KreuArt

Ekskluzive/ Lisa Kujofsa: E kam një brengë

 

Nga Nada Biraçi

Lisa Kujofsa ka zgjedhur të jetë e njohur kur ka diçka për të thënë nëpërmjet artit të saj, dhe nuk përjeton asnjë ndjenjë keqardhjeje nëse kthehet në e panjohur kur ndjen se s’ka asgjë për të thënë. Sipas saj, vetëm kështu nuk rrezikon të kthehesh në personazh monoton për publikun. Lisa ka një natyrë komplekse nga ato që të bëjnë për vete qoftë edhe nëpërmjet një bisedë në Skype, siç qe komunikimi ynë. Një bisedë e çlirët gjatë së cilës aktorja lehtësisht zbërthen brendinë e saj; herë duke ju dridhur zëri teksa kujton të atin e ndjerë; e herë kur me humor e autoironi tregon se do t’i pëlqente që një ditë të luante rolin e Sharon Stone në ‘Basic Instict’… Komediania Kujofsa pranon se i pëlqen të shtyjë kohën duke ndjekur një serial komercial, por nuk ka lexuar kurrë një libër të tillë në jetën e saj. Lisa njihet për imitimet e personazheve të programeve ‘trash’, por në teatër do të pranonte të luante edhe falas…

Për momentin je shkëputur nga jeta artistike në Shqipëri, por je aktive nëpërmjet videove gazmore, ku imiton personazhe të ndryshëm…

Unë mbaj një qëndrim opozitar ndaj çdo personazhi që zgjedh të vesh nëpërmjet imitimit. Kam parë që “Big Brother VIP” dhe bisedat që sillen rreth këtij ‘show’ zënë një pjesë të mirë të diskutimeve në kafene apo edhe në televizione në Shqipëri, ndaj edhe unë e kam ta pashmangshme të mos imitoj personazhet e kastit. Imitimet i kam nisur me politikën duke bërë opozitën me ta, apo personalitete që bëjnë gafa. Skenari shpeshherë është opinion i imi, e shpeshherë është edhe reagimi popullor apo turma.

Shumë prej banorëve në “Big Brother” janë artistë? Ndihesh e përfaqësuar?

Termi ‘artist’ kur e sheh në fjalor është një njeri që merret me art. Por unë, në kulturën time të formimit familjar termin e artistit më shumë se me profesionin e lidh me atë çfarë njeriu përfaqëson së brendshmi, sa njerëzor është ai. E kam shumë të vështirë të quaj ‘artist’ një person që është shumë i talentuar në profesionin e tij, nëse ai nuk është njerëzor, i edukuar, empatik. Për shkak të babait tim, kam qenë shumë me fat pasi qysh fëmijë mua më ka mbajtur në prehër Kadri Roshi, Violeta Manushi e shumë të tjerë të këtij kalibri. E rritur me këtë lloj imazhi artistësh; që do të thotë se ata sa të fortë apo spektakolarë ishin në skenë, aq edhe të butë e të brishtë ishin si njerëz, kjo më ka bërë mua që unë sot të kem ca rezerva me këtë termin ‘artist’ në përgjithësi. Të rikthehemi tek artistët aty brenda. Besoj se edhe ata vetë e dinë që aty po përfaqësojnë vetëm unin e tyre, apo edhe lojën e tyre. Në momentin kur në disa raste teksa i kam ndjekur më është krijuar vërtetë një gjendje ankthi, nuk mendoj se askush aty nuk përfaqëson askënd. Të gjithë nga pak më kanë zhgënjyer. Ky lloj formati e kërkon dramën dhe show-n, por ca filtra të lehta mendoj se do të na bënin mirë të gjithëve. Më vjen shumë keq vetëm për diçka për kastin e “Big Brother” në Shqipëri, që në një mënyrë ose në një tjetër, qoftë edhe nga analiza/kritikat që opinionistët ju bëjnë, atyre ju është dhënë një mesazh që janë gabim, por ata nuk po ndryshojnë. Nisur nga kjo me keqardhje them se kam frikë se ata e kanë mënyrë sjellje reale në jetën e tyre, atë çfarë po shohim këto ditë brenda në shtëpi.

A ka patur ndonjëherë hatërmbetje nga personazhet që imiton? Të kanë kontaktuar?

Konkretisht jo, nuk ka patur ndonjë rast kur personazhi më ka kontaktuar apo më ka ‘kërkuar llogari’ pse më imiton. Përkundrazi unë jam surprizuar nga personalitete që në momentin kur i kam imituar kanë qenë në kulmin e tyre, por më kanë shkruar në ‘inbox’ në mënyrë tejet dashamirëse. Imitimi në fund të fundit është një karikaturë që shpesh duket e hidhur, ndaj edhe ndonjë hatërmbetje do ta kuptoja, por fatmirësisht personazhet e mi (qesh), kanë qenë të mirëkuptueshëm.

Çfarë marrëdhënie ka Lisa me famën? Si të rri ‘kostumi’ i të famshmes?

Duke u rritur në familjen e Fadil Kujofsës, për mua si fëmijë u kthye në një gjë shumë të zakonshme dhe normale fakti që ne njiheshim në rrugë. Por kur u rrita, kur u bëra dhe vetë pjesë e aktrimit, nisa të mos më pëlqente dhe aq fakti i të qenit në ‘spotlight’. Në qasjen time mendoj se edhe publikut i mërzitesh, bëhesh monoton nëse t’i nuk shkëputesh herë pas here, sado artist i mirë të jesh. Personalisht, jo me famën, por me të qenit e njohur, figurë televizive, aktore quajeni si të doni kam krijuar një marrëdhënie ‘fik e ndez’ ‘on and off’ (qesh) që do të thotë se kur ndjej se po lodhem, shkëputem ca kohë. Unë nuk e ndjek famën, nuk mendoj se jam e famshme. Jam e njohur kur kam diçka për të thënë nëpërmjet artit tim dhe s’mërzitem kur kthehem në e panjohur, kur s’kam gjë për të thënë. E kam shumë të rëndësishme të le shije të mirë te publiku.

Babai, aktori i mirënjohur Fadil Kujofsa nuk ka dashur që ti të zgjidhje aktrimin. Por duket se në deje ishte trashëguar talenti dhe nuk ja dëgjove fjalën. Sot, mendon se ke bërë mirë apo keq?

Në një farë mënyre as babi dhe as mami nuk patën dëshirë që të zgjidhja aktrimin, dhe më kanë sugjeruar të shihja ndoshta ndonjë alternativë tjetër. Nuk di të them nëse ishte talenti apo rastësia. Mbaj mend që në çdo aktivitet artistik në gjimnaz apo edhe tetëvjeçare, skenari më delegohej mua ta bëja. Duket se e bëja mirë sepse pa shprehur asnjë dëshirë kjo gjë vazhdoi për shumë gjatë. Mbaj mend që as nuk e çoja ndërmend që një ditë do të bëhesha aktore si babi. Madje mendoja se do të bëhesha veterinere, e kisha me shumë dëshirë. Gjithsesi rastësisht, një konkurs aktrimi në gjimnaz bëri që të më dilte në pah ai talenti që thua ti në pyetje (qesh). Sot jam penduar që nuk i mora për bazë këshillat e prindërve për të mos u bërë aktore, dhe s’më vjen keq ta pranoj. Sado e trishtë të tingëllojë, nëse do të kthehesha pas do të merrja një drejtim tjetër.

Babai juaj u nda nga jeta në një moshë të re, pa patur një kujtim së bashku si aktorë…

Sot që nuk e kam më fizikisht kam një brengë shumë të madhe që ai iku pikërisht në kohën kur neve na u krijua mundësia që të mund të rrinim të dy në një hije artistike (loton). Nuk e pata fatin që mua dhe tim atë të na mbledhë të dy një hije, që të kishim një kujtim të vërtetë artistik së bashku.

Çfarë librash lexon Lisa?

Mua ma kanë shënjuar jetën klasikët. Me krenari po them që jam fëmijë i prindërve të atij brezi që na detyronin ndonjëherë edhe me dhunë që të lexonim libra. Në pushimet verore me gjithë dëshirën tonë të madhe si fëmijë që të luanim gjithë ditën, ishim të detyruar të lexonim një listë librash që prindërit kishin menduar për ato 2-3 muaj. E brumosur në këtë formë, nuk kisha se si të mos isha sot një person që lexon shumë. Por nëse te televizioni mund edhe të ‘toleroj’ të shoh ndonjë serial a prodhim komercial, te libri ende nuk ja kam bërë vetes këtë tolerim. Nuk kam lexuar kurrë në jetën time një libër komercial. Mund të përhumbem lehtësisht, duke harruar të ha, të pi, të fle nëse jam duke lexuar diçka të Balzac, Jules Verne apo Migjeni a Petro Marko.

Po filmat? Cilët janë të preferuarit?

Siç e thashë edhe më sipër, te filmat e lëshoj dorën (qesh), nuk jam fare autoritare. Pavarësisht se preferencat e mia janë filmat autorë, kinemaja franceze apo ajo lindore, kam parë pafund edhe prodhime apo seriale komerciale, edhe pse kam përfunduar jo rrallë duke u penduar. Megjithatë një prodhim komercal, apo ‘trash tv’ mua personalisht më ndihmon edhe për t’u relaksuar, kur nuk dua ta lodh trurin shumë (qesh).

Cili është ai karakter/personazh që do të doje ta luaje, por ende nuk të është ofruar?

Duke qenë shumë e dashuruar me komeditë e Shekspirit dhe ndër ta do të veçoja “Shumë zhurmë për asgjë”, qysh prej gjimnazit te mua fle dëshira apo ëndrra e madhe që të luaj një ditë rolin e Beatriçes. Një rol sa komik, aq edhe tragjik brenda vetes. Te Beatriçja e Shekspirit mund ta gjejnë veten shumë vajza; te karakteri i saj sa mashkullor, aq edhe femëror së brendshmi; sa cinike aq edhe e ëmbël. Mendoj se karaktere si Beatriçja janë të përbotshëm dhe të pakohë. Do t’më mbetet peng nëse s’do më jepet mundësia ta luaj këtë rol ndonjëherë. Do ta bëja këtë rol falas, pa kërkuar asnjë qindarkë.

Pra, e ke edhe ti këtë lidhjen shumë të ngushtë me teatrin…Përderisa thua që pranon të luash në teatër edhe pa pagesë…

Po, për teatrin do të vdisja për bukë. Lidhja ime me teatrin daton herët fare, që kur nuk isha e vetëdijshme çfarë ishin ata burra dhe gra që rrinin në skenë. E kam shkelur teatrin që foshnjë, 1 vjeçe kur babi im luante. E kam ende sot në hundë aromën e prapaskenës së Teatrit Kombëtar. Nuk mund t’ja zëvendësojë aktorit asgjë atë përjetimin që ai merr nga teatri; nga marrëdhënia që krijon me publikun; një natë që s’i ngjan tjetrës; djersët e ftohta; mavijosja e buzës nga emocioni…

 

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF