KreuArt

Ekskluzive/ Ben Blushi, i (pa)njohur!

Ekskluzive/ Ben Blushi, i (pa)njohur!

Shkrimtarja Susan Sontag thoshte – të fotografosh njerëzit, do të thotë t’i shohësh ata, ashtu si ata nuk e shohin veten kurrë – edhe Ben Blushi ka zgjedhur të shohë përmes lentes së aparatit fotografik, atë që edhe vetë protagonistët e ekspozitës, nuk do ta dinë kurrë.

Nuk është rastësi që një shkrimtar të ketë pasion fotografinë, apo më saktë të kuriozohet nga ajo çfarë sheh përmes tele-objektivit. Me gazetarin Ben Blushi, nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, i rritur në një mjedis familjar me filmin, (i ati Kiço Blushi ishte skenarist), kjo dëshirë e tij ka çelur sytha fuqishëm vitet e fundit.

Ndoshta Ben Blushi, njësoj si Henrik Ibsen kur krijoi thënien ikonike “Një foto, vlen sa një mijë fjalë”, u magjeps aq fort nga fuqia e fotografisë sa zgjodhi t’i bënte vetes si dhuratë për ditëlindjen e tij të 53-të, një aparat fotografik. Nga ajo ditë, lidhja e tij me fotografinë, përtej përcaktimit që ai jep si “kurioz” kalon përtej këtij kufiri – pasi tashmë regjistron ekspozitën e dytë, e para kishte në fokus, personazhe që pasi rrëfejnë mes rreshtash sekretet e jetës, zgjedhin të plotësojnë procesin klasik të raportimit gazetaresk me një foto. Ekspozita e dytë ka plot 42 foto me njerëz krejt të panjohur, (titullohet “Shqiptarë të panjohur”), ndaj teksa sheh imazhet mbi celuloid, kupton se Blushi kërkon të lexojë përmes portreteve, gjithë qenien e personazheve të rastësishëm që i kanë zgjuar kërshërinë. Fotografia është një art i kulluar – por siç shkrimtarja dhe fotografja Susan Sontag thoshte – të fotografosh njerëzit, do të thotë t’i shohësh ata, ashtu si ata nuk e shohin veten kurrë – edhe Ben Blushi ka zgjedhur të shohë përmes lentes së aparatit fotografik, atë që edhe vetë protagonistët e ekspozitës, nuk do ta dinë kurrë. Ekspozita e shkrimtarit Ben Blushi “Shqiptarë të panjohur” është e hapur për publikun në qendrën COD.

Zoti Blushi ktheheni me “Shqiptarë të panjohur” një ekspozitë me 42 fotografi, çfarë keni dashur të sillni përmes këtij cikli?

Besoj që titulli e thotë vetë, janë shqiptarë të panjohur. Pra, kam dashur t'i prezantoj publikut disa njerëz që nuk i sheh dot në televizor. Këta njerëz nuk dalin askund sepse kamerat nuk shkojnë deri tek ata. Kështu që kjo është arsyeja e parë dhe arsyeja e dytë është një shenjë mirënjohje sepse unë nuk jam një fotograf, unë jam shkrimtar, gazetar i cili në një moment mendoj që fotografia është gjë e bukur edhe faktikisht magjike. Kështu fillova duke fotografuar njerëz nëpër rrugë. Njerëz që nuk i njoh fare. Sot po t'i shoh s'i mbaj mend.

Ekskluzive/ Ben Blushi, i (pa)njohur!

Shoh që fotografitë janë paksa spontane, shkretje spontane, a e dinin njerëzit që po fotografoheshin?

Një pjesë e madhe jo. Shumë prej tyre nuk e dinë kur janë fotografuar. Kjo e bën më të bukur fotografinë sepse është origjinale, është natyrale.

Shqipëria, shqiptarët, e keni vendosur, e keni bërë këtë fjalë gjithmonë pjesë të titujve tuaj, vendin, kombësinë tonë e keni evidentuar gjithmonë. Çfarë keni dashur të tregoni përmes kësaj?

Unë jam një shqiptar, si shumë shqiptarë që si 3 milionë apo 7 milionë sa janë në të gjithë botën, jam i lidhur me këtë vend. Kështu që lënda ku unë marr temat e mia për të shkruar apo për të fotografuar është Shqipëria. Prandaj e përdor në disa libra. Në fakt edhe në libra të tjerë kam përdorur fjalën shqiptarë, kështu që edhe në këtë ekspozitë e kam përdorur. Kjo tregon që jam relativisht i lidhur. S'ka ndonjë kuptim tjetër.

Ndërkohë shohim 41 sekrete - 42 fotografi. Unë doja të pyesja, a do të ketë një numër 43? Çfarë do të jetë 43 dhe a ka një kuptim pas këtyre numrave?

Unë kam botuar një libër me fotografi dhe me portrete të shkruara me biseda në fakt para dy vjetësh që quhej “41 sekrete”. Aty ka njerëz interesant sipas meje, me të cilët kam zhvilluar një bisedë. Ata më kanë rrëfyer sekretet e jetës së tyre. Ai nuk ishte ndonjë kuptim thjesht ishte 41 personazhe që mua më pëlqyen. Kisha edhe 60, por me 60 do të bëhej libri shumë i gjerë dhe e lashë 41. Kurse ky 42-shi, nuk ka lidhje me 41-in. Këtu janë 42 fotografi, nuk është përzgjedhja ime. Unë doja të kisha 60 apo 70, po ambienti këtu kaq i madh ishte, ose kaq i vogël, po kaq i mjaftueshëm. Prandaj kuratorët e mi që i falënderoj të COD-it, zgjodhën 42 fotografi. Ka qenë koincidencë.

Ekskluzive/ Ben Blushi, i (pa)njohur!

Është një koincidencë nuk ka ndonjë kod mbas. Nuk presim një numër?

Mund të ketë 43 për ndonjë gjë tjetër. Po mund të ketë 43, nuk e di akoma.

Pak kohë më parë, ju nisët të publikonit në rrjetin tuaj Facebook disa fotografi të shkruara me disa fabula të shoqëruara. E kishit menduar të futeshit që atëherë në këtë botën artistike, e kishit të programuar, apo erdhi natyrshëm?

Pak a shumë e bëj këtë gjë. Kam qenë gazetar, kam qenë shkrimtar, jam marrë me televizion shumë dhe nuk vij nga një botë e cila nuk ka lidhje me artin, po s'kisha menduar realisht që të bëj ekspozitë me fotografi. Kur bën shumë fotografi - unë kam rreth 40 000 ose 50 000, kam një arkiv shumë të gjerë që kam bërë tre vitet e fundit - erdhi një moment kur mendova që isha pjekur sa duhet për t'i treguar këto në publik dhe vendosa të bëj këtë ekspozitë, që është e dyta në fakt. Kam bërë një ekspozitë të parë, para kësaj, para 1 vit e gjysmë nga Ukraina ku filloi lufta.

Shkrepjet e këtyre fotografive i keni nisur me datë 1 janar 2022 apo jo?

Pra, unë kam blerë një aparat dy ditë para Vitit të Ri. Kam dalë ditën kur e bleva ta provoja se s'kisha provuar kurrë të përdorja një aparat. Pra, bëja fotografi me celular, po të bësh me aparat fotografik është diçka tjetër. Është pak më e komplikuar teknikisht derisa të mësohesh. Fotografinë e parë e kam bërë - atë javën kritike mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri kur gjithë njerëzit blenë gjelat e deti dhe fotografia ime e parë ka qenë gjeldeti që e mban një njeri shtrënguar. Kam dalë në Tiranë kur ishte komplet e shkretë, edhe kam bërë fotografitë e mia të para. Kam patur ditëlindjen atë ditë.

Ekskluzive/ Ben Blushi, i (pa)njohur!

Keni një lidhje të veçantë me detin? Shoh që shumë foto janë realizuar në plazh.

Po sepse kohët e fundit kam kaluar shumë kohë në jug edhe të rrish gjatë aty, një muaj apo dy muaj, qëllon që përdor aparatin gjithë kohës kur kam mundësi dhe kur shoh që nuk shqetësoj njerëz, ka raste që njerëzit shqetësohen kur ti i fotografon. Unë e kam mësuar tani se kur ata nuk shqetësohen dhe kur duhet mund të ndërhyj në jetën e tyre, privatësinë e tyre.

Çfarë shikoni te një portret, a e keni të atashuar me një histori, një personazh? Çfarë keni menduar në atë moment për historinë e tyre?

Kur fotografon ti përpiqesh të kuptosh njeriun, ajo e bën fotografinë e bukur. Pra në qoftë se ai njeri ka diçka për të treguar, ai nuk flet. Fotografia nuk flet, është e heshtur nuk ka zë, si kinemaja pa zë, por mënyra se si sheh apo si lëviz, tregon diçka për jetën e tij, kjo e bën fotografinë e bukur. Për shembull ,kam disa fotografi që ti kupton që ai djali ka një dramë, ai shpresoj që mos ketë asgjë - po fytyra e tij tregon që ka një shqetësim edhe kjo e bën fotografinë pak më interesante, kjo e ndryshon fotografinë artistike me një fotografi të rastësishme. Po sipas meje çdo fotografi është e bukur dhe çdo njeri mund të bëhet fotograf. Mjafton të ushtrohet.

Siç e përmendët pak më parë ju e keni nisur si gazetar. U përfshitë në letërsi, në politikë duket sikur çdo kohe i keni vendosur dhe nga një profesion.

Unë jam shkrimtar është e vërtetë sepse tani jam profesionist, kam shumë libra dhe shkruaj pothuajse gjithë kohën, por nuk jam fotograf. Pra unë nuk e fus veten te fotografët, jam modest.

Ekskluzive/ Ben Blushi, i (pa)njohur!

Pse jo? Çfarë duhet të ketë një fotograf të quhet fotograf?

Kjo është një kënaqësi që kam unë. Unë nuk jetoj me këtë gjë. Pra kur kam kohë të lirë, edhe ndjej që duhet të dal nëpër Shqipëri dhe të fotografoj, e bëj. Po nuk jam fotograf, unë jam njeri kurioz. Jam kurioz edhe këto fotografi i kam bërë si një kurioz, si njeri që dua të dal nëpër Shqipëri apo jashtë. Kam shkuar në Afrikë ku kam bërë shumë fotografi dhe përmes fotografisë kuptoj karakteret e njerëzve. Kjo është ajo që më shtyn të bëj fotografi, por nuk jam fotograf. Edhe ti mos më prezanto si fotograf, si një njeri kurioz.

Një njeri kurioz me një pasion. Keni një pasion të paezauruar?

Kam padyshim, do të doja shumë të bëja një film. Familja ime është marrë shumë me kinematografi dhe kjo është një nga gjërat që do të doja të bëja në jetë. Ndoshta fotografia më çon atje, s'di a do të kem kohë apo jo. Fotografia ka një avantazh që është art që ti mund ta bësh vetë. Pra, pa ndihmën e dikujt, mjafton të kesh një aparat. Kurse filmi është pak më i vështirë. Kërkon shumë më shumë organizim, fonde, ekip, mobiliet, aktorë. Edhe këtë nuk e di a do ta bëj, por kjo është ajo gjë që do doja ta bëj.

Ekskluzive/ Ben Blushi, i (pa)njohur!

Nga politika keni hequr dorë?

Fotografitë e mia tregojnë që unë s'mendoj fare për politikë. Këta njerëz s'i shoh si votues, i shoh si qenie njerëzore edhe më pëlqejnë shumë se janë të bukur, të gjithë janë të bukur.

Nga libri po shkruani, po merreni me diçka?

Vitin që shkoi kam botuar një libër që quhet “Parajsa Artificiale”. Isha në një librari kryesore në Tiranë dhe nuk kishte më libra, edhe i pyeta pse s'ka më. Mendova që s'i kishte nxjerrë, por kishin mbaruar. Edhe këtë vit do të kemi prapë libër kur të vijë koha.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF