” e shumë të tjerë.
Një personazh i rrallë si Mimika Luca nuk harrohet dot nga publiku shqiptar, ashtu si roli i nënës së Marigosë te “Përrallë nga e kaluara”. Rolet e nënave, të edukatoreve apo edhe të mësuesve duket se ishin të prera për karakterin e saj. Më 1984, ajo interpreton edukatoren te filmi “Taulanti kërkon një motër”. Në vitin 1977 fillon punë si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë, por nuk ju nda filmit. Fatkeqësisht, sot ajo ka mbyllur sytë përgjithmonë për të shkuar pranë bashkëshortit të saj, aktorit të shquar Ndrek Luca.
Mungesën e tij e ka ndjerë me vite, por familja i ka qëndruar gjithmonë pranë. Mimika Luca jetoi me Gjergjin, djalin e saj, në periferi të Elbasanit, në oazin e ngritur nga i biri ku figura e aktorëve, e të gjithë aktorëve, lartësohet siç në fakt duhet të jetë. Dhimbja sot është e madhe për familjarët, kolegët dhe për të gjithë shqiptarët që aq shumë e deshën aktoren e mirënjohur të artit shqiptar, Mimika Lucën.