KreuCelebrity

Ekskluzive/ Renada Caci: I mungoj asaj skene

Ekskluzive/ Renada Caci: I mungoj asaj skene

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Leo Arapaj

Veshja: Nada Style

Ajo njihet si Renada, aktorja e humorit që mjeshtërisht vesh e zhvesh njëri pas tjetrit çdo rol që i besohet. Ndonëse publiku e njeh si aktore, pakkush e di që Renada Caci ka një dhunti të lindur për të qenë sipërmarrëse, aq sa me humor ajo tregon se me siguri në një jetë tjetër është marrë vetëm me biznes. Ata që e ndjekin në Instagram, e kanë parë që aktorja e njohur ka një ndjeshmëri të madhe ndaj kafshëve, pasi për Renadën 3 katërputrorshët me të cilët ajo ndan banesën dhe jetën, janë prehja dhe arratisja nga realiteti ndonjëherë jo fort i paqtë.

Renada ju nuk jeni më pjesë e kastit të aktorëve në “Portokalli”. Çfarë e solli shkëputjen tuaj nga spektakli i humorit? Çfarë ju mungon më shumë dhe çfarë më pak?

Çdo fillim e ka një mbarim, por jo një fund. Çdo nisje e ka një cikël ku fillon dhe mbaron, kaq. Por i mungoj asaj skene. E ndjej! Thjesht Zoti të largon nga diçka, për të të dhënë të tjera shanse. Më mungojnë bisedat komike dhe vlerësimet e miqve të mirë. I uroj suksese atyre që më kanë bërë të ndihem mirë.

Sakaq përmbyllët një tjetër sezon të suksesshëm të serialit “Nina”, ku ju kishit rolin e Bertës. Ku ndahet dhe ku takohet Renada me Bertën?

Ka qenë një ndër eksperiencat që më bëri të më rritej vetëbesimi, vlerësimi për veten dhe motivi për të vazhduar gjëra të bukura në karrierën time. Berta ka temperamentin tim në shumë raste. Ajo takohet me mua në mënyrën e sjelljes dhe shpesh ndjej se e kam rolin nën lëkurë. Ajo ndahet vetëm në një pikë me mua dhe pikërisht te të qenit materialiste, gjë që unë s’e kam fare po fare në tip.

Si ka qenë kjo eksperiencë, të luash në një serial? A do të ketë një “Nina 3”?

Përvojë e cila më ka bërë ta dua më shumë zhanrin e filmit, të besoj që ka shumë njerëz të mirë në këtë profesion/industri me shumë rrëmujë, ama kur ke ekip të mirë gjithçka shkon shkëlqyer. Përsa i përket a do të ketë një “Nina 3”, nuk jam shumë e autorizuar ta them, por gjërat e bukura duhet të zgjasin me patjetër.

Robin Williams kishte një filozofi në karrierën e tij, duke besuar se nëse largohesh/‘humb’ herë pas here njerëzit do të jenë më të interesuar për ty sesa kur ti nuk largohesh asnjëherë nga syri i tyre…

Për mua karriera është si puna e kompjuterit, që herë pas here duhet t’i bësh ‘refresh’ për të reflektuar je ‘on’, apo duhet të bësh lëvizje herë pas here. Kur i ke mundësitë dhe predispozitat që t’i publikun do ta kesh pranë e ta kënaqësh me forma nga më të ndryshmet, atëherë nuk ke pse ju ikën nga sytë. Përkundrazi, ata të shikojnë gjithmonë ndryshe dhe nuk u mërzitesh apo t’u dukesh e përsëritur.

Si do ta përshkruanit këtë periudhë që po jetoni? Keni marrë një shkëputje momentale, apo po punoni për ndonjë projekt të ri?

Unë s’jam shkëputur asnjë moment nga ekrani dhe do ta përshkruaja si një nga momentet më të qeta në jetën time shpirtërore, dhe po ashtu nga angazhimet e mia të cilat po i bëj me qejf. Përveç serialit unë kam dhe një biznes të vogël. Jam sipërmarrëse aty që s’di si ta përshkruaj rehatinë apo qetësinë që më jep ai vend. E kam tempullin tim të paqes. Në botën tjetër me siguri duhet të kam qenë biznesmene (qesh).

Cila është oferta sa i përket karrierës në aktrim, që doni shumë t’ju vijë, por ende s’ka ardhur?

Thonë që dëshirat mos i shpreh hapur sepse nuk të ecën mbarë, por unë po e them. Ëndrra ime është të jem brenda tregut të serialeve turke. Kam miq të mirë atje, por kam dhe disa detyrime familjare këtu; kam një nënë që nuk mund ta lë vetëm për asnjë arsye, pasi ajo është heroina ime të cilën do ta marrë kudo me vete. Dhe po mbeti thjesht ëndërr, them që është një ëndërr e bukur dhe e guximshme për ta treguar. Unë guxoj dhe realizoj!

A ju ndodh që t’ju mbesin copëza karakteri të personazheve që luani? Nëse po, cili karakter ju është futur më shumë nën lëkurë?

Luzja, pasi kam shumë vite që e bëj dhe nuk i është mërzitur njeriu dhe kjo gjë është shumë e bukur. Ky personazh nuk bëhet bajat kurrë dhe them me plot gojën që është nga të vetmit. Këto janë fjalët e publikut jo të miat. Karakteri i Luzes më ka bërë të futem nën lëkurën e personazhit, ndërsa Berta për mua deri tani është roli i jetës. Ka klas ajo, ka një arrogancë fine që e karakterizon herë pas here, dhe them që në disa raste më ka bërë të njoh më shumë Renadën. E dua shumë Bertën, sepse unë dua shumë Renadën, veten time. Prandaj jam sot këtu ku jam e rrethohem vetëm me kolegë e miq të mirë. Të kesh aftësi të zgjedhësh miqtë që të duan, për mua është suksesi më i madh në jetë që ke arritur.

Cili personazh imagjinar do të ishte më emocionues për ta takuar në jetën reale?

Berta, personazhi im i serialit. E kam takuar në film, por do të doja që Berta një ditë të ishte përballë meje dhe në jetën reale, ku unë të shikoja veten si në pasqyrë dhe ta njihja më mirë atë. Do të doja ta takoja dhe pse jo të ishim mikesha, ku t’i rrëfenim njëra-tjetrës çdo hall, gëzim apo marrëzi tonën.

Si reagoni ju ndaj njerëzve që ju imitojnë?

Gëzohem, i mirëpres në mënyrën më pozitive dhe më dashamirëse.

Industria e artit/aktrimit thuhet se është plot stres, presion apo edhe bërryla; çfarë bëni për të përballuar presionin që vjen me punën tuaj?

Ulem në darkë me qenushat e mi dhe pi një gotë verë. Them me vete; ‘e pi këtë gotë për ‘hatersat’ e mi.

Pak e dinë që ju jeni gjithmonë e lidhur me akte bamirësie dhe humanitare; si edhe përfshiheni shpesh në kauza për mbrojtjen e kafshëve.  Çfarë ka ndikuar në të qenit njëkohësisht një karakter sa i fortë, aq edhe i brishtë?

Njerëzit jetojnë në frekuenca shumë të ulëta me kohën dhe me energjinë pozitive, ndërsa kafshët janë ata që akoma të japin shpresë dhe thua me vete ‘ahh, ok paska ende dashuri në këtë vend’. Kafshët, Zoti i ka hedhur në tokë si bekim. Ndaj unë sa të jem gjallë s’do resht së bëri bamirësi për këta engjëj kushdo qofshin, qoftë dhe miza toke se dhe ato shpirt kanë. Sa i përket akteve të bamirësive për njerëzit në nevojë, me aq pak mundësi sa kam e bëj më kënaqësi të madhe. Lum kush e ka ende ndjenjën e dhembshurisë!

Njiheni po ashtu si një ndër personazhet më modest në ‘showbiz’. Pse nuk pëlqeni të keni një sjellje prej VIP-i…

Sepse në fund të ditës jemi të gjithë njerëz. Këtë e kupton kur ti përballesh me fatkeqësi, apo dhe fenomene natyrore. Përballë këtyre rasteve jemi të gjithë të barabartë dhe duhet të jemi gjithmonë me këmbë në tokë. Plus nuk më pëlqen shumë të reklamoj veten më shumë seç duhet për disa klikime, siç është bërë modë tashmë në shumë raste që dhe kur shkojnë në tualet lajmërojnë në ‘story’ në Instagram (qesh).

Çfarë këshille keni për të rinjtë që sapo kanë filluar karrierën e tyre në aktrim?

Të jenë me këmbë në tokë. Mos t’i zërë virusi i delirit të madhështisë sepse atë s’ka as maskë, as ilaç ta zhdukë. Dhe kujdes nga intrigat sepse në këtë profesion janë me shumicë. Bëhuni pozitivë dhe ecni përpara, kurrë mos lejoni që të tjerët t’ju rrëzojnë. Arma më e fortë është të rrish stoik i asaj çka ti meriton të jesh.

Çfarë po ndodh në jetën e Renadës sa i përket çështjeve të zemrës?

Mirë jam deri tani, si nga zemra, si nga tensioni i gjakut dhe hipertensioni (qesh).

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF